Gruevski: BDI nuk mban fjalën, ka krizë, nuk përjashtohen zgjedhjet

Kryeministri Nikolla Gruevski sot vërtetoi se ka një krizë në koalicionin qeveritar, si rezultat i ndryshimeve në sjelljen e disa nga udhëheqësit e BDI-së. Sipas tij, deputetët e BDI-së nuk po sillen në mënyrë korrekte ashtu siç janë sjellë në të kaluarën, ndërsa kulmi është ngjarja në Sllupçan, si dhe që janë të mundshme zgjedhje në qoftë se BDI-ja i dëshiron ato.

“Gjatë tre viteve të mëparshme BDI-në si partner koalicioni e konsideronim si parti e cila e mban fjalën dhe e cila sillet në mënyrë korrekte ndaj asaj për të cilën jemi marrë vesh. Edhe ne u munduam të sillemi në mënyrë korrekte. Këtë vit, ka përjashtime nga kjo praktikë të cilën e kishte BDI-ja, nuk e dimë nëse arsyeja për këtë ka qenë fakti se kishin ndjenjën se në Kuvend VMRO-DPMNE-ja nuk e ka shumicën me vetëm 56 deputetë dhe këtë e plotësonin deputetët e BDI-së. Unë disa herë kam  biseduar me kryetarin e kësaj partie dhe i kam treguar se disa individë po sillen në mënyrë joadekuate dhe kjo me siguri ishte kulmi i një sjelljeje jokorrekte e cila nuk kontribuon as në realizimin e qëllimeve të BDI-së, as në realizimin e disa gjërave të rëndësishme për shqiptarët në Republikën e Maqedonisë, por vetëm kontribuon në krijimin e tensioneve. Kështu që, në pyetjen tuaj se a ka krizë, do të përgjigjem se, sigurisht që po.”, tha Gruevski sot në komunën e Osllomesë në Kërçovë.

Gruevski përkuljen e Besimit e ka quajtur hap të gabuar të tij.

Ai theksoi se Qeveria funksionon si përbërje e plotë dhe se, pas brifingut të BDI-së, në qoftë se ata vlerësojnë se është e nevojshme, VMRO-DPMNE është e gatshme për zgjedhje të parakohshme. 

“Ne nuk i dëshirojmë ato, por VMRO-DPMNE është e gatshme për një opsion të tillë në qoftë se BDI-ja merr një hap të tillë”, tha Gruevski. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button