Unë dhe elementi i absurdit…

Unë dhe bota… shpeshherë nuk mund ta kuptoj këtë lidhje dhe më duket shumë e largët, pastaj kthehem dhe shoh pjesë të shpirtit dhe të vetes sime në tokë të shkelur nga të tjerët dhe të shpërfillur. Kur mundohem ta kuptoj dhe perceptoj botën humbas veten time dhe kur mundohem ta kuptoj veten, çuditërisht humbas botën… Dhe ashtu në heshtje shpirti im përpiqet që të mbijetoj dhe të gjej të paktën diçka sa do të vockël që  lidh unin dhe boten në një pikë, qoftë ajo fare e vogël. 

Rrugëtimi i shpirtit tim, për të gjetur simotren e tij dikund në botë apo për t’i gjetur ato “gjërëza”, që plotësojnë dhe mbushin me jetë atë, për t’i gjetur ata njerëz që dinë të vlerësojnë jetën për nga vlerat e saj shpirtërore që ka dhe jo për ato materiale, ka nisur qëmoti. Rrugës ka takuar gjithçka por ajo që e ka ndjekur çdoherë pas ka qenë ABSURDI… E ka takuar atë në shumë forma, lloje dhe mënyra, tek shumë njerëz dhe dukuri. Pse a nuk është absurde ajo që edhe politikanët më të mëdhenj kanë ambicije të madhe dhe ëndërr jetësore që me çdo kusht të bëjnë pushtet por jo edhe shtet, që për ata më shumë ka vlerë posti se sa vetvetja dhe autoriteti?!

A nuk është absurde ajo që te ne më shumë vlerësohen disa personalitete që e quajnë veten “VIP”,  që as ata vet nuk e kanë as idenë më të vogël se çfarë është arti dhe se puna e tyre me artin janë larg sa lindja me perëndimin, që japin vetëm shembuj degjenerimi dhe imoraliteti, janë vazhdimisht në qendër të vëmendjes dhe u kushtohet më shumë rëndësi se sa artistëve të vërtetë e njerëzve të mëdhenj e me vlera, që i kanë dhënë kombit jo vetëm art dhe kulturë të mirëfillt, por edhe pjesë nga jeta e tyre, a nuk është absurde që natyra çdo ditë e më shumë bëhet armike e njeriut dhe se përsosshmërinë e tyre tanimë njerëzit e kërkojnë tek bota e digjitalizuar dhe artificiale,  duke i ikur kështu botës natyrale dhe duke u munduar të “përmirësojnë” atë që ka krijuar Perëndia?!… Këto janë vetëm disa nga dukurit, që të pakten nga prizmi dhe këndvështrimi im, janë të pakuptimta dhe i japin botës dhe jetës kahje të gabuar.

Duke u nisur nga kjo, duket se bota ka humbur fillin dhe se gjithçka është çorientuar, që njerëzit kanë humbur baraspeshën dhe se gjithë botën e ka kapluar një kaos psiqik dhe e gjithë kjo të bën të ndjehesh sikur ndodhesh në një labirinth pa zgjidhje.
Dhe padashur lind pyetja se në ç’botë jetojmë, në ç’epokë po hapëron njerëzimi?! Sa e pakuptimtë… Në fakt ajo që nuk do të arrish të kuptosh asnjëherë është pyetja, që çdoherë do ia parashtrosh vetvetes e asnjëherë nuk do arrish të gjejsh përgjigjen, se cila është më e vështir, lufta për mbijetesë apo ajo për ekzistencë, lufta për të mos vdekur nga uria apo lufta për të shpetuar nga varfëria e vlerave – varfëria shpirtërore?!  Sepse padyshim nuk ka tjetër emër tjetër përpos absurd lufta e njerëzve për pushtet, ose thënë më mirë etja, për të cilen ata janë të gatshëm të bëjnë gjithçka ku, siç thotë një proverb latine, “Homo hominis lupus est” (njeriu për njeriun është ujk), luftë në të cilën në fund njeriu fundos vetveten. Kjo të krijon bindje të thelle që njerëzit janë aq të etur për pushtet dhe pas iluzioneve të tjera të kësaj bote saqë në rrugën e tyre për ti realizuar ato ideale, shpëshherë qëllimkeqe dhe të dëmshme, edhe “delja han ujkun”. A mund të jetë një njeri aq pavlerë dhe të sakrifikojë veten dhe dinjitetin e tij duke u mposhtur dhe duke ulur veten aq poshtë?! Përfundimi i kësaj është që njerëzit vetvetiu humbasin vlerat e tyre, nënvlerësojnë veten e tyre. Ata duan më shumë pushtetin dhe paranë sesa veten e tyre, pa e ditur se të gjitha ato gjëra janë të kota dhe të pakuptimta, janë fare të vogla para qenies kuptimplotë të njeriut me të gjitha ato cilësi dhe virtyte që e ka stolisur  Perëndia.

Janë të shumtë ata të cilët vuajnë nga kjo sëmundje dhe që nuk mund të kuptojnë që pasuria më e madhe në jetë është dashuria dhe se pushteti më i madh që mund të arrijë njeriu është të fitoj zemrat dhe dashurinë e njërëzve përreth tij. Sa shumë e lëndon dhe e dëmton njerëzimin ky realitet i hidhur, mospërfillja e qenies njerëzore, mohimi i dashurisë, mungesa e dinjitetit….

Por ndoshta dhe nuk është ashtu dhe gjitha këto gjëra ndodhin sepse ashtu duhet të jetë dhe bota është e tillë sepse nuk ka sesi të jetë ndryshe, nuk e di mbase dhe unë jam absurdi dhe jo bota…

   

Lajme të ngjashme

Back to top button