Na pret dimër i ‘nxehtë’ me çmime marramendëse

A ka dalje nga vorbulli – i quajtur cunami i çmimeve? Atë që ekonomistët e paralajmëruan ndërsa biznesmenët e prisnin, ndodhi – shtrenjtimet dramatike kanë shkrirë fitimin në sektorin privat, por edhe standardin e qytetarëve. Rritja e inflacionit po kthehet si kërcënim edhe për qytetarët edhe për ndërmarrjet. 

Statistika e konfirmoi realitetin, në korrik në krahasim me po të njëjtin muaj të vitit të kaluar, shpenzimet e jetës janë shtrenjtuar për 2.3 për qind. Jetesa është bërë më e shtrenjtë thuajse në të gjitha segmentet, për ushqim shpenzimet janë rritur për 1.4 për qind, për veshmbathje 5 për qind, shpenzimet për banim janë rritur për 5.2 për qind, për dru zjarri dhe ndriçim 7.5 për qind. 

Por së shpejti vijon edhe një shok në vigjilje të shtatorit dhe stinorit të ngrohjes, paralajmërohen shtrenjtime edhe të drunjve për djegie dhe të prodhimeve esenciale ushqimore. Portalb analizon se çka është shtrenjtuar gjatë periudhës së fundit, dhe çka do të shtrenjtohet, si rezultat i çmimeve më të larta të energjisë dhe derivateve.

Shtrenjtimet e deritanishme

Rryma                              +9,82%
Toplifikacia                       +3,88
Ngrohja Shkup Veri          + 3,75
Derivatet e naftës           +3,0%
Tregtia me pakicë            +2,3%  

Paralajmërime për shtrenjtime të reja:
Dru zjarri                        + 100 deri në 200 denarë
Bukë       +10% 
Brumëra       +10%
Mishi           ?

Trendi i rritjes së çmimeve, si sinjal për inflacion, sipas opinionit të ekspertëve nuk do të ndalet.
“Në kushte të ekonomisë anemike e cila thellë nën nivelin potencial të rritjes nuk do të ketë trysni të shumta proinflatore nga ana e kërkesës. Por duke pasur parasysh atë se jemi të varur nga importi i ushqimit, në mënyrë proinflatore do të ndikojë bartja e inflacionit të huaj tek ne lidhur me shtrenjtimit e ushqimit në botë. E njëjta vlen edhe tek importi i energjesave”, thekson për Portalb Zoran Jovanovski nga LSDM-ja. Edhe kompanitë kanë hyrë në përleshje pas rritjes së shpenzimeve për prodhim.

“Shtrenjtimi i derivateve të naftës, edhe të metodologjisë sipas të cilës përllogariten çmimet nuk është për t’u befasuar duke marrë parasysh lëvizjen e çmimit në vend, çmimet e prodhimeve në gjysmën e parë të vitit shënojnë rritje prej vetëm 3 për qind ndërsa në periudhën e njëjtë, energjensat u shtrenjtuan për 10 për qind. Në të njëjtën kohë në tregjet e huaja janë zvogëluar çmimet shitëse, që tregon situatën në të cilën gjenden kompanitë, prodhuese dhe eksportuese”, thekson Stojmirka Tasevska nga Oda ekonomike e Maqedonisë. 

Sipas saj, çdo rritje e shpenzimeve në mënyrë shtesë dobëson konkurrentshmërinë e prodhimeve. Biznesmenët e OEM-së i përllogarisin pasojat e shpenzimeve të zmadhuara dhe nuk përjashtojnë mundësinë që nga Qeveria të kërkojnë masa shtesë për të zbutur goditjen e çmimeve. Një është e sigurtë, tani për tani pasojat më të mëdha dhe të drejtpërdrejta nga energjensat më të shtrenjta ka në sektorin transportues, bujqësi, ndërtimtari dhe metalurgji.
Partitë opozitare kërkojnë nga Qeveria që në vend se të jetë mbikëqyrës i cunamit çmimor, urgjentisht të ndërmerr masa për të amortizuar goditjen. Nga LSDM dhe PLD kërkuan nga Qeveria që të marrë vendim për të ulur akcizën.

“Qeveria ka mekanizma në dispozicion. Gjëja kryesore është që në mënyrë racionale t’i shfrytëzojë resurset e dobëta financiare, urgjentisht të bëjë rebalanc të buxhetit dhe urgjentisht t’i ndalojë të gjitha shpenzimet joproduktive, ndërsa të tilla ka shumë, edhe me këtë të mundësojë zvogëlim të përkohshëm të akcizës së benzinave. Doemos do të duhet të intervenojë nga rezervat shtetërore për të mbrojtur çmimin e bukës. Doemos do të duhet ta kthejë tarifën e lirë ditore të rrymës. Dhe, doemos duhet të rritet prodhimi vendor i energjisë elektrike dhe ushqimit”, konstaton Jovanovski. 

Hapi i zvogëlimit të akcizës nuk është i panjohur për këtë Qeveri, por vetëm para zgjedhjeve. Vitin e kaluar, para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, po e njëjta Qeveri zvogëloi akcizën, me arsyetimin se dëshiron t’u ndihmojë qytetarëve. Tani, nuk ka as paralajmërim për këtë mundësi. 

“Nuk mendojmë për ulje të akcizës. Nëse ka vendim të tillë do t’ju lajmërojmë”, deklaroi Valon Saraçini, ministër i Ekonomisë. 

Nuk e di nëse Qeveria do ta ulë akcizën para zgjedhjeve të ardhshme. Sipas përllogaritjeve të opozitarëve, pas shtrenjtimeve të fundit të rrymës, ngrohjes dhe naftës shpenzimet e një familjeje në nivel vjetor rriten për 350 euro. Derisa buxheti familjar po rritet, buxheti shtetëror po mbushet. Sipas analizës, Maqedonia për çdo ditë shpenzon nga 1000 tonë derivate të naftës, që do të thotë se në bazë të akcizës çdo ditë në arkën shtetërore derdhen nga 300 mijë euro, apo në nivel mujor nga 10 milionë euro.

“Nëse Qeveria me kohë heq dorë prej vetëm gjysmës së këtyre të ardhurave, apo vetëm pesë milionë euro në muaj çmimi i benzinës mund të zvogëlohet edhe për dhjetë deri në dymbëdhjetë denarë për një litër, me çka çmimet do të ktheheshin në nivelin nën 65 denarë për një litër. Kjo do të thotë lehtësim i madh për qytetarët dhe ndërmarrjet dhe të paktën pjesërisht do ta ndalte valën e shtrenjtimeve për ushqim dhe prodhimet tjera esenciale, të shkaktuara nga rritja e çmimit të benzinës”, thekson njëri nga ish-ministrat e Ekonimisë Stevço Jakimovski.

Pa sinjal për ulje të mundshme të akcizës, në vigjilje të shtatorit – pas rrymës, ngrohjes dhe naftës, tani qytetarët përgatiten edhe për shtrenjtime të ushqimeve.

Aneta Dodevska, bashkëpunëtore e jashtme e Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button