Pengimi i parlamentit, Moisiu: Imami gabon, kështu erdhi në fuqi Hitleri

Ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu paralajmëron se bllokimi i kontrollit parlamentar nga Ministria e Mbrojtjes mund të kthehet në një rrezik serioz për shoqërinë.

Për më tepër ai nënvizon se interpretimi sipas dëshirës dhe momentit të ligjit apo të Kushtetutës mund të sjellë dhe pasoja të pakëndshme, duke hequr një paralele me Gjermaninë e para vitit 1933, kur duke shfrytëzuar një klauzolë të diskutueshme të Kushtetutës së Gjermanisë së asaj kohe, Adolf Hitleri që shkaktoi dhe luftën e dytë Botërore erdhi në pushtet.

Në një deklaratë për mediat, Moisiu që për shkak të postit të kreut të shtetit ka mbajtur edhe detyrën e komandantit të përgjithshëm të ushtrisë për 5 vite me radhë, thotë se pengimi i mbikëqyrjes parlamentare nga një ministër nuk ndodh në shtete normale.

“Kjo është shumë alarmuese. Pse? Jo vetëm sepse nuk po merret vesh asgjë se çfarë po bëhet në Ministrinë e Mbrojtjes, ka shumë të dhëna por asgjë konkrete nuk dimë, kjo është një shkelje e rëndë e demokracisë. Ushtria nuk mund të jetë jashtë kontrollit parlamentar”, ka qënë deklarata e djeshme e ish-Presidentit të Republikës, Alfred Moisiu në lidhje me hezitimin e ministrit Imami për të lejuar deputetët e komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare për të ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese të kontrollit parlamentar mbi veprimtarinë e Ministrisë së Mbrojtjes, pa prekur dhe cënuar elementët sekretë që përmban kjo ministri.

Duke komentuar frymën e përgjigjeve refuzuese të Ministit Imami për të bllokuar kontrollin, ish-kreu i shtetit paralelizon se duke interpretuar subjektivisht ligjin edhe në Gjermani erdhën në pushtet nazistët. “Edhe Kushtetuta e Republikës së Vajmarit që ishte në Gjermani para vitit 1933 ishte nga më të përparuarat në kohën e vet. Por ajo solli në fuqi Hitlerin, pavarësisht se në rrugë paqësore, por kjo Kushtetutë i hapi shtigje”, ka qënë deklarata e Moisiut. Ish-kreu i shtetit shprehet me shqetësim edhe për nxjerrjen në shitje të gjithë pronave të ushtrisë, sipas tij pa asnjë transparence. “Koloneli rus i tha gjeneralit të tij: Gjeneral do ta kërkojmë këtë bazë(Pashalimanin) si çifutët nëpër shkretëtirë dhe nuk kemi për ta gjetur.

Pra edhe këto pasuri kombëtare, që i ka pasur ushtria, sigurisht që mund të kenë qënë shumë dhe mbase nuk duhen, por ama duhet që gjithçka të jetë me transparencë të plotë. Sigurisht këtu me duket se nuk ka mendim ushtarak, por ka mendim më shumë biznesi”, ka nënvizuar ish-kreu i shtetit, Moisiu. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button