Shqipëria me e varfra në rajon, ekonomia po dëmtohet nga borxhi publik

Sipas një studimi të Bankës Europiane për Rindërtim e Zhvillim, BERZH Shqipëria ka ngadalësim të rritjes ekonomike. Po cilët janë faktorët dëmtues?

Një studim analitik për ecurinë e ekonomive të vendeve të Europës Juglindore, realizuar nga ekspertët e Bankës Europiane për Rindërtim e Zhvillim, BERZH, evidenton fenomenin e ngadalësimit të rritjes ekonomike në Shqipëri. Nuk është vetëm faktori i krizës globale dhe veçanërisht dy fqinjëve kryesorë të saj, Greqi dhe Itali, por ka dhe një sërë arsyesh që lidhen drejtpërdrejtë nga shkaqe të brendshme.

Më kryesoret janë niveli i lartë i borxhit publik në raport me produktin e brendshëm bruto, si dhe rritja e numrit të të ashtuquajturave ‘kredi të këqija’ në bankat e nivelit të dytë. Duke iu referuar nivelit të borxhit publik, raporti i BERZH e përshkruan atë si në kuotën prej 60 për qind të produktit të brendshëm bruto, që kufizon hapësirën për autoritetet për të realizuar manovra fiskale.

Ky ngadalësim mund të shihet si një goditje tjetër për ekonominë shqiptare, aktualisht më e varfra në rajon sa i takon nivelit të të ardhura për frymë. Drejtori i kërkimeve në Institutin “Axhenda” në Tiranë Dr. Gjergj Filipi, shpjegon në bisedë me Deutsche Welle-n efektet negative të borxhit të lartë publik për Shqipërinë.

Eksperti Gjergj Filipi thotë se instrumenti i borxhit publik, sipas tij, zakonisht përdoret ose si një amortizator në rastin e valëve goditëse që vijnë nga krizat, ose kur shoqëria në momente të caktuara kupton se potenciali zhvillues është në një nivel të lartë se sa mundësitë dhe atëherë tenton marrjen e borxhit në përmbushjen e dinamikave zhvilluese.

Shqipëria, si gjithë rajoni i Ballkanit është nën ndikimin e një perspektive të zymtë ekonomike, shpjegon Gjergji Filipi dhe nuk ka më mundësi zgjerimi të borxhit publik. “Këtë ne nuk e bëjmë dot, sepse kemi arritur të kapim ‘tavanin’ nëse e quajmë kështu, të cilin disa e konsiderojnë si masën 60 për qind, por që unë e konsideroj se ‘tavani’ duhet të ishte 50 për qind. Pra, për një vend si Shqipëria ne duhet të ishim në përmasat e borxhit publik nga 40 deri 50 për qind.”

Sipas ekspertit të ekonomisë dr. Gjergj Filipi, borxhi publik në Shqipëri është më i larti krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Në të njëjtën kohë sipas tij është shqetësues dhe raporti mes nivelit të borxhit publik dhe buxhetit vjetor të shtetit. “Në momentin aktual Shqipëria ka të deklaruar borxh sa dy buxhete e gjysmë vjetore, në një kohë që vendet e tjera kanë edhe më pak borxh ndaj produktit të brendshëm bruto, por njëkohësisht ky nivel është më i ulët në raport me buxhetet e tyre vjetore. Ndaj dhe them se kjo është një situatë relativisht alarmante për Shqipërinë dhe ne duhet të synonim të ishim të paktën tek 40 për qindshi që t’i krijonim vetes opsionin e amortizatorit në këtë rast”.

 /Marrë nga  Deutsche Welle me shkurtime/

Lajme të ngjashme

Back to top button