Prishet shtëpia e flamurit në Korçë

Një tjetër masakër kulturore ka ndodhur ne qytetin e Korçës. Pas zhdukjes së pikturave, shtëpia e shpallur monument kulture, ku Themistokli Gërmenji ka shpallur Korçën krahine autonome është shkatërruar. Këtë fakt e ka denoncuar kryetari i bashkisë, Niko Peleshi, i cili tha se shtëpia muze është dëmtuar nga mjete të rënda në orët e para të mëngjesit, nga persona ende të panjohur, raporton Vizion Plus.

Për këtë situatë kryetari i bashkisë ka akuzuar edhe drejtorinë e monumenteve të kulturës, për mos investim në këtë godinë, e cila ka ardhur duke u degraduar nga viti në vit. E ndërsa policia nuk ka ende asnjë të dyshuar për këtë vepër penale, bashkia ka shmangur dyshimet, duke qartësuar se në këtë zonë nuk ka asnjë leje për ndërtim pallatesh.

Kjo godinë kreu funksionin e selisë qendrore të Republikës Autonome të Korçës, që ndikoi fuqishëm në zhvillimin e lëvizjes patriotike në vendin tone dhe hodhi bazat e zhvillimit kulturor perëndimor. Shtëpia muze është lënë në mëshirë të fatit përgjatë viteve dhe pllaka që përkujtonte ditën kur patrioti i shquar Themistokli Germenji ngriti flamurin që shpallte Korçën Republikë Autonome, nuk është më. /panorama

Lajme të ngjashme

Back to top button