Tanët janë, të gjallët dhe të vdekurit

Krejt më duket se pyetja e kahershme “sa lexojmë?”, me të cilën pyetje njerëzit, shekuj me radhë, janë pyetur dhe shqyrtuar për njohuritë e tyre, dalëngadalë po modifikohet në “sa pak lexojmë?”. Dhe për çdo ditë, më shumë e më shumë, rritet numri i njerëzve, madje edhe i atyre të arsimuar, të cilët si përgjigje e sinqertë në këtë pyetje, do mund të thonin vetëm një: pasha statuset në Facebook!

Ky kuantitet i të lexuarit do të ishte i pashpresë, aq sa është prekës, kur nuk do të kishte pasur, sadopak, cilësi në vete. Gjegjësisht, një epistemolog, duke e krahasuar sasinë tradicionale të diturisë me cilësinë moderne të diturisë, saktë, tregon se atëherë njerëzit kanë pasur më pak njohuri, por ajo ka qenë më cilësore, në krahasim me tani, kur kemi një sasi dhe fluks të madh të informatave, por të pakta janë gjërat të cilat i dimë, me të vërtetë. 
Ja, për shembull, akademikët tanë në ASHAM, gjykuar nga enciklopedia e tyre dhe falë Wikipedias, më mirë se Aristoteli, e dinë se sa dhëmbë kanë kuajt. Por, ata nuk dinë vërtetë, ashtu siç ka ditur Aristoteli se, për shembull, politika në shtëpi është shkalla më e lartë e politikës!

Kështu disi ngushëllohemi edhe kur gjatë kësaj mungese të sasisë të së lexuarit, nga leximi në Facebook, hasim në dituri cilësore, apo në ndonjë pyetje të tillë. Kështu, këto ditë, Sedat Shabani pyeti: Si ashtu, me të gjallët e UÇK-së hanë e pinë së bashku, ndërsa nga të vdekurit e UÇK-së distancohen? Me këtë pyetje edhe arrijmë deri te “Maqedonia këtë javë”, sigurisht, në mënyrë më legale dhe pa distancime, se ARM-ja në Sllupçan, Kumanovë, për herë të dytë. Kjo për shkak të faktit se edhe në vitit 2001 ishte jo legale, sikur çdo intervenim i ndonjë armate, në brendësinë e shtetit të vet. Dhe për të qenë gjërat legale, na duhet definicion nga ana e institucioneve tona shtetërore për atë se çfarë ndodhi atë vit. Ne, ende, definicion të vetëm legal vazhdojmë të kemi, vetëm ate në aktgjykimin e Hagës. 

Ndërsa, për të mos shkuar deri në pafundësi edhe distancimi, duhet që të pyesim më ndryshe. Çka në qoftë se armata distancohet nga Shtatmadhoria, ose në qoftë se e sulmon atë? Ne kemi jetuar në kohë turke, e edhe tani ndjekim serialin televiziv “Sulejman, i Madhi” dhe e dimë se kjo, jo rrallëherë, edhe ka ndodhur. Pra, ja, edhe tani dhe këtu, u përmend mundësia që në procesin e lustrimit të përfshihet edhe ndonjë kushëri. Kështu, ata të cilët, jo vetëm që hanë e pinë së bashku, por lejojnë që, Komandant Ramizi (alias Musa Xhaferi), të jetë një nga tre personat, me të cilët, së bashku do ta ndjekin Kupën Evropiane në futboll, duhet të lexojnë pak histori të oborreve mbretërore dhe të mësojnë se pse sunduesit e mençur nuk e kanë ngushtuar numrin e njerëzve në oborrin mbretëror, por kanë ngritur institucione. Të gjitha përgjigjet, prapëseprapë, gjenden në libra. Por, ja, një përgjigje kësaj pyetjeje të fundit, për ata të cilët ende gjenden, së paku, në nivel të leximit të kolumnave dhe nuk kanë rënë në nivelin e leximit, vetëm të Facebook-ut: Njerëzit nuk e kanë ngushtuar numrin e njerëzve në oborrin mbretëror dhe të kreut, pikërisht për të mos e ulur rrezikun nga mundësia e përmbysjeve të pushtetit.

Edhe një shpjegim se pse njerëzit duhet të lexojnë më shumë dhe më tërësisht, nga ajo që gjendet në Facebook. Ata duhet të lexojnë për t’i ditur gjërat vërtetë. Ndërsa të tillët, në “Maqedonia këtë javë”, janë vetëm ata të cilët kanë lexuar dhe e dinë se: dy klerikë të kishës së Vranishkovskit janë pranuar nga ana e kryetarit të Serbisë, Nikoliç; ambasadori amerikan Wohlers nuk ka marrë pjesë në shënimin e përvjetorit të Marrëveshjes Kornizë së Ohrit… dhe ata të cilët e dinë se ende nuk është emëruar shqiptar në pozitën e drejtorit të kundërzbulimit ushtarak.  

Kjo e fundit, njëlloj si Sllupçani dhe ARM-ja duhet të dihet në shqip, ndërsa të shpjegohet në gjuhën maqedonase. Gjegjësisht, kur arsyetohej BDI-ja, në gjuhën shqipe, se pse kësaj here, kur mundej, nuk mori të udhëheqë me MPB-në, thoshte se ata e kanë Ministrinë e mbrojtjes dhe me këtë, shef i kundërzbulimit do të jetë shqiptar, dhe se nuk është e mundur që edhe kundërzbulimi tjetër, ai i MPB-së, të udhëhiqet nga një shqiptar?! Sigurisht që edhe Vitgenshtajni nuk do kishte mundur të shpjegojë se çfarë lidhje ka kjo logjikë fisnore për në një kësi përbërje shtetërore, por të gjithëve, tani më, na është e qartë, se pazari ka qenë diku tjetër, dhe se kjo që po ndodh nuk ka lidhje as me logjikën, as me shtetin, e aq më pak me logjikën shtetërore. Ndërsa këtë e dimë të gjithë ne të cilët ia arrijmë të lexojmë diçka më shumë, sipas asaj që, ende, mungon shefi shqiptar në të gjitha kundërzbulimet. E tëra që kemi deri më tani është një ministër i vyeshëm i mbrojtjes, i cili, edhe pse nuk kemi definicione, mundohet të jetë i tërësishëm, aq sa duhet të jetë i tërësishëm vetë shteti, dhe prandaj shkon edhe në Karpallak e edhe në Sllupçan.

Dhe kemi kurora lulesh të blera në mënyrë jo transparente nga ana e nënkryetarit të Qeverisë, Musa Xhaferi, pa asnjë vendim nga ana e Qeverisë, për vendosjen e tyre tek dëshmorët e rënë të UÇK-së, të cilët, edhe pse nuk janë të gjallë, janë nga Maqedonia dhe janë të varrosur në Maqedoni.

Dhe kështu, ashtu siç duhet të merremi me të gjallët, ja, nuk është patjetër të shohim futboll së bashku, duhet që edhe për të vdekurit të gjejmë definicione.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button