Kosovë,Drejtori i kanalit serb të RTK-së, mban peng mbledhjen e bordit

Çështja e emërimit të drejtorit të kanalit serb në Radiotelevizionin Publik të Kosovës, (RTK), sikurse kishte premtuar kryeministri Hashim Thaçi para Grupit Drejtues Ndërkombëtar në Vjenë, se do të kryhet deri në fillim të shtatorit, vështirë se do të bëhet. Kjo për faktin se emërimi i drejtorit të kanalit në gjuhën serbe varet nga emërimi i anëtarëve të bordit të këtij mediumi publik, i cili aktualisht është vetëm me pesë anëtarë, pasi që tre prej tyre u ka kaluar mandati, ndërsa njëri prej tyre, që kishte qenë poeti Ali Podrimja, ka vdekur.

Dhe mungesa e anëtarëve të bordit të cilët i emëron Kuvendi i Kosovës e bën të pamundur, emërimin e drejtorit të kanalit në gjuhën serbe, pasi që drejtori i këtij kanali zgjidhet me 2/3 e votave të anëtarëve të bordit. E për emërimin e anëtarëve është dashur të vendosej në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, të mbajtur në korrik.

Por kjo ishte pamundësuar, pasi që deputetët e pozitës e kishin lëshuar seancën në mënyrë që të shkaktohej mungesë e kuorumit në momentin kur pritej të votohej për mocionin për heqjen e taksës për çimenton të cilën e kishte vendosur ministrja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari. Dhe situata e krijuar nga PDK-ja e ka shtyrë emërimin e anëtarëve të bordit të RTK-së derisa pas kthimit të Kuvendit nga pushimi veror, Kryesia e të cilit pritet të mblidhet pas datës 22 gusht e tutje për të vendosur për mbajtjen e seancës së ardhshme të Kuvendit. Këtij të fundit tashmë i kanë shkuar emrat e kandidatëve për anëtarë të bordit. Për të qenë pjesë e bordit të RTK-së, sipas burimeve të gazetës brenda Kuvendit, për anëtarë të bordit kishin konkurruar 57 kandidatë.

Mirëpo, vetëm dhjetë prej kandidatëve kanë hyrë në rrethin e ngushtë dhe emrat e tyre tashmë iu kanë dërguar deputetëve. Ata janë Rrahman Paçarizi, Enver Buqaj, Albinot Maloku, Majlinda Hajrullahu, Ismet Bexheti, Adem Gashi, Bajram Mjeku, Fadil Bajraktari. Përveç këtyre kandidatëve për anëtarë të bordit kanë konkurruar edhe dy kandidatë serbë. Prej të gjithë këtyre pritet të zgjidhen katër shqiptarë dhe një serb.

Mirëpo, bordi sërish nuk do të jetë i kompletuar pasi që konkursi ishte shpallur vetëm për pesë anëtarë të bordit se në atë kohë poeti Ali Podrimja ishte gjallë. Vdekja e tij, ka krijuar rrethana të reja dhe RTK-ja sërish duhet ta shpallë konkursin për anëtarë të bordit pasi që në tetor u skadon mandati edhe tre anëtarëve të tjerë të bordit. Kjo pasi që me Ligjin e ri për RTK-në, bordi përbëhet nga 11 anëtarë, nga 9 sa ishte më parë.

Burime të gazetës brenda RTK-së kanë thënë se “për përzgjedhjen e drejtorit të kanalit serb nuk duhet të krijohet panel i veçantë, sepse kjo është punë që i takon drejtorit të përgjithshëm, i cili mund t’i propozoj bordit dy emra. Kandidatët intervistohen në nivel të drejtorit të përgjithshëm, por gjithsesi kandidati duhet t’i martë 2/3 e votave në dy rrethe të votimit, ndërsa në raundin e tretë shumicën e  thjeshtë të votave”.

Por e gjithë kjo procedurë për zgjedhjen e drejtorit të kanalit në gjuhën serbe, sipas gazetarit Zhivojin Rakoçeviq nuk ka ndonjë rëndësi pasi që sipas Rakoçeviqit kanali në gjuhën serbe do të jetë një kanal i zhurmshëm i kryeministrit Hashim Thaçi /koha.net

Lajme të ngjashme

Back to top button