Berisha, Topi, Nishani, Rama e Meta telegrame ngushëllimi për shuarjen e Xhaferit

Kanë qenë të shumta mesazhet e ngushëllimit në adresë të familjes së politikanit dhe publicistit, Arbën Xhaferi, i cili u nda nga jeta sot.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, kryeministri, Sali Berisha, kryetari i opozitës, Edi Rama, kreu i LSI-së, Ilir Meta, ish Presidenti, Bamir  Topi e shumë të tjerë.

Mesazhi i ngushëllimit i Presidentit, Bujar Nishani

“Të dashur familjarë,

Në këtë moment të dhimbshëm më lejoni që në emrin tim, të familjes sime dhe të bashkëkombasve të mi në Republikën e Shqipërisë t’ju përcjell ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e bashkëshortit dhe babait të dashur, dhe nëpërmjet jush politikanëve për humbjen e kolegut të tyre të vyer, gjithë bashkëqytetarëve të tij në Republikën e Maqedonisë për humbjen e një udhëheqësi vizionar.

Arbën Xhaferri vuri në dispozicion idealet e tij për t’i shërbyer popullit, lirive njerëzore, demokracisë, bashkëjetesës, paqes dhe stabilitetit dhe gjithë arsenalin e tij shpirtëror dhe intelektual. Si një politikan vizionar ai përdori me mjeshtri dialogun dhe diplomacinë edhe në momentet kur paqja dukej më e pashpresë se kurrë.

Me ikjen e tij, Arbën Xhaferri do të na mungojë të gjithëve, por ai lë pas një shembull dhe eksperiencë që do ta bëjnë të jetë gjithmonë i pranishëm mes nesh.
Ndajmë me ju dhimbjen dhe hidhërimin e madh.

Mesazhi i kryeministrit, Sali Berisha

“Ndarja nga jeta e njeriut tuaj më të dashur, udhëheqësit politik, të urtë dhe vizionar, themeluesit dhe Presidentit të Nderit të PDSH-së, avokatit të vendosur të shqiptarëve në Maqedoni, dhe çështjes shqiptare në tërësi, është lajm që sjell pikëllim të thellë dhe trishtim të madh tek ju, por edhe tek miqtë e tij dhe mbarë shqiptarët.

Me ndarjen nga jeta të Arbën Xhaferrit, bota e mendimit dhe elita politike e kombit, humbën njërin prej personaliteteve më të shquara të dekadave të fundit, vlerat dhe kontributi thelbësor i të cilit, në emancipimin kombëtar dhe shoqëror të kombit tonë, janë një trashëgimi tejet e çmuar, që meritojnë mirënjohje të thellë të të gjithë shqiptarëve, për sot dhe brezat që vijnë.

Duke ndarë me Ju dhimbjen e thellë, pikëllimin e madh për Arbënin tuaj të dashur, mikun tonë të çmuar, liderin, politikanin, parlamentarin, studiuesin që i përkushtoi jetën, mendjen dhe të gjithë energjitë e tij mbrojtjes së lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor e kombëtar të shqiptarëve në Maqedoni dhe kudo në rajon, në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare, ju shpreh të gjithëve Ju, ngushëllimet më të sinqerta, lutem së bashku me Ju, që shpirti i madh i Arbën Xhaferrit të gjejë paqen e merituar dhe vepra e tij e ndritur, të frymëzojë shqiptarët, për të shndërruar në realitet, idealet e tij fisnike, njerëzore dhe kombëtare.”-përfundon ngushëllimi i kreut të qeverisë.

Mesazhi i kreut të opozitës, Edi Rama

Një humbje të madhe për botën shqiptare e ka cilësuar kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ndarjen nga jeta të, Arbën Xhaferit.

“Arber Xhaferri ishte nje shqiptar jotipik qe tha te verteta te medha e hapi rruge te pashkelura me trimeri te jashtezakonshme intelektuale! Vdekja e tij nje humbje e madhe per boten shqiptare ne disa permasa qe veç Arben Xhaferri i misheronte ne nje njeri te vetem.U preht ne paqe”- shkruan kreu socialist në Tëitter.

Kreu i LSI-së,Ilir Meta

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, nëpërmjet një mesazhi ka shprehur ngushëllimet Menduh Thaçit për humbjen e Arbër Xhaferrit.

“Ndajmë dhimbjen për humbjen e Arbër Xhaferrit një politikan i shquar, mbrojti të drejtat e shqiptarëve”,- thuhet ndër të tjera në mesazhin e Metës.

Topi: Arbër Xhaferi ishte një rilindas i kohëve moderne

Ish-presidenti Bamir Topi ka shprehu ngushëllimet e tij për humbjen e kreut të nderit të PDSH-së Arbër Xhaferi i cili u nda sot nga jeta.
“Arbër Xhaferri ishte një intelektual i klasit të lartë. Ishte një rilindas i kohëve moderne. Humbja e Arbër Xhaferrit është humbje kombëtare. Çdo shqiptar ndjen trishtim për filozofin e krijuesin. Fat që e kemi njohur, lexuar e dëgjuar Arbër Xhaferrin”,- thuhet në ngushëllimin e ish presidentit, Bamir Topi.

Lajme të ngjashme

Back to top button