Shtet Monti Pajton!

Mbrëmjen e 13 gushtit, në mediumet elektronike si një uragan u shpërnda lajmi se delegacioni shtetëror dhe ARM-ja i kanë nderuar luftëtarët e vrarë të UÇK-së. Një lajm i pabesueshëm. Athua vallë është e mundur një gjë e tillë, në një shtet kaq të ndarë në mënyrë horizontale dhe vertikale? A do të thotë kjo pajtim? Për një çast, ashtu si Galileu, thash “prapëseprapë po rrotullohet” në kuptim që, ja, punët po lëvizin.

Por, të nesërmen një sërë reagimesh dhe distancimesh. Së pari Shtatmadhoria u distancua nga Armata. Një gjë jonormale! Them, si mundet që një Shtatmadhori, e cili udhëheq me atë Armatë, të distancohet nga Armata e vet. Por kjo nuk është e tëra. Kështu edhe vazhdoi. Ministria e mbrojtjes u distancua nga Shtatmadhoria, Qeveria nga Ministria e mbrojtjes, ndërsa VMRO-ja nga BDI-ja. Që të jetë komedia e plotë, presim që BDI-ja të distancohet nga Besimi, Besimi nga Musa Xhaferi, ndërsa Musa nga vetvetja. Vetëm edhe kryetari Ivanov të distancohet nga funksioni i tij dhe fotografia do të jetë e plotë! Shtet Monti Pajton! 

Kur kështu do të distancoheshin dhe do të hiqnin dorë nga profitimi personal, nga tenderët dhe bizneset ku do të na ishte fundi. Çfarë Zvicre, çfarë Suedi e Finlande. Do të ishim një lloj endemik! Por, nuk është kështu!

Tregimi nuk është edhe aq i thjeshtë. Gënjehemi në qoftë se mendojmë se nuk janë marrë vesh partnerët e koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI, në stilin, ju bëni çfarë të doni, nëse kalon, kalon, nëse nuk kalon ne do të reagojmë, çdokush do të distancohet nga çdonjëri dhe vazhdojmë më tutje. Ashtu si edhe deri më tani, njëri bëhet patriot te të vetët, kurse tjetri te njerëzit e tij. Në fakt, nuk është as me rëndësi nëse ka pasur marrëveshje apo jo. Me rëndësi është që e tërë puna doli fals! 

Djemat u munduan ta luajnë shfaqjen në stilin e pajtimit “francezo-gjerman”, por në mënyrë shumë amatore. Madje edhe shfaqja amatore të cilën na e shërbyen në publik do të ishte në rregull në qoftë se e kishin kryer tërë procesin në mënyrë të ndershme dhe të sinqertë, pa truke të lira. Kështu doli se ngjarja nuk ka qenë as shtetërore, as qeveritare, as që ARM-ja në të vërtetë ka marrë pjesë në të, por se ka qenë partiak, ndërsa luftëtarët e ARM-së kanë qenë të “kontrabanduar” dhe të “huazuar” për një eveniment partiak. Një situatë tërësisht skizofrenike! 

Mundej të ishte ndryshe! Por, në vend se të kemi përfitim nga kjo, bënë dëm më të madh. Jo dëm për ta, por për popullin, edhe shqiptarët edhe maqedonasit përsëri u manipuluan dhe vetëm e përforcuan mosbesimin, ndërsa duhej të jetë anasjelltas, ta përforcojnë besimin! Dhe viktimat e 2001-shës, edhe nga njëra e edhe nga ana tjetër, për nuk e di të satën herë, përsëri u bënë viktima të intrigave dhe manipulimeve politike.

Zotërinj, në qoftë se me të vërtetë dëshironi të pajtoheni, bëjeni atë ashtu siç duhet, qasuni procesit në mënyrë të sinqertë dhe të ndershme. Procesi i pajtimit francezo-gjerman zgjati gjithsej 13 vite, nga viti 1950 deri në vitin 1963 kur Kryetari i Francës De Gol dhe Kancelari gjerman Adenauer e nënshkruan marrëveshjen për pajtimin francezo-gjerman. Për ato 13 vite, zotërinj, francezët dhe gjermanët  punuan në mënyrë të sinqertë në atë proces edhe si shtete edhe si shoqëri, dhe besuan në atë që e bënë, duke përdorur forma të ndryshme të bashkëpunimit, në nivele të ndryshme.

Ndërsa ju, përveçse bashkëpunoni në ndarjen e pushtetit dhe fitimit, me asgjë tjetër nuk kontribuuat që ai pajtim të jetë i vërtetë. Ai pajtim ndonjëherë duhet të ndodhë, por jo me Ju dhe jo në këtë mënyrë.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button