Gëzonju, gëzonju o krushq o… Se do të merrni nusen o!

Në një ditë gushti përvëlues, midis rrugës së kombit, anash ujëvarave të thara, zëri i të madhes Vaqe Zela më kumbonte veshin dhe zemrën. Madje edhe një morri krushqish me flamuj kombëtar si për rastësi kontribuonin në peizazhin para syve dhe kokës time. Dhe kështu, pos vijës melodike të këngës, tek unë nis një proces i tërë duke dashur të zbërthej filozofinë e këngës – një zbavitje e mirëseardhur mentale në pritje 5 kilometërshe para kufirit shqiptaro-shqiptar. 

Në kulturën tonë, martesa dhe dasma rëndom janë sinonim i njëra-tjetrës. Deri në momentin e vendimit për të zyrtarizuar lidhjen, gjithçka shkon vaj, ndërkaq më pas, tradita dikton dhe vendos gjithçka. A do të thotë pra kjo që ku ka traditë ka shumë pak vend ose fare hiq për romantikën?

Në youtube na mahnisin propozime martesore nga më kreativet. Ndërkaq te ne, të tilla deklarime dashurie ndodhin shumë pak. Madje u fascinova para disa muajve kur rastësisht në një portal lajmesh, si kuriozitet kishin paraqitur një incizim të propozim-martesës së një djali prishtinas drejtuar vajzës që e dashuronte. 

Çiftet shqiptare kryesisht, vendimin për martesë e marrin po në mënyrë unanime, por jo për shkak të uljes në gjunjë të dhëndrit ose ndonjë befasie marramendëse të nuses. Vendimet e tilla merren para shkuarjes në pushim, ndonjë udhëtimi të përbashkët ose kur një çift ka kohë që është i  lidhur dhe lidhja do zyrtarizuar- e shumë rrallë për shkak se çifti nuk duron dot të jetojë ndaras dhe se me padurim pret të gjitha mëngjeset e jetës t’i gdhijë pranë njëri-tjetrit. 

“A martohemi se boll ishte? K’shtu s’po shkon”- fraza këto shumë të zakonshme për zyrtarizimin e një lidhjeje. Dhe posa të merret vendimi dhe njoftohen familjarët, atëherë fillon planifikimi i dasmës. E këtu tani fillon kokëdhembja përnjëmend, ku çifti zakonisht gjendet para aktit të kryer, se tradita e do kështu! Dhe në natën e dasmës, ndodh që edhe nusja edhe dhëndri të tmerruar të presin agimin e diellit në mëngjesin e dasmës, të pushtuar nga ankthi dhe frika, se në fakt planifikimi kishte nxjerrë më të keqen e të dyja familjeve. Dhe përnjëherë edhe ajo pak romantikë urbane nga “A do/dua të bëhem gruaja jote”, thërrmohet në “Duhet ta bëjmë këtë dhe s’duhet ta bëjmë atë”. Lokacioni përzgjidhet më i madhi për shkak të numrit astronomik të të ftuarve, në natën e dasmës do të kuptosh për kushërinjtë që as që e ke ditur se ekzistojnë! Listat më pas vërshojnë me numrin më të vogël të mysafirëve të çiftit, ku duhet bërë kompromis për vendet edhe për mikun e mikut të mikut, se s’bën. Po pastaj muzika, një dush tjetër i ftohtë, se duhet praktikisht të lusësh artistët për aranzhim të datave dhe pas marrëveshjes duhet të vjedhësh bankën për të bërë pagesën. Rëndom, artistët e mëdhenj më pas ruajnë zërin se dasmat janë gjatë tërë verës dhe tezgat duhet shfrytëzuar mirë. E pastaj, konfliktet lindin për zakonet dhe traditën.

Dasma bëhet nga dhëndëri dhe familja e tij. Nusja është dekor dhe të ftuarit e saj kanë numrin e caktuar. Ne marrim nuse, ne bëjmë festë, ne gëzojmë, ndërkaq ju jepni nuse, jeni më të mangët dhe duhet vajtuar se e bija doli nga dera e babait. Ani që kohët e fundit, çifti mund edhe të ketë jetuar bashkë, ose veç më ka planifikuar jetesën e vetme, jashtë kulmit të prindërve. Nëse nevojitet çifti për martesë, atëherë pse dasma bëhet individuale? Pse jo dita më e lumtur e jetës për të dyja palët, të mos festohet bashkë, me të ftuar të përbashkët, ku të gjithë do të ndjeheshin mirë? Pse duhet ose s’duhet?

E dua traditën dhe e konsideroj margaritar të kulturës tonë të gjithmbarshme, ama edhe kjo puna me krushq, disi akoma më intrigon. Kur tradita dridhet e përdridhet, për qejfe të muhabetit të grave në ndeja të debalancuara gjinore, atëherë kam një problem shumë të madh. Nëse respektohet tradita, atëherë një çift që prej kohës bashkëjeton ose që nuk ka lënë skutë të Evropës pa e vizituar bashkë, e ku traditën e merr kullimi i dushit të dhomës dyshe dhe jo njëshe, atëherë ku është logjika e vajtjes me krushq ose kërkimit të dorës nga këshilli mashkullor i familjes? Dhe a nuk po minimizohet kështu pozita e gruas në këtë rast, që vendimi jetësor për vajzën t’i lihet tërësisht këtij këshilli dhe jo vajzës? Çfarë porosie po i japim kështu bijave, motrave dhe shoqeve tona akoma të pamartuara? Që një simbolikë dhe ceremoni e tillë ka fuqinë ligjore ta mbrojë gruan nga valët e mëtutjeshme të martesës? Një naivitet pa krahasim, për mendimin tim.

Do të thotë, logjika duhet kërkuar edhe në traditë edhe gjithkund. Sot, njerëzit kanë punë, orare dhe obligime ndaj punëdhënësit. Manifestimet e tepruara inspirim për kafe-llafe të tej zgjatura marrin shumë nga një ditë e vlefshme si dhe një pjesë të konsiderueshme të buxhetit mujor, sepse po nuk u stolise sipas modës së fundit, po si krehe flokët në një mënyrë të caktuar, dhe po si bëre thonjtë krejt akril, nuk kalon dot hyrjen për në “tepihun e kuq” të kuluareve të grave. Se mysafirët komentohen më shumë se vetë nusja e dhëndri. Edhe po u komentuan, prapë fustani nuk i shkonte, grimi ishte për askund e kostumi i dhëndrit nuk përshtatej.

Ndarja e koncepteve dasmë, martesë dhe traditë duhet bërë medoemos, për të na shpëtuar nga shurdhësia e ngjashme me muzikën çarramane të dasmave. Nusja dhe dhëndri duhet mbështetur për të realizuar ditën më të lumtur të jetës së tyre. Të paktën unë kujtoj ashtu. Dasma nuk do të thotë martesë. Kjo edhe më tepër argumentohet kur te ne është bërë tashmë praktikë çiftet të bëjnë festimin zyrtar të kurorëzimit një vit ose një fëmijë më pas! Dasma nuk është garancë për një jetë martesore- familjet zihen e përzihen për ceremonitë, por në paraqitjen e gungave të para të martesës, të gjithë kalojnë në heshtje, sërish nga marrja e turpi.

Nejse… I dua dasmat dhe sa herë pranoj ftesë, lumturohem. E dua faktin që po festohet një fillim i mbarë, një dashuri e pakufishme, një përzgjedhje e mençur, dhe një oxhak i ri që do të tymtojë, në përputhje me traditën tonë. Më pas, komentoj dizajnin e ftesës, gjej gabimet drejtshkrimore, dhe në fund lëshojë një uffff të zgjatur, si një lehtësim se këtë punë tashmë e kisha përfunduar, gati gati ashtu si kisha dashur unë dhe dhëndri! 

Edhe pse me gjasë ishim bërë gaz i botës atëbotë… ama para fotografive buzëqeshim të dy ëmbëlsisht- me besimin dhe shpresën të kemi krijuar një traditë të re për bijën dhe të birin tonë. 

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button