Nevoja për federalizëm në Maqedoni: a do ti lehtësonte tensionet ndëretnike?

Qytetarët e Republikës së Maqedonisë vazhdimisht janë të rrezikuar nga paqëndrueshmëria e këtij shtetit që ndikon në ardhmërinë tonë. Qeveria e Maqedonisë ka dështuar disa herë ti mbroj qytetarët e saj nga dhuna dhe tensionet ndër-etnike në mes Maqedonasve dhe Shqiptarëve.  Maqedonia ka nevojë më shumë se kurrë për një strategji të re e cila do të sjellë tolerancë dhe moderni në këtë shtet. Për të zbatuar një strategji të re, do të duhet një qasje e re dhe më e sofistikuar mes qeverisë së Maqedonisë dhe aktorëve të tjerë, sidomos ato ndërkombëtarë, dhe shpëtimi i vetëm është pa dyshim Bashkimi Evropian. Është pikërisht Bashkimi Evropian ai i cili u themelua në bazë të vlerave njerëzore, duke i dhënë një përkushtim të veçantë të drejtave të etniteteve të ndryshme. Por kur flasim për tensione etnike në Maqedoni, pyetja që parashtrohet është: Sa kapacitet ka Maqedonia ti zgjedh problemet ndër-etnike që po zgjasin me vite? Duke parë të kaluarën dhe të tashmen, përgjigja është: shumë pak!

A mund të tejkalohen tensionet ndër-etnike në Maqedoni?

Përpara së të analizojmë situatën problematike të etniteteve në Maqedoni, përshkrime nga kompleksiteti etnik mund të gjenden në mes shpjegimeve të autorëve dhe politikanëve të mëdhenj që janë munduar ti definojnë problemet në mes etniteteve të ndryshme.

“Nacionalizmi etnik, që perceptohet si një rrjedhojë njerëzore ku të gjithë popujt kërkojnë të kenë shtetin e tyre- do të vazhdoj të ekzistoj në botë edhe në shekullin njëzet e një— dhe kur shteti dhe grupet etnike nuk përputhen në një mendim, politika bëhet gjithmonë e ashpër”  thotë Jerry Muller në artikullin e tij të famshëm “Ne dhe Ata”, në Zhurnalin e Politikës së Jashtme. Muller i referohet paqes dhe stabilitetit ne Evropë në ditët e sotme, falë “projektit etno-nacionalist” i cili ekziston vetëm për shkak se gati për afro një gjysmë shekulli ka pas ndarje të dhunshme në mes njerëzish, ri-organizimi të kufijve, dhe shkatërrim të komuniteteve të dobëta që nuk kanë fuqi ti kërkojnë territoret që ju përkasin. Sipas Muller këto janë arsyet pse Evropa është në paqe. Në vende tjera, përputhja mes shteteve dhe kombeve të ndryshme, është më pak e pastër, dhe këtu duket se Muller bie dakord me Ëinston Chruchill i cili thotë se “përzierja e popujve (do të) shkaktoj trazira të pafundshëm në botë”. Ai sugjeron ndarjen e shteteve sipas kombeve, si zgjedhje më e mire për këto problem.

Por në rastin e Maqedonisë, a kanë të drejt Churchill dhe Muller?

Në fund të Luftës së Ftohtë, me triumfimin e demokracisë kundrejt komunizmit dhe integrimi i suksesshëm të blloqeve regjionale ekonomike si BE, sytë u kthyen drejt Jugosllavisë së dhunshme e cila ishte në zemër të Evropës.

Që nga pavarësimi i Maqedonisë në vitin 1991 nga Jugosllavia e deri më tani, tensionet etnike në Maqedoni çdoherë kanë qenë afër eksplodimit, pasi që çdo herë diçka ndodh mes Maqedonasve dhe Shqiptarëve. Një rikujtim, në vitin 2001, tensionet etnike shkuan aq larg sa një konflikti i armatosur kërkoi zgjedhjen e problemeve të Shqiptarëve në Maqedoni. Gjithsesi, sipas të gjitha rrjedhojave gjatë këtyre viteve ,ende mbetet enigmë se pse në fakt ndodhi ky konflikt ku njerëz të pafajshëm (qoftë shqiptarë apo maqedonas)  humbën jetën, pasi që rezultatet nga konflikti nuk dolën aspak ashtu siç pritej: jetë më të mirë për Shqiptarët dhe ulje të tensioneve ndër-etnike. Marrëveshja e Ohrit u përpilua që të ruaj dhe zhvilloj integritetin e vendit. Afati i implementimi të kësaj marrëveshje ishte në vitin 2004. Sot, në vitin 2014, kjo marrëveshje akoma nuk është zbatuar siç pritej dhe siç duhej.

Kohët e fundit, tensionet etnike në Maqedoni kanë marrë trajta të reja. Incidenti i fundit etnik ndodhi disa muaj më parë kur një polic Maqedonas qëlloi për vdekje dy të rinj shqiptarë në qytetin e Gostivarit. Ky incident pati një domino efekt ku më pas, një varg tjera incidentesh pësuan mes Shqiptarëve dhe Maqedonasve.

 

Si do ta ndihmoj Federalizmi Maqedoninë? Kush shtet mund të merret për shembull?

Sistemi i federalizmit në Bosnja dhe Hercegovinë mund të ishte parë si presion nga bashkësia ndërkombëtare, por dihej mirë që federalizmi ishte mënyra më e mire që ky vend të ri-konstruktohet nga lufta dhe gjenocidi nga ndarja e ish-Jugosllavisë.  Normal që ekzistojnë raste si Rusia, e cila adaptoi federalizmin që të marrë atë çka kishte ngelur nga Bashkimi Sovjetik. Më pas janë vendet si Somalia, Afrika e Jugut, Etiopia të cilët kanë adoptuar federalizmin etnik pas mbarimit të regjimit diktatorial në 1991. Irak dhe Afganistani  janë shembuj tjetër, ku Amerikanët me forcat ndërkombëtare mundohen ti ndërtojnë këto shtetet si federata etnike që  nga viti 2003. Shembujt janë të shumta, por në këtë rast, Kanadaja do të ishte një shembull shumë i mirë për Maqedoninë.

A duhet Maqedonia të marrë eksperienca nga Kanadaja Federative ?

Federalizmi më mirë ju përshtatet shteteve multi-etnike dhe multi-gjuhësore. Shembuj më të mirë të këtij lloji  janë India, Kanadaja, Zvicra, të cilët kanë pasur sistem federative për një kohë të gjatë. Më pas janë dhe vendet dy-etnike  si Belgjika dhe disa gjuhësore si Afrika e Jugut. Federalizmi është përdorur si mënyrë qeverisje që ti ulë rrezikun e përqendrimit e një fuqie të vetme brenda një vendi. Dihet që Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara janë inspiruar nga këto konsiderata.

Federalizmi mund të kombinohet me sisteme të ndryshme parlamentare, rregulla elektorale dhe qasje për ndarje të pushtetit. Alexis de Toqueville kishte plotësisht të drejt kur shkroi në shekullin e kaluar që  “sistemi federal u krijua me qëllimin të kombinoj avantazhet të cilat rezultuan nga masa e vogël e kombeve në një shtet”

Kanadaja është vend i tret me sistemin federative me të vjetër në botë deri më tani. Ajo ka dëshmuar që federalizmi ishte i vetmi sistem që mundësoi zhvillim e Kanadasë me një identitet të posaçëm. Kanadaja arriti ti përmbush synimet e saja sociale dhe pasuroi kulturën e saj duke zhvilluar një tolerancë të madhe me një shkallë të lartë solidariteti për etnitete të ndryshme që jetonin dhe vepronin në këtë shtet.

Në Kanada, Britania e Madhe u mundua ti asimiloj Francezët, dhe ato dështuan në këtë. Pastaj të dy komunitetet u desh të mësojnë se si ta pranojnë njëra tjetrin, ta respektojnë dhe ndihmojnë. Si pasoj e kësaj, këto dy komunitete në Kanada e kanë më të lehtë të pranojnë qytetarë të tjerë që vinë nga vende tjera për të jetuar në Kanada. Kjo shpjegon se pse sot ky vend multi-etnik, në studime komperative, është çdo herë në majë të tolerancës, me diversitete të racave dhe imigrimit. Maqedonia duhet ndjekur këtë model.

Nevoja për strategji dhe bashkëpunim regjional në Maqedoni është i domosdoshëm. Në nivelin ideologjik, grupet nacionaliste nuk besojnë në vlerat e demokracisë, multikulturës dhe tolerancës religjioze. Duhet bërë më shumë që të mbështeten kornizat institucionale në nivel regjional në Maqedoni që të jemi në gjendje ti promovojmë këto vlera demokratike.

Gjithsesi, Maqedonia njihet si vend që di ti zgjas shumë problemet e saja përpara se të mundohet ti zgjedh ato. Ato që i vuajnë më shumë pasojat janë normalisht qytetarët e thjeshtë. Zgjedhja qëndron në vullnetin e politikës elite. Një përkushtim më i madh e qeverisë së Maqedonisë duhet të krijohet. Ka një nevojë të ndërtohen ura komunikimi, të arrihet qeverisje efektive dhe të ndërtohet një bashkëpunim akoma më i thellë me bashkësinë ndërkombëtare.

Për rezultate më të mira, vetëdija publike, shoqata civile dhe sektorët privat duhen të angazhohen. Vetëm atëherë, me kyçjen e çdo qytetari të Maqedonisë, pa marrë parasysh kombësinë, shteti ynë do të jetë në gjendje të korrë sukses për ti eliminuar përçarjet etnike dhe më pas të filloj ti zgjedh tjerat problem që kemi përballë. Sa mirë do të ishte apo jo?

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button