Kosovë,VV në koordinim me LDK-në e AAK-në për ta rrëzuar Qeverinë

Lëvizja “Vetëvendosje!” është duke pritur përgjigje në shkresën që ua ka dërguar tri javë më parë krerëve të dy subjekteve të tjera opozitare, LDK-së e AAK-së, për një takim ku do të koordinoheshin veprimet për të kundërshtuar dialogun politik të paralajmëruar me Serbinë, si dhe privatizimin e disa ndërmarrjeve publike. Koordinimi i veprimeve do të nënkuptonte aktivitete për ta rrëzuar Qeverinë.

Visar Ymeri, shef i Grupit parlamentar të “Vetëvendosjes!”, në një intervistë për “Kohën Ditore”, ka shprehur pritjet për reflektim të këtyre subjekteve. Nëse takimi nuk ndodh, sipas tij, për çdo ditë e më shumë do të jetë më vështirë të ketë një bashkërendim të tillë, edhe për shkak të kohës, por edhe për shkak të një dinamike të punës institucionale që është paralajmëruar të ndodhë, duke filluar nga shtatori.

Ftesa nënkupton koordinim veprimesh brenda institucionit të Kuvendit, sikur bojkoti, apo edhe ngritja e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë. Tek u është referuar deputetëve të LDK-së dhe AAK-së, por edhe disa deputetëve të subjekteve politike në pushtet që kundërshtojnë disa politika të Qeverisë, Ymeri ka thënë të jetë shumë e dëmshme që në njërën anë ta pranojnë publikisht që qeveria po e dëmton Kosovën, ndërkohë që vota do të jetë në kundërshtim me rrëzimin e asaj qeverie.

Në këtë intervistë, shefi i Grupit parlamentar të “Vetëvendosjes!” ka folur edhe për ndryshimet kushtetuese. Ka paralajmëruar mungesën e votës për amendamentet që ndërlidhen me zgjedhjen e presidentit dhe me kompetencat e tij, e po ashtu edhe kundër disa amendamenteve që i referohen fundit të mbikëqyrjes ndërkombëtare. Deputetët e këtij subjekti opozitar do të votojnë kundër edhe vazhdimit të mandatit të EULEX-it në Kosovë./koha.net

Lajme të ngjashme

Back to top button