Herët për mjerim, vonë për lumturi

Mendova se a ka gjë më të vështirë se sa të shkruash fjalë gjakftohta, të përmbledhura dhe të qeta, në këto ditë të ngrohta. Gjithsesi, e para gjë që më ra ndër mend ishin njerëzit të cilët kryejnë punë të rënda fizike pikërisht gjatë këtyre ditëve. Pas tyre vijnë nikoqirët të cilët duhet që, për të kursyer ndonjë denarë, prej tani të blejnë drunj për tu ngrohur gjatë dimrit. Këta të fundit nuk e kanë aq rëndë, sa e kanë të papërshtatshme, që në këto kohë të nxehta të merren me diçka me të cilën më vonë do të nxehen! Po aq e papërshtatshme është edhe të shkruajturit e fjalëve të mëdha, por të përmbledhura gjatë muajve të verës në Maqedoni. Së pari për shkak se pikërisht në këto ditë, javë dhe muaj janë 2 dhe 13 gushti, e më pas edhe 8 shtatori. Të gjitha këto janë festa dhe data të rëndësishme, të cilat pothuajse çdo vit na përkujtojnë në një të vërtetë të zymtë, të cilën, dikur dhe diku, e kam shkruar me titull: “Festat e ndara, në shtetin e përbashkët”.

Por, dilema e cila buron nga kjo papërshtatshmëri, nuk është e njëjtë si tek blerja e drunjve për t’u ngrohur pikërisht në muajt e ngrohta të gushtit: si të blesh diçka për t’u ngrohur kur bën aq shumë vapë, dhe si të mos blesh kur është më lirë. Por, kjo dilema është: të mos mbetet asnjë pa i lexuar fjalët gjakftohta gjatë ditëve të verës, për shkak të mungesës nga pushimi ose për shkak se ka shkuar në Greqi për t’i promovuar atje tabelat e reja të regjistrimit në një veturë të regjistruar taze! Pikërisht si shqiptarët e palexuar, të cilët do të duhej të prononcoheshin para një analisteje, e cila nuk ka lexuar asgjë në shqip prej tyre, e guxon të gjykojë. Kjo është pikërisht qasja e doganierit grek ndaj tabelave tona të reja të regjistrimit: reaksion dhe frikë për gjëra të mëdha dhe simbolikë, i dalë nga një logjikë e thjeshtë tifozerie. 

Përveç festave, ne kemi edhe telashe të tjera me të cilat duhet të merremi më shumë gjatë periudhës së ardhshme, edhe pse bën vapë. Më urgjentja prej tyre është sigurisht reagimi dhe rezistenca ndaj zullumit të pastër dhe haraçit të cilit po na bëhet, para së gjithash, në çmimet dhe faturat për rrymë, benzinë dhe ngrohje qendrore. Dua të mendoj se kësaj here na kanë vlerësuar më shumë, pasi kanë zgjedhur që këtë të na e bëjnë pikërisht gjatë ditëve të ngrohta. Kjo do të thotë se nuk na kanë konsideruar si aq budallenj, naivë e të heshtur dhe kështu kanë menduar se kanë nevojë për një efekt shtesë nga i nxehti, për të pasur sukses në një vjedhje të tillë. Ndoshta ata na njohin neve më mirë, dhe me të vërtetë jemi mbushur mendsh. Dhe prandaj, kësaj here, disi do të mundohemi të japim zgjidhje më ndryshe për ata njerëz të cilët paguhen nga ne, për të na mbrojtur, ndërsa ata, me ato vendime si rregullorja për pagesën e ngrohjes së ç’kyçur qendrore, e dëshmojnë të kundërtën.

Pikërisht të kundërtën nga ajo se; ata janë të paguar nga qytetarët, ndërsa kujdesen dhe u sjellin fitim të gjithëve, përpos qytetarëve. Prandaj, të mendohet për heqjen e tërësishme të këtij Komisioni rregullator dhe ato të holla nga buxheti të cilat janë të parapara për ta, le të vendosen tek të hollat të cilat, ja, ju munguakan firmave të ngrohtoreve! E edhe më shumë të holla ka AKE, ky institucion i çudirave. E ai, në vend se me të holla të mëdha të na mësojë se si të mos shpenzojmë në roaming, le të paguajë me ato të holla roaming për të gjithë parapaguesit të cilët do të jenë jashtë shtetit atë vit, në mënyrë të barabartë!

Aq na janë shtuar vjedhësit, haramat dhe hajdutët, sa që me ndërprerjen e tërësishme të organeve shtetërore dhe institucioneve të tilla, do të kontribuojmë në mënyrë efektive në zvogëlimin e dëmit të cilin ne qytetarët po e paguajmë. Përndryshe nuk do të ndalet kjo, derisa, sipas shifrave, nuk arrin në dy në një: domethënë dy vjedhës, në një qytetar të ndershëm!

Do të duhet të bëjmë diçka me qëllim që të dëshmojmë se kjo më është e padurueshme. Ajo diçka, së pari, ndoshta do kishte qenë ajo iniciativa qytetare për të mbajtur protesta, duke filluar nga e marta e ardhshme, 14 gusht, në të gjitha qytetet e Maqedonisë.Përndryshe, në qoftë se nuk ndërmarrim asgjë, harami do të bëhet i vetë-qëndrueshëm. Pas asaj, nuk do të mund të na ngushëllojë as ajo këngë kafenesh: Herët, herët është për mjerim, për lumturi, vonë është…!

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button