Shqiptarët e Zvicrës, mes etjes dhe euforisë patriotike!

Auto-gol, është goli i cili me apo pa dashje shënohet nga lojtari i ekipit amë, me ç’rast favorizon me epërsi ekipin kundërshtarë. Kur e them këtë, mu kujtua rasti i “fobisë së zviceranëve” për minaret muslimane! Në kohën kur muslimanët, përfshirë këtu edhe shqiptarët, blinin vende e objekte për të ndërtuar apo shndërruar në objekte të kultit, zviceranët me heshtje lejonin, ndërkaq kur muslimanët “euforik” në vendin e kishave dëshironin të ndërtojnë dhe minare, ata vendas “të urtë e të qetë” u rebeluan, dhe tashmë të papërshtatshme ishin edhe objektet e kulturës dhe të kultit “pa minare”! Pra, në këtë rast auto-goli shkon për shqiptarët apo muslimanët, të cilët me një hap të përshpejtuar ngritën çështje të cilat para këtij akti, ndoshta as nuk ishin shtruar!

Përkitazi me këtë rast, vërej se e gjithë vëmendja, veçmas – portaleve është fokusuar në plasimin e fotografive dhe videove të cilat vënë në pah “mobilizimin e përkrahjes” së tifozëve të kombëtares shqiptare që po luan sonte kundër Zvicrës, po në Zvicër.

Padyshim që secili prej nesh është i prirur të bëjë sa më shumë tifo për kombëtaren apo reprezentacionin të cilit i përket. Kjo ndodh, padyshim, njëjtë edhe me ne…Mirëpo, parimi i “kundër-efektit” duke e parë se në rastin e parë funksionoi, personave që u “djeg qumështi, i fryjnë edhe kosit”! Në këtë rast është dashur shumë mirë të matet, dobia dhe “zarari”!

Duke parë euforinë e shqiptarëve të veshur kuq e zi në qytetin e Lucernit, mendova për një çast cilat do të ishin ndjenjat e mia, nëse kombëtarja e një mërgimtari (emigranti) do të luante në vendin tim dhe aq zëshëm do të ishte po kundër vendit tim! Duke e lënë që këtë çështje, vetvetiu ta mendojmë secili prej nesh, pyes: “Cili do të ishte veprim im tashmë patriotik”

Patriotizëm nuk është të dalësh i veshur me flamurin kombëtar të provokosh popullin që të ka hapur dyert të fitosh kafshatën e gojës, por patriotizëm është që edhe kur lind në Zvicër t’ia vendosh fëmijës emrin shqiptar apo fetar, patriotizëm është të flasësh shqip atje ku jeton, patriotizëm është të punosh me nder në vendin që të ka pranuar si qytetar e jo të bësh “qindra dallavere” për të dal “invalid në pension”, patriotizëm është të ruash nderin familjar dhe martesat e të rinjve mos i bëjmë ndryshe veç me shqiptarë, patriotizëm është kur të vish në vendlindje me shokët e Zvicrës të flasësh shqip e jo frëngjisht apo gjermanisht dhe veturën në vendlindje t’a vozisësh si i ka hije e jo të çuditësh gjithë dynjanë!

Mos u mllefoseni nëse shqiptarët në reprezentacionin e Zvicrës japin gola, sepse kjo tregon se ende besnikëria është virtyt i yni! Ata fjalën dhe besën që e japin nuk e tradhtojnë!
Në një të ardhme të shpejtë ata që po luajnë dhe eventualisht na mundin, mund të luajnë në anën tjetër që Shqipërinë ta fitojnë! Në rast se ne humbim, nuk do themi më “ehhh” për këta lojtarë të spikatur, por do duhet të themi, cila është “formula” që në reprezentacionin tonë t’i marrim!

Ndaj, për fund akti i përkrahjes në këtë mënyrë i kombëtares shqiptare dhashtë Zoti të kishte qenë i sinqertë dhe shumë mirë i mendua, e jo sikurse në rastin e “minareve” të funksionojë parimi i kundër-efektit, ku në vend të dobisë – “dëm të bëjmë”, me ç’rast zviceranët për rregulla shumë minore, ata shqiptarë të cilët për nevojë kanë migruar, me pretekste shumë të ulëta edhe do kishin filluar në vendet prej nga vijnë për t’i dëbuar!

Merreni më shtruar, veçmas ju mërgimtarë të nderuar! Le të fitojnë më të mirët…

P.s. Shkrimi është i shkruar disa çaste përpara fillimit të ndeshjes! Suksese KOMBËTARES SHQIPTARE!

*Autori është magjistër i Psikologjisë

Lajme të ngjashme

Back to top button