Shqiptarët e bardhë

Në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë së paku 4 emra shqiptarësh përfundimisht kanë bërë bujë në mediat ndërkombëtare. Por, jo si zakonisht deri më tash, nëpër faqet e kronikave të zeza dhe të vuajtjeve njerëzore. Sukseset e tyre kulmore hapin një faqe të re, atë të “shqiptarëve të bardhë”, si reklama më e mirë e mundshme.

NDOSHTA NJË KOINCIDENCË, por për gëzimin e shqiptarëve nga të katër anët e globit, duket se është pritur përvjetori i 100-të i Pavarësisë së Shqipërisë. Shqiptarët përfundimisht gjatë këtij viti në masë të madhe kanë qenë në lajmet kryesore – për suksese.E kemi konstatuar deri tash me dëshpërim se shumica e lajmeve që kanë depërtuar në kryetituj të mediave të mëdha botërore kanë pasur të bëjnë me problemet e shqiptarëve në Kosovë, në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi e gjetiu. Shpesh këto lajme kanë pasur të bëjnë me konfliktet ose transicionet e mëdha të shqiptarëve në rajon, ose me problemet e shqiptarëve nëpër botë kur ata kanë rënë ndesh me ligjet e atyre vendeve.

Për këtë arsye lajmet ku janë përmendur shqiptarët shpesh kanë zënë vend në kronikat e zeza. Dhe personazhet e tyre kanë qenë – të zeza. 

Ky trend është thyer më në fund. Është thyer fuqishëm sivjet dhe me së paku katër suksese kulmore. Duke dhënë sinjale të bukura se pas 100 vjetësh shqiptarët po zbardhen. Po zbardhen edhe për median ndërkombëtare.

RITA (SAHATÇIU) ORA. Jo me një, jo me dy, por me gjithsej tri këngët e saj të para, 21-vjeçarja Rita ia ka dalë të hyjë direkt e në vendin e parë të top-listës më të rëndësishme të këngëve në botë, atë të Mbretërisë së Bashkuar. 

Ajo është thjesht sensacioni më i madh i këtij viti në vendin e njohur për traditën muzikore, duke arritur het-trick debutues, që deri më tash është arritur sigurisht nga më pak këngëtarë sesa gishtërinjtë e duarve. 

Thuaja në secilën përmendje në mediat botërore nënvizohet se Rita është “e lindur në Kosovë dhe e rritur në Londër”, një imazh i fuqishëm për shtetin e ri, gjithsesi me shumë më tepër ndikim se çfarëdo fushate reklamuese alla-KosovoYoung.

Po ashtu rrëfimi i saj, të cilin Rita nuk ngurron ta përsërisë, është edhe rrëfimi i rreth gjysmë milioni shqiptarësh nga Kosova që janë detyruar ta lëshonin vendin e tyre gjatë viteve ’90. Ky fakt i jep rëndësi të veçantë për shqiptarët suksesit të Ritës, pasi që tingëllon si një dramë e drejtpërdrejtë familjare nga një vend që bota ka parë veçmas mjerim, por tash me happy end.

Nuk ka sot një media të vetme që nuk sjell lajme për çdo gjë që ka të bëjë me jetën e Ritës, e cila bën karrierë nën patronazhin e magulit medial amerikan, Jay-Z.

Duke qenë se ka arritur që në fillim të karrierës gjithçka që ka mundur të arrinte në gadishullin britanik, Rita këtë javë ka publikuar edhe albumin e saj të parë titulluar “Ora”, i cili vetëm tri ditë pas publikimit ka arritur në pozitën numër një, si më i shituri në toplistat digjitale në Mbretërinë e Bashkuar.

Në horizont ka edhe depërtimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku një ndihmë të madhe po i jep edhe revista prestigjioze muzikore “Rolling Stone”. Aty Rita ia ka dalë të fitonte votat e adhuruesve në konkursin “Women Who Rock”, duke qenë tash njëra nga dy konkurrentet finale për të buzëqeshur nga ballina e kësaj reviste nën titullin “Fytyra e ardhshme e muzikës”. 

Mirëpo, në qoftë se edhe vetëm me këto suksese ndalet, Rita do të jetë këngëtarja më e suksesshme në Britani që ka lindur në territorin e shteteve që kanë dalë nga ajo që dikur u quajt Jugosllavi.

RENÉ REXHEPI. Me disa tituj të kuzhinierit dhe restorantit më të mirë në botë, René këtë vit ka arritur majën. Revista më e njohur dhe me ndikimin më të madh në rruzull, “Time”, e ka futur Renénë në listën e 100 njerëzve më me ndikim në botë, në mesin e burrështetasve, biznesmenëve, artistëve e sportistëve më të mëdhenj të aktualitetit. 

Vetëm disa javë më vonë, “Time” sërish i është rikthyer kuzhinierit tashmë të famshëm, kur më 26 prill e ka vënë në krejt ballinën fotografinë e tij veshur me çizme peshkatarësh e të përkulur mbi barishte, duke e quajtur hero dhe revolucionar. 

Meritat më të mëdha që i atribuohen Renésë është puna e tij në rizbulimin dhe rafinimin e asaj që është quajtur “Kuzhina e re nordike” dhe ushqimi i karakterizuar nga kombinimet e guximshme dhe shijet e holluara.

Suksesin e mrekullisë së tij gatuese në restorantin në Kopenhagë “Noma” më së miri e ka përshkuar vetë nëpërmjet llogarisë së tij në Twitter: “1204 persona në listë të pritjes për sonte. Në ditën e njëjtë më 2008 kanë qenë vetëm 14 mysafirë gjithë ditën. #fuckingfairytale”.

Dhe si të mos pajtohemi që vërtet jeta e tij i përngjan një përralle. René ka lindur më 1987 në kryeqytetin e Danimarkës, nga nëna daneze e babai shqiptar, dhe me familje ishte kthyer për të jetuar bashkë me farefisin e babait në Maqedoni. Me fillimin e konflikteve në ish-Jugosllavi, René i vogël rikthehet në Kopenhagë, kur për shkak se një shok i ngushtë i ishte regjistruar në shkollën e kulinarisë, pa ndonjë përcaktim të qartë për profesionin, kishte vendosur t’i bashkohej në aventurë. Dhe nga këtu ka filluar me vendosmëri të ngjisë shkallët drejt shkëlqesisë së “profesionit më humanitar në botë” – përgatitjen e ushqimit për njerëzit. Njerëzit tash po ia kthejnë me të mirë duke e bërë shqiptarin e parë në maje të kulinarisë botërore.  

XHERDAN SHAQIRI. Xherdani në fillim të shkurtit u bë futbollisti më i paguar ndonjëherë shqiptar, me nënshkrimin e kontratës prej mbi 10 milionë eurosh për klubin e famshëm të futbollit nga Gjermania, Bayerni i Minhenit. 

Ai është vetëm njëri nga gjenerata e re prej 6-7 futbollistëve shqiptarë që luan në kombëtaren e Zvicrës në futboll. 

Edhe Xherdani, ashtu si Rita e René, është nga familjet që janë detyruar që shkaku i situatës së pashpresë politike e ekonomike në Kosovë, në fillim të të ’90-ave, të emigrojnë. Prindërit e Xherdanit, lindur në Zhegër të Gjilanit më 1991, ishin detyruar të shkonin drejt Zvicrës për të siguruar mbijetesën. Djali i tyre, pasi që tregoi talentin në klubet e juniorëve SV Augst’s and FC Basel, shpejt arrin që të dëshmohet në përfaqësuesen e Zvicrës për moshat nën 21-vjeçare. Në 2010 fillon të luajë në ekipin e seniorëve, për të shënuar golin e parë në shtator të atij viti kundër Anglisë, në kualifikimet për Euro 2012. I shquar sidomos për shpejtësinë, ai bie në syrin e menaxherëve të spikatur të futbollit, për të zënë vendin këtë muaj në klubin e Bayernit të Minhenit, si më i paguari shqiptar.

Të tjerat tashmë do të jenë pjesë e historisë së sportit kosovar e shqiptar e ndoshta edhe evropian.

ISMAIL KADARE. Dhe mbërrijmë te grande Kadare, i katërti në këtë listë, por i pari që ka arritur tash e gjysmë shekulli të imponohet në qarqet letrare e intelektuale të botës. Shkrimtari më i shquar shqiptar dhe një ndër letrarët më të vlerësuar të gjallë sot në botë absolutisht nuk kërkon ndonjë prezantim këtu. Ka vite e vite që ka arritur të përkthehet në mbi 40 gjuhë botërore. Së fundi, më 2005 u bë edhe laureati i çmimit më të famshëm letrar britanik Man Booker, herën e parë që ai u dha edhe për shkrimtarë jobritanikë, kurse më 2009 Çmimi Princi i Asturias për Art në Spanjë.

Këtë vit zuri vend sërish te “shqiptarët e bardhë”, për shkak se mediat intensivisht po e përmendin si njërin nga pesë kandidatët e votuar si më seriozët për të fituar Çmimin Nobel për Letërsi, sipas bastores më të madhe në botë “Ladbrokes”, ndonëse ka mbi tri dekada që është i kandiduar.

Në qoftë se në mesin e shtatorit, kur edhe ndahet Nobeli për Letërsi, Kadare do ta fitojë atë, s’ka se si të mos pajtohemi se ai do të ishte edhe kapaku i këtij viti të suksesshëm për shqiptarët. E KAM PËRMENDUR edhe më herët, se rrëfimet jetësore të katër të të përmendurve këtu, në mesin e zhgënjimeve të mëdha që kanë përjetuar shqiptarët, do të duhej të na mbushnin me optimizëm. 

Mund të shihen si një ogur i mirë, pikërisht pasi që lidhen edhe me 100- vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe në kohën kur Kosova po i mbush 5 vjet.  Shembuj të mirë ilustrues e shpresëdhënës se ku do të mund të ishin shqiptarët, në qoftë se do të jetonin dhe do të edukoheshin në shtete normale e të zhvilluara.      

Marrë nga: Koha.net

Lajme të ngjashme

Back to top button