Reklama skandaloze e Estonisë që tërhoqi vëmendjen e mediave!

Teksa në Estoni ende nuk është heshtur zhurma rreth incidentit të mëparshëm mediatik, kur një kompani energjetike, “GasTerm”, i ka reklamuar shërbimet e saj të ngrohjes me gaz me fotografitë e hyrjes së kampit të përqendrimit Auschwitz, tani ka ndodhur një skandal tjetër edhe më morbid.

Këtë herë ditorja “Eesti Ekspress” ka shpallur reklamën për pilulat e dobësimit, që sugjeron se përdoruesit shpejtë do të kenë “trupa të vital e të dobët”, njëjtë si të burgosurit e uritur të kampit të përqendrimit në Buchenwald.

Fotografia tronditëse e njerëzve-skelet përcillet me sloganin morbid: “Një, dy, tre… pilulat për dobësim të doktor Mengelit do të bëjnë një mrekulli për ju”. Ndërsa, në fund të fotografisë qëndron porosia: “Në Buchenwald nuk kishte njerëz trashaluqë”.Ekspertët estonezë të marketingut kanë menduar se mund të tërheqin klientët me motivet e kampit të përqendrimit Buchenwald dhe të doktorit famëkeq Mengele, i cili për eksperimentet monstruoze në njerëz është quajtur ndryshe si “Engjëlli i vdekjes”. Ashiqare, reklama doli të jetë qesharake vetëm për ata, sepse kjo ka shkaktuar zemërim të madh tek opinioni publik.

Nënkryetari i Talinit ishte i pari që ka reaguar: “Ju, redaktorët e çmuar të ‘Eesti Ekspressit’, a e dini ju se në Buchenwald janë torturuar mbi 56 mijë vetë? A e dini ju se Mengele ka bërë eksperimente të tmerrshme ndaj hebrenjve? Pos kësaj, që ta mësoni ju, këtë nuk e ka bërë në Buchenwald, por në Auschwitz. Ai personalisht i ka zgjedhur ata që kanë arritur dhe personalisht i ka dërguar 40 mijë vetë në dhomat e gazit. A është kjo kënaqësi për ju?”, pyeti i tronditur Mikhail Kolvart.

Kryetarja e Bashkësisë hebraike të Estonisë, Alla Yacobson, ka kritikuar njerëzit që janë të gatshëm të tallen me Holokaustin dhe ta përdorin atë për një “frazë të bukur marketingu.”

“Shakatë cinike rreth Holokaustit, të ilustruara me fotografinë e të burgosurve të kampit të përqendrimit, jo vetëm që tejkalojnë kufijtë e shije të mirë, por janë dëshmi e qartë se shoqëria jonë e ka një problem të madh me vlerat morale dhe etike”, i tha ajo gazetës “Posttimees”./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button