Gostivar, mosmarrëveshjet mes drejtorëve lënë në rrugë 30 arsimtarë

Një mosmarrëveshje e thjeshtë teknike mes dy drejtorëve të shkollave, duket se ka lënë në rrugë 30 profesorë të Gjimnazit të Gostivarit por edhe të atij të posa themeluar të fshatit Negotinë. Gjithçka ka filluar kur në fillim të kësaj jave, Gjimnazi i fshatit Negotinë është shkëputur edhe zyrtarisht nga Gjimnazi në Gostivar, pjesë e të cilit ka qenë me dekada të tëra. Pikërisht kjo ndarje institucionale, tani ka bërë që profesorët në fjalë, mos të dinë se ku të mbajnë mësimin, ngase Gjimnazi i Gostivarit i dërgon në Gjimnazin e Negotinës për të dhënë mësim ndërsa atje nuk i pranojnë.

“Çka ndodh edhe ne nuk e dimë çka  ndodh. Këtë vit shkollë në ditën e parë na ndodhi një befasi, nuk na mundësohet që të mbajmë proces të rregullt mësimorë . ka një vakum që na ka lënë një numër të madh të të punësuarve as në qiell e as në tokë. Atje shkojmë çdo ditë atje na thonë se gjimnazi I Negotinës është I pavarur”.

“Unë një ditë isha në shkollën e Negotinës atje, atje sqarojnë qartë se shkolla e Negotinës tanimë është subjekt në vete dhe patjetër të ketë marrëveshje mes shkollave se cilët kuadro duhet transferuar atje”
“Nëse unë si një personalitet me një orar të ngjeshur në drejtimin e sociologjisë që unë ligjëroj mbi 30 vjet zëvendësohem me një profesor joadekuat dhe pa përvojë pune unë dua të them se këtu diçka tjetër fshihet”.

Por teksa profesorët ankohen, drejtori i Gjimnazit të Gostivarit, thotë se nuk janë në dijeni se Gjimnazi i Negotinës, është ndarë ligjërisht nga shkolla qendrore. Prandaj thotë ai, profesorët që duhet të mbajnë orë mësimi edhe në Negotinë, i nënshtrohen orarit, i cili vlen për të dyja shkollat, pra siç i quan ai, edhe për të disperzuarat në fshat.

“Në nuk kemi asnjë informatë as nga Ministria e Arsimit as nga njësia rajonale e Ministrisë së Arsimit se ato paralele në fshatin Negotinë janë të pavarura , dhe derisa ne nuk kemi nga ministria asgjë ligjore të dërguar me shkrim që ajo shkollë është si subjekt I ri juridik ne patjetër të funksionojmë si një shkollë”, deklaroi Arben Ademi Drejtor i Gjimnazit të Gostivarit.

Mirëpo, pretendimet e drejtorit të Gjimnazit të Gostivarit, në mënyrë kategorike i hedh poshtë drejtori i Gjimnazit të Negotinës. Ai thotë se deri më tani disa herë kanë bërë përpjekje për të bërë marrëveshje, por se një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

“Për pjesëmarrje në orë mësimi ne nuk kemi qenë që të mos marrin pjesë por ne bazohemi gjithnjë në rregulloren që ka sjellë komisioni që ka dokumentacionin. Me drejtorin e Gostivarit jemi taku disa herë ku paradite merreshim vesh për ndarje pas dite sërish vinin profesorët më të moshuar të shkollës”, tha Rahim Kasami, U.D. Drejtor I Gjimnazit ‘Naser Ademi’ Negotinë.

Nga ana e tij, përgjegjësi për arsim në Komunën e Vrapçishtit ku edhe graviton fshatin Negotinë, thotë se vendimi megjithatë i është dërguar drejtorit të Gjimnazit të Gostivarit  nga ku edhe janë pajtuar që të bisedohet në nivel drejtorësh për ndarjen e përgjegjësisë.

“Ky vendim dhjetë ditë para fillimit të vitit shkollor I është dërguar drejtorit të gjimnazit në zyrën e tij dhe kemi punuar të tre me dyer të mbyllur. Në takim drejtori I Gostivarit u prononcua se do fillojnë të punojnë dy drejtorët dhe e lëshuam takimin bashkë me drejtorin duke besuar se do fillojnë bisedimet”, tha Neset Dauti, përgjegjës për arsim në Komunën e Vrapçishtit.

Por teksa, askush nuk jep zgjidhje për kapërcimin e kësaj krize, profesorët ankohen se kanë mbetur në rrugë. Nga Ministria e Arsimit deri më tani nuk kanë dhënë kurrfarë sqarimi se si do të mbyllin këtë çështje./Alsat-m

Lajme të ngjashme

Back to top button