(VIDEO)Alarmante! Rikthehet deponia e egër në Tetovë

Si duket qytetit të Tetovës nuk i shkon pa një deponi të egër. Situata është thuajse e njëjtë si edhe para tre viteve kur ky qytet ishte i rrezikuar nga sëmundjet e ndryshme nga sasia e madhe e hedhurinave e grumbulluar afër stacionit të autobusëve, gjegjësisht stacionit të përkohëshëm të tyre nga ku ngarkohen dhe dërgohen në deponinë Rusino.

Rritja e sasisë së hedhurinave gjatë verës si dhe kapaciteti i vogël i Ndërmarrjes Publike Komunale për të transportuar ato kanë bërë që sërish të vijë erë e keqe dhe të ringjallet problemi i deponisë i cili asokohe nxiti protesta të qyettarëve të Tetovës.

Sipas informacioneve jozyrtare në ditë në atë vend shkarkohen afër 8 kamionë me hedhurina që grumbullohen në territorin e komunës së Tetovës kurse transportohen vetëm nga dy kamionë për në Rusino. 

Nga Ndërmarrja Publike Komunale në Tetovë shkurtë kanë thënë se po transportojnë hedhurinat ndërsa nga komuna e Tetovës nuk kanë dhënë prononcim për këtë.

Mjeku Xhavit Fejzuli specialist i ekologjisë dhe higjienës në Entin  për mbrojtje shëndetësore thotë se dislokimi i stacionit të përkohshëm për ngarkim dhe shkarkim jashtë qytetit të Tetovës do të ishte zgjidhja më e mirë sepse në të kundërtën Tetova është e rrezikuar nga epidemi të ndryshme.

 “Gjatë grumbullimit të hedhurinave dhe mos transportit të tyre, por edhe nëse transportohen, ai vend bëhet çerdhe e insekteve të ndryshme, shpezëve të cilët më pas e përhapin ndonjë epidemi. Ai vend  është potencial për epidemi të ndryshme prandaj dislokimi i saj do të ishte zgjidhja më e mirë. Krijimi i një deponie të egër është e dëmshme për popullatën e këtij qyteti”, tha Fejzuli. 

Ai shton më tej se gjatë grumbullimit të mbeturinave të njëjtat duhet të selektohen ndërsa kujdes duhet të ketë që të ato mos digjen sepse pluhuri i tyre është i rrezikshëm.

Problemi me deponinë e përkohshme në Tetovë afër stacionit hekurudhor ekziston gati se një decenie, ende nuk ka zgjidhje të përhershme. Fillimisht ato barteshin në deponinë Drislla në Shkup, kurse pas problemit që shpërtheu në vitin 2010 me krijimin e deponisë së egër në Tetovë, u arrit pajtueshmëri që hedhurinat të transportohen në deponinë Rusino në Gostivar. /portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button