Osmani përgjigjet: Flamujt në Çair konform kushtetutës shqiptare

Zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani është përgjigjur akuzave të RDK-së për siç thanë denigrimin e flamurit kombëtar. Ai për Portalb tha se flamuri kombëtar i përdorur për këtë festë është konform kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

“Flamuri shqiptar është konform proporcioneve të caktuara me kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, 1.4 x 1.0, të nënshkruar atë kohë nga presidenti Mojsiu, ndërsa ai maqedonas është me proporcione 2 me 1” – thotë Osmani.

Ndryshe mbrëmë sekretariati ekonomik i BDI-së ka diskutuar për platformën ekonomike dhe ka shqyrtuar projektet e përfunduara dhe ato në zhvillim.

“Në mbledhjen e Sekretariatit të udhëhqeur nga Ministri i Ekonomisë, Valon Saraqini, u diskutuan të gjitha projektet që përfshihen në Programin zgjedhor, projektet që kanë përfunduar, projektet që janë duke u realizuar me mjetet nga buxheti i shtetit si dhe projektet që priten te fillojnë,  si:  Projekti “Sheshi skenderbeu”, Zona ekonomike në Tetovë, Hidrosistemi për ujitje në fushën e Pollogut, Ndërtimi i stacionit për filtrimin e ujit në Gostivar, ndërtimi i rrugës Kërcovë-Dibër, rikonstruimi dhe asfaltimi i disa rrugëve lokale dhe rajonale, ndërtimi dhe renovimi i shkollave fillore, ndërtimi i Shkollave të mesme në disa komuna shqiptare, rikonstruimi i Teatrit shqiptarë në Shkup,  ndërtimi i Urës në Saraj, si dhe shumë projekteve tjera” – thuhet në kumtesën e kësaj partie.

Nga BDI thonë se në bashkëpunim edhe me pushtetin lokal do të realizohen të gjitha projektet shqiptare të parapara në platformën qeveritare.

“Sekretariati ekonomik në këtë mbledhje vlerësoi të arriturat e deritanishme dhe njëkohësisht konkludoi se duhet të vazhdojë jetësimi i Platformës zgjedhore të partisë. Gjithashtu, Sekretariati ekonomik konkludoi se duhet vazhduar bashkëpunimi në mes pushtetit qendror dhe atij lokal me qëllim  të realizimit të gjitha projekteve” – thonë nga BDI./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button