Tetova do të modernizojë ndriçimin publik

Sot në seancën e 42-të të Këshillit të komunës së Tetovës u miratua propozim vendimi për zgjedhjen e ofertës më të volitshme për modernizimin e sistemit të ndriçimit publik përmes Partneritetit Publik Privat.

Udhëheqësi i Sektorit për komunikacion, rrugë dhe tokë ndërtimore, Krenar Ibrahimi, tha se ky projekt parasheh investime dhe mirëmbajtje të ndriçimit publik me çka do të rritet kualiteti i ndriçimit dhe do të kursehet energji elektrike. 

“Gjithë poçet ekzistuese të ndriçimit publik do të zëvendësohen me të reja të cilët janë më efikase dhe njëkohësisht do të përmirësohet ndriçimi publik në kufijtë administrativ të komunës së Tetovës” tha Ibrahimi

Gjithashtu në këtë mbledhje u miratua propozim-vendimi për nisjen e procedurës për marrjen e kontratës për krijimin e Partneritetit Publik Privat për dhënien e shërbimeve për parking si dhe u votua rregullorja për mënyrën dhe kushtet e parkimit. 

Sipas udhëheqësit të sektorit, Krenar Ibrahimit, kjo është faza fillestare me ç’rast këshilli duhet të jap pëlqim për fillimin e procedurës për Partneritet Privat Publik në shërbimin për parkim,së cilës i ka paraprirë një studim i fizibilitetit për këtë çështje. Me këtë projekt parashihet që të rritet efikasiteti i vendparkimeve nëpërmjet një menaxhimi më të mirë./portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button