KF Shkupi rikthehet në ligë të parë?

Anulim i vendimit dhe kthim të KF Shkupit (ish Slloga) në ligën e parë. Këtë e kërkuan sot kryetari i klubit nga Çairi, Rafet Muminoviç me ndihmën edhe nga BDI e cila thotë se është e përkushtuar të ndihmojë sportin shqiptar në Maqedoni.

Në një konferencë për shtyp ku morën pjesë kryetari i klubit, përfaqësuesi i partisë shqiptare në pushtet Artan Grubi, dhe përfaqësues të tifozëve u prezantua tentimi për të rikthyer klubin në elitën e futbollit maqedonas.

“Pasi që kemi zhvilluar disa takime të përbashkëta, kemi arritur pajtueshmëri që bashkërisht të intensifikojmë përpjekjet që Klubi Futbollistik Shkupi të tejkalojë masën e suspendimit nga garat dhe që në bashkëpunim edhe me federatën e futbollit të Maqedonisë, të bëhet çmos që Shkupi ti kthehet fushës së gjelbërt dhe tifozët ti kthehen tribunave. Morrëm premtimin edhe të Presidentit të klubit se KF Shkupi do t’iu rikthehet garave” – tha Artan Grubi.

Kryetari i klubit Rafet Muminoviq tha se kanë marrë premtime nga përfaqësues të Federatës, dhe se nëse arrihet dakord vendimi për sanksionim nga garat mund të anulohet për tre ditë, ashtu siç u dënua për një ditë.

“Ne patjetër sivjet do të vazhdojmë me gara dhe mendimi im është se duhet të kthehemi atje ku kemi qenë. Me tifozët tanë, Shvercerat dhe me ndihmën e kryetarit të komunës z. Izet Mexhiti besoj se klubi shumë shpejtë kthehet atje ku ka qenë. Padrejtësia që u bë kundër klubit ka bërë shumë dëm, por besoj se vendin që e kemi pas në futbollin vendor do të arrijmë shumë shpejt” – tha kryetari i klubit, Muminoviq.

Realisht për rikthimin e klubit në ligën e parë ekzistojnë pengesa reale ligjore dhe organizative. Klubi ka kohë një javë që të shndërrohet në shoqëri aksionarë që të fitojë të drejtën e garimit në ligën e parë. Edhe për brenda klubit organ i vetëm që funksionon është kryetari i klubit, i cili nuk pati përgjigje në pyetjen nëse dihen kush janë anëtarët e Kuvendit të klubit, dhe nëse është thirrur ndonjëherë ky kuvend pas vitit 1989.

Klubi nga Çairi kërkon zgjerimin e ligës së parë në 14 anëtarë. Ky klub nëse realizohen përpjekjet dhe garon në ligën e parë, do të garojë me emrin e ri, KF Shkupi./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button