Një vit populizëm Qeveritar,cilat janë projektet e dështuara?

-Investime, papunësi, varfëri, rritje ekonomike, kurs fiks të denarit – çka do të ndodh në mandatin e sivjetmë të Gruevskit dhe Ahmetit?

– Cilat janë projektet e suksesshme e cilat janë të dështuarat të kabinetit qeveritar?

Politikbërje dhe populizëm ditor, apo masa dhe hapa reale që dhanë efekte? Si vlerësohet puna e kabinetit të Qeverisë së Gruevskit dhe Ahmetit – një vit pas zgjedhjeve në vitin 2011. 
Opinion i ekspertëve është i ndarë – ndërsa një pjesë e tyre konsiderojnë se kriza ishte njëra nga sfidat kyçe por frenues për një hapërim më serioz ekonomik, për të tjerët – viti që shkoi ishte në shenjë të menaxhimit kozmetik të ekonomisë, me hapa të cilat shpiejnë drejt fitimit dhe ruajtjes së edhe një mandati. Portalb i pyeti ekonomistët dhe ekspertët se cilat janë projektet kyçe të kësaj Qeverie gjatë mandatit njëvjeçarë.

Qeveria nuk arriti t’i ndihmojë biznesit privat që me lehtë ta kalojë krizën në çastet kyçe kritike “në vend të ndihmës Qeveria hyri në rreth borxhesh me çka kontribuoi që të përkeqësohet kondicioni financiar i kompanive, konsideron deputeti Izet Zeqiri.

“Asgjë nuk është bërë, gjendja është përkeqësuar, 90 për qind e ndërmarrjeve janë me nga 10 të punësuar e vetëm 5 për qind e kompanive janë eksportuese, që tregon për strukturën e mëtejshme të keqe të ekonomisë. Sipas meje shteti të gjithëve u ka borxh më shumë se 300 milionë euro. Kompanitë kërkojnë para për likuiditet ditor e jo për investime”, thekson Zeqiri.

“Si dështimi më i madh i kësaj qeverie po edhe të atyre paraprake paraqet  mbajtja strikte, si një i verbër pas shkopit, ndaj kursit fiks të denarit. Për shkak të asaj se kemi denar shumë të vlerësuar, çdokush dëshiron të shes për denarë e me këtë drejtpërdrejt ndikohet negativisht mbi shkëmbimin tregtar ndërkombëtar në të cilin vendi ka deficit të madhe dhe që është në rritje të shpejtë.Si pasojë e kësaj politike ekonomia jonë ka prodhim të shtrenjtë dhe jo-konkurrent në tregjet e huaja” – konsideron Zoran Vitanov.

Sipas tij, pikërisht këto politika janë arsyet bazë pse Maqedonia në kontinuitet ka një nga shkallët më të larta të papunësisë. Nëse Qeveria edhe më tej vazhdon me politikë të kursit stabil të denarit, standardi i qytetarëve jo vetëm që nuk do të përmirësohet, por, varfëria në vend dalëngadalë do të vazhdojë të rritet, vlerëson Vitanov.

Ekonomisti Dejan Bllazhevski vlerëson gjatë këtij një viti pushtet, politikat aktuale ekonomike jo vetëm që nuk kanë përmirësuar pozitën e sektorit privat, por kanë sjell përkeqësime.

“Një vit pas zgjedhjes së kësaj Qeverie, ekonomia e Maqedonisë krijohej dhe punonte në shërbim të politikës ditore dhe populizmit. Politika ekonomike në këtë Qeveri nuk ishte e orientuar drejt shpëtimit të ekonomisë, por të gjitha mjetet ishin orientuar drejt asaj se si të realizohet edhe një mandat. Këtë vit të qeverisjes, në përgjithësi e shënuan parashikimet e këqija të ministrit Stavrevski, rritja e papunësisë, standardi më i keq jetësor i qytetarëve, rritja e borxhit publik, hyrja në recesion, shpenzimi joproduktiv si dhe shkatërrimi i sektorit privat”, vlerëson ekonomisti Dejan Bllazhevski nga PLD.

Si argument kyç për këtë qëndrim, Bllazhevski përmend kondicionin e likuiditetit në të cilën gjendet ekonomia. Ai thekson se çdo e gjashta ndërmarrje private në vend është me xhirollogari të bllokuar, në janar kanë qenë të regjistruara rreth 27.000 ndërmarrje me xhirollogari të bllokuara, ndërsa për vetëm pesë muaj numri i tyre është rritur për rreth 7.000 apo për 15 për qind. Bllazhevski thekson se problem i madh janë borxhet e shtetit ndaj sektorit privat, që plotësisht kanë përkeqësuar gjendjen”.

Sipas vlerësimeve, shteti i ka borxh sektorit privat më shumë se 200 milionë euro, që është shumë. Nga ana tjetër të dhënat e Ministrisë së Financave, tregojnë se vitin e kaluar në buxhet në bazë të gjobave dhe taksave, arka shtetërore është mbushur me 60.6 milionë euro”, konstaton analisti ekonomik.

Projekte të suksesshme dhe të dështuara?

Portalb i pyeti bashkëfolësit, se cilat projekte i konsiderojnë sit ë suksesshme e cilat të dështuara në vitin që e lamë pas.

Deputeti Izet Zeqiri si projekt të dështuar e konsideron projektin “Blej shtëpi, blej banesë”. “Sipas meje ky projekt nuk dha efekte reale, nuk ka të dhëna konkrete për atë sa ka qenë i suksshëm. Po ashtu konsideroj se nuk dihen as masat për mbështetjen e ekonomisë”, konstatoi Zeqiri.

Në raportin e sivjetmë, kryeministri Gruevski bëri të ditur se Qeveria ka realizuar 380 projekte të parapara me programin e VMRo-DPMNE-së. Madje 470 projekte kanë filluar dhe do të përfundojnë në kohë reale, deklaroi kryeministri Gruevski. Koncepti i raportit tashmë është bërë praktikë në mandatet e reja-të vjetra të kësaj garniture qeveritare, me numërimin e asaj që është bërë në emër të Qeverisë por në konto të partisë VMRO-DPMNE. 

“Lidhur me projektet e suksesshme, gjithçka paraqet investim në energjetikë, prodhim të ushqimit (që po ashtu është energji) si dhe mbështetja e ndërtimtarisë në vend, do t’i vlerësojë si projekte të suksesshme të kësaj Qeverie”, konsideron Zoran Vitanov.

Sipas Bllazhevskit, kredia e Bankës Evropiane për Zhvillim, që duhet t’i ndihmojë biznesit privat në kohë të krizës konsiderohet si një nga hapat më të suksesshme.

“Doemos duhet të potencojë se ka disa projekte që me të vërtetë i mbështes dhe për të cilat mendoj se ekziston arsyetim ekonomik për zbatimin e tyre. Për shembull, njëra nga pakotë e masave antikrizë për të cilën mendoj se është e duhur nga karakteri ekonomik dhe i cili do të jepte efekt të vërtetë, ndërsa masa e cila ka të bëjë me linjën e re kreditore prej 110 milionë euro për ndërmarrjet bujqësore. Por, duke marrë parasysh atë se të gjitha projektet e mira në të shumtën e rasteve paralajmërohen për disa vite më pas, ose siç tregoi praktika, një pjesë e madhe e tyre fare edhe nuk realizohen, nuk më mbetet asgjë përveç të vazhdoj ta zhvillojë skepticizmin, për fat të keq”, konsideron Bllazhevski. /portalb

Aneta Dodevska bashkëpunëtore e jashtme e Portalb 

Lajme të ngjashme

Back to top button