Si u ndërtua një komb në Shkup?

Në Maqedoni, me kalimin e kohës, religjioni infiltrohet çdoherë e më shumë në konfliktet ndëretnike. Me këtë, shteti bëhet sa më shumë politik, ndërsa politika sa më religjioze. Ndarjet në shoqëri po thellohen.

Andreas Ernst, Shkup

Këtu mbretëron Horor Vakui – frikë nga hapësirat e zbrazëta. Në qendrën e qytetit të Shkupit po ndërtohet edhe hapësira e fundit e lirë. Në oborrin idilik para shtëpisë së Armatës, ku njëherë nën hijet e drunjve rrinin pensionistë dhe nëna me karrocat e fëmijëve, djeg dielli pas barrierës së ndërtuar nga kallaji.

Aty, siç tregon një tabelë, do të ndërtohet një kishë. Ajo do t’i përkushtohet shenjtorit Konstantin dhe nënës së tij Shën Elena. Sensacioni me të cilin Qeveria dhe kryetarët e qyteteve po ndërtojnë përmendore, simbole dhe ndërtime të shenjta në qendër të qytetit, është pothuajse e frikshme. 40 përmendore dhe rreth 20 ndërtime të reja pjesërisht të mëdha të cilat e imitojnë antikën veç më janë ndërtuar dhe do të ndërtohen.

Kthim në periudhën antike

Si vizitor fiton ndjenjën se gjendesh në një teatër gjigant nën qiellin e hapur. Sheshi kryesor pothuajse nuk duket si shesh. Ai është i dekoruar me përmendore të ndryshme të maqedonasve antikë dhe luftëtarëve kundër Osmanëve. Në mes dominon shtatorja gjigante e kalorësit Aleksandri i madh. Në qoftë se shikoni përreth, duket se do të ngriten kulisët. Fasadat e ndërtesave të pahijshme janë të ngjitura me dredha në stil barok. Në një kënd qëndron Pavilioni klasik. Përballë tij është vendosur porta triumfale me një hyrje të ngushtë për në shesh. 

Çka është inskenuar këtu? Vepra quhet “Shkupi 2014”. Në plan të parë, kjo shërben për të zbukuruar sheshin e qytetit, por në fakt është një tentim që, tekstualisht, të bëhet ndërtim i një kombi të ri. Maqedonia, ose më saktë, maqedonasit nuk duhet që në pasqyrën e qytetit të tyre të ndryshuar të shohin veten si trashëgues të një republike titiste, por si pasardhës të një populli antik dhe qytetarë të një shteti të fuqishëm. Me fillimin e ndërtimit dy vite më parë ky projekt kohë pas kohe ndizte një rezistencë. Në fakt, pothuajse debate, pasi që Qeveria nuk debaton, ajo ndërton.

Një aspekt i rëndësishëm i këtij projekti është religjioni. Ai kujdeset për konfliktet më të ashpra në eksperimentin për rimëkëmbjen e kombit maqedonas. Sipas ndërtimit primar të projektit “Shkupi 2014” duhej që në fakt, kisha Konstantin dhe Elena të qëndrojë në sheshin kryesor. Por, protestat nga dy anë krejtësisht të ndryshme e ndaluan vendosjen e gurë themelit në vitin 2009. Në fillim ishte një grup studentësh nga fakulteti i arkitekturës, të cilët ngritën zërin kundër pretendimeve të kishës për të monopolizuar sheshin kryesor. Ky vend, në të cilin tradicionalisht bëheshin manifestimet kulturore, politike dhe ato komerciale, duhet të jetë i lirë. Studentët, padyshim që nuk e arritën këtë qëllim. Por, nga protestat e tyre, për herë të parë në historinë e Maqedonisë së pavarur, doli një lëvizje urbane, laike dhe ndëretnike.

Kontest për ndërtimet e objekteve të shenjta 

Iniciativa e Bashkësisë islame kishte një kahje të ndryshme të sulmit: Në qoftë se këtu do të ndërtohet një kishë, atëherë do të duhet që përsëri të ndërtohet Burmali-Xhamia e cila në vitin 1925 u shemb nga ana e ushtrisë serbe. Dhe tani, në sheshin kryesor nuk ka as kishë e as xhami, por një park monumental. 

Jokonformistë

Si reaksion i projektit “Shkupi 2014” në Shkup po formohet një lëvizje e relaksuar multi etnike. Në fakt, ajo është më shumë një grup me një stil jetese e cila distancohet nga mllefi etnik dhe religjioz i shumicës në këtë shoqëri. Takimet e tyre zhvillohen në Çarshinë e vjetër të Shkupit, e cila kohë të gjatë ishte e lënë pas dore, ndërsa tani janë hapur lokale të reja atraktive. Kjo skenë, e cila me siguri nuk përmban më shumë se një mijë njerëz – formohet rastësisht nga lëvizjet e protestave.

Kur në qershor të vitit 2011 pas manifestimit zgjedhor një djalë i ri u rrah deri në vdekje nga ana e një polici, për herë të parë në historinë e vendit u zhvilluan protesta të përbashkëta të maqedonasve dhe shqiptarëve. Deri atëherë në Shkup multi etnike ishin vetëm grumbullimet kundër drogës dhe homoseksualizmit. Fakti se një tubim shumë më pak i margjinalizuar mund të funksionojë, është një ndër shenjat e pakta për shpresë në demokracinë maqedonase. 

Por, në qoftë se analizohet prej më herët, mosmarrëveshja për ndërtimet e objekteve të shenjta duket si fillim i një konflikti për futjen e religjionit në politikë dhe në shoqëri. Mediumet flasin për “garë të armatosjes” së dy komuniteteve më të mëdha fetare, të komunitetit krishter-ortodoks dhe të atij mysliman. Në ndërkohë, ka një kishë apo një xhami në 800 banorë, ndërsa ndërtimet vazhdojnë edhe më tutje. Përderisa Qeveria e ndihmon kishën ortodokse, komuniteti islam fiton përkrahje nga shtetet arabe, por gjithashtu  edhe nga Turqia. Për renovimin dhe rimëkëmbjen e ndërtimeve turke, Ankaraja është e gatshme të ndajë një buxhet mjaft bujar. Konfrontimi tradicional mes grupit etnik shqiptar dhe atij maqedonas në Maqedoni (65 për qind, gjegjësisht 25 për  qind të popullatës) me këtë mori një dimension tjetër.

Kërkim të identitetit

Ekzistojnë disa parashenja të cilat referojnë në faktin se religjioni bëhet gjithnjë e më shumë i rëndësishëm për të rinjtë. Një profesoreshë e sociologjisë lajmëron se studentët e saj rregullisht kryqëzohen para provimeve, ndërsa rreth 90 persona të anketuar në lidhje me këtë çështje janë deklaruar si besimtarë të krishterë. Një person shpjegon se në disa ministri është bërë praktikë, sidomos mes punonjësve shqiptarë, që të mbarojnë më shpejtë me punë para fundjavës me qëllim që të mos e lëshojnë lutjen e së premtes në xhami. Të gjitha këto janë fenomene të reja, ku është e paqartë se deri në cilën masë janë të motivuar në mënyrë fetare, ose ndoshta kjo vlen më shumë si një pjesë e identitetit.

Në fakt, religjioni çdoherë ka pasur një rol të rëndësishëm për identitetin nacional maqedonas. Në vitin 1967 shteti socialist i ka dhënë leje kishës ortodokse maqedonase që të ndahet nga sistemi patriarkal i Serbisë. Me këtë, populli maqedonas ka fituar atribut fetar. Para së gjithash, partia nacional-konservatore VMRO, e cila nga viti 2006 e përbën Qeverinë e këtij shteti, ka udhëhequr një politikë fetare edhe shumë kohë para projektit “Shkupi 2014”. Këtë e dëshmon edhe kryqi gjigant në malin Vodno. Ai u vendos aty në vitin 2002, gjegjësisht pas konfliktit të armatosur me guerilët shqiptarë të UÇK-së, pasardhës të cilëve është partia BDI, e cila që nga viti 2008 për herë të dytë është pjesë e Qeverisë.

Protesta spontane

Në anën e shqiptarëve punët duken pak më ndryshe. Për shqiptarët përkatësia fetare paraqet një veti sekondare tradicionale të identitetit. Në fakt, në Maqedoni, pjesa më e madhe e popullatës shqipfolëse është myslimane. Por prapëseprapë në Shqipëri, por edhe në Kosovë ekzistojnë pakica të rëndësishme katolike dhe ortodokse (në Shqipëri 20 për qind e popullatës janë ortodoks, ndërsa 10 për qind të krishterë katolikë).

Nacionalizmi shqiptar që nga më parë e shpjegoi religjionin si një përçarje potenciale si çështje private. “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, thuhet në një fjalim të Pashko Vasës, një nga themeluesit e ideve kombëtare shqiptare në shekullin e 19-të. Por, gjithashtu ekzistojnë parashenja të qarta për atë se rëndësia e religjionit gjithashtu po përforcohet edhe te shqiptarët myslimanë të Maqedonisë.

Ortodoksët

Etnologu Robert Pihler nga Greqia ka hulumtuar traditën e islamit tradicional përmes emigracionit në Maqedoni.  Rezultati është interesant se lidhjet me Evropën Perëndimore jo vetëm që nuk kanë shkaktuar sekularizim në rrjetet e migracionit, por kanë bërë pikërisht të kundërtën. Në fshatrat e pjesës jugperëndimore një pjesë e vendit, por po ashtu edhe në disa pjesë të qytetit të Shkupit, përmes rrugës rrotull të migracionit janë etabluar grupe selefiste, të cilët janë në konflikt me baballarët e tyre. Ata ua zënë për të madhe baballarëve se e adhurojnë kombin në llogari të besimit të vërtetë. Islami është kombi ynë, e citon Pihler një selefist të ri. Sipas burimeve tjera, për këtë riislamizim, i cili nuk ka asgjë të përbashkët me sufizmin e butë tradicional, janë shumë të ndjeshëm edhe myslimanët që flasin maqedonisht (torbeshët), të cilët njëkohësisht distancohen nga maqedonasit po ashtu edhe nga shqiptarët.

Më 12 prill Maqedoninë e tronditi një ngjarje e përgjakshme. Në afërsi të Shkupit, disa persona të panjohur vranë pesë djelmosha të rinj dhe një burrë të moshës relativisht të re. Nga kryerësit nuk ka kurrfarë gjurme, por gjithashtu mbeten të paqarta edhe motivet e tyre. Vetëm një gjë ishte evidente, se të gjithë viktimat ishin maqedonas. Pak më vonë Ministria e Punëve të Brendshme doli para mediumeve dhe deklaroi se për veprën dyshohen terroristë islamikë. Në çka bazohet ky dyshim ende nuk e ka të qartë opinioni.

Pasi në fillim të majit pas aksionit të madh “Monstrum” policia arrestoi rreth njëzet të dyshuar, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme tha se bëhet fjalë për islamistë radikalë, erdhi deri te demonstratat spontane të ngjyrosuara me religjion që i përbënin disa mijëra shqiptarë të rinj. Protesta ishte spontane, pasi në të nuk thirrën partitë dhe organizatat e etabluara shqiptare. Aq më shumë u mobilizua në xhami dhe përmes internetit në “Facebook”, “Allahu është i Madh” brohoritnin demonstrantët, “myslimanët nuk janë terrorista”, brohoritnin disa të tjerë, ndërsa gazetarët madje kanë dëgjuar edhe brohoritje si “vdekje për të krishterët!”. Krahas shqiponjës dykrerëshe demonstrantët me vete mbanin edhe flamuj të gjelbër islamik.

Figurë e ndritshme

Për Ramadan Ramadanin, ligjërues islamik dhe teolog, me këtë filloi “momenti i ri politik”. “Kjo protestë nga njëra anë ishte orientuar kundër islamofobisë në Maqedoni dhe ëndrrës së Qeverisë që të zbatojë hegjemoni krishtere në këtë vend multireligjioz”, sqaron teologu në zyren e tij në qendër të qytetit. Por demonstratat paraqisnin edhe rezistencë kundër klasës politike qeveritare shqiptare.

Kolona protestuese pas fillimit të marshit para xhamisë “Jahja Pashë” në fakt u ndal para selisë kryesore  të BDI-së. U hodhën gurë dhe brohoritnin fjalë fyese. “Partitë shqiptare tërësisht i kanë dëshpëruar të rinjtë lidhur me çështjet religjioze. Nuk është as çudi, liderët e tyre janë ish-ateistë komunistë pa kurrfarë njohurie nga çështjet religjioze. “Nuk e ka atë dert, thekson Ramadani, që për çështjet politike për diskriminimin dhe nepotizmin të gjejë përgjigje fetare.

“Unë nuk jam islamist”, por politika shqiptare do të duhej t’i sqarojë marrëdhëniet e saj me islamin. Ramadani vlen në opinion si figurë e ndritshme. Kundërshtarët e tij në bashkësinë islame pohojnë se ai është fundamentalist. Kur në verën e vitit 2010 u shkarkua nga shërbimi i tij si ligjërues në xhaminë Isa Beg, ai refuzoi ta lëshojë të njëjtën. Ithtarët e tij me ndihmë të rebelimit parandaluan pasardhësi i tij ta marrë vendin e Ramadanit.

Si zëdhënës i lëvizjes për ndërtimin e sërishëm të xhamisë Burmali, Ramadani është i njohur për shumë maqedonas, por është edhe i dyshimtë për ta. “E gjithë kjo është e pakuptimtë” thekson Ramadani duke qeshur. “Bashkësia islame është njëra nga strukturat e fundit komuniste në vend, dhe ata frikohen nga konkurrenca ime. Lidhur me maqedonasit, unë rregullisht shkruaj kolumna nëpër gazeta, pikëpamjet e mia janë evidente”.

Funksion për mbrojtësit e vet

Krahas “armatosjes” ortodokse, në Maqedoni ka edhe një arsyeje shumë të rëndësishme për ndikimin e rritur të islamit tek të rinjtë shqiptarë: fuqia e dobësuar lidhëse e partive shqiptare. Pasi BDI-ja tashmë tetë vite është në pushtet ka humbur shumë nga shkëlqimi i saj. Ajo doli në vitin 2001 me premtime që ta përfundojë emancipimin nacional të shqiptarëve në Maqedoni në rrugën politike. Sot shqiptarët e shtresave të ndryshme sociale e mbajnë ate si imazh të partisë së Kuadrove, e cila në mënyrë të pacipë u ndihmon mbrojtësve të vet që të mbërrijnë në funksion. Përveç kësaj kreu i BDI-së është inferior i pashpresë, ndaj shkathtësisë taktike të kryeministrit Nikolla Gruevski.

PDSH-ja opozitare për këtë pakënaqësi, ndonëse në radhët e saj ka shumë intelektualë prominentë, nuk është alternativë. Kryetarit të saj Menduh Thaçi, i cili me dorë të fortë i udhëheq bashkëpartiakët e tij të besueshëm, i mungon vizioni politik dhe kredibiliteti moral. Këto organizata partiake, kështu mendon sociologu i ri Artan Sadiku, kanë ndikuar për shumë shqiptar të gjeneratës së tij të jenë si agjencione për ndërmjetësim në vende pune, ndërsa në rastin më të keq si organizata për kamuflim të kontratave të dyshimta. Një njeri i ri, i cili është i pakënaqur me perspektivën e tij, i uritur për angazhim, bashkësi dhe njohje, më mirë do të gjendet në bashkësi islamike.

Për këtë flasin shumë gjëra. Gjatë vizitës në lagjen e Dizhonit, rajon i rrënuar në pjesën veriore të qytetit të Shkupit. Këtu xhamitë janë të mbushura çdo të premte. Por më në to nuk ka vetëm burra të vjetër, që kërkojnë fe në bashkësi. të rinjtë në xhamitë veçohen në grupe duke biseduar dhe qeshur pas mbarimit të lutjeve. Për “sipërmarrësit” politik dhe religjioz Maqedonia dhe popullata e re shqiptare janë treg shumë interesant. 

(Artikulli është publikuar në gazetën më të lexuar zvicerane Neue Zürcher Zeitung, autori është shef i zyrave të kësaj gazete për EJL. © Përkthimi në shqip është i Portalb.mk)

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button