A ka ndonjë njeri normal aty?!

Teksa në këto ditë të nxehta Ramazani nuk lëvizet shumë nëpër qytet, gjeta kohë e nerva të lexoj akuzat dhe kundër-akuzat që partitë politike shqiptare ia drejtojnë njëra-tjetrës.

Më habiti niveli i ulët, vrulli dhe mllefi i madh që është i pranishëm brenda BDI-së e që u demonstruan nëpërmjet konferencave për shtyp!

Pyeta veten, çka i mllefos kaq shumë këta njerëz, krejt të mirat i kanë në pushtet, vetëm që punën që duhet ta bëjnë nuk bëjnë, e tash gjetën kohë që të merren edhe me opozitën apo PDSH-në!

Çfarë faji ka opozita për dështimet e Juaja? PDSH-ja ka bërë çka ka bërë, sot aktuale është ajo çka bëni Ju? – Asgjë përveç tradhtisë së platformës së Juaj, programit partiak dhe interesave kombëtare afatshkurtra apo afatgjata qofshin ato!

Ajo që dua më shumë të ndalem është përmbajtja e teksteve që dalin nga press qendra e BDI-së, nuk mund t’i kuptoj fjalitë e thurura me fjalor rrugacësh, kontradiktat, dhe mendimet e shprehura “fëmijrore” mbi ngjarjet politike.

Pse e konstatoj këtë?

1. A nuk është çmenduri që bashkëpunimin për zgjedhjet lokale të vitit 2013 mes Thaçit dhe Cërvenkovskit, BDI-ja ta interpretojë si formim të qeverisë! Tekstshkruesit infantil të BDI-së nuk janë në gjendje të bëjnë dallimin mes bashkëpunimit në nivel lokal dhe atij qendror, për tu bërë edhe më keq, ata kritikojnë PDSH-në se shkel legjitimitetin e shqiptarëve!!! Edhe këtu BDI-ja nuk është e aftë të dallojë legjitimitetin partiak me atë etnik!

2. A nuk është çmenduri që BDI-ja pasi 10 viteve bashkëpunimi herë me Cërvenkovskin e herë me Gruevskin, sot të deklarohet që do të bashkëpunojë vetëm me popullin shqiptar.

3. Sikur BDI-ja që sot e din rezultatin në Komunën e Kërcovës dhe akuzon PDSH-në (pa pikë faji) për humbjen e Kërçovës? Zgjedhjet janë në vitin 2013 o të mjerë! Ju të BDI-së me këtë reagim në fakt na bëni me dije që nuk paskeni marrëveshje me VMRO-në që Kërçova të ju takojë shqiptarëve, dhe çfarë faji këtu ju ka PDSH-ja?

4. BDI-ja iu kundër-përgjigj intervistës së Thaçit dhënë për gazetën ‘Gragjanski’ ku ai sygjeron bashkëpunim BDI-PDSH për ndryshime kushtetuese. Pse BDI në asnjë pikë nuk përmendi ndryshimet kushtetuese në press konferenca, por në tërë ato reagime banalizon çështjet?

5. BDI-ja përmend ndryshimet kushtetuese të vitit 2001!!! Më duket sikur çmenduria vazhdon, BDI-ja përvetëson një ngjarje historike në kohë kur nuk ka qenë e themeluar!

6. Më tej lexoj që BDI-ja ironizon PDSH-në!!! Sërish e pa kuptimtë. A nuk e sheh se si VMRO-DPMNE e ironizon BDI-në dhe të gjithë shqiptarët në të gjitha sferat jetësore?

7. Më tej BDI-ja thotë që “PDSH-ja duhet të pranojë humbjen si burrat”, sikur BDI-së i janë terruar sytë dhe nuk e kupton që zgjedhjet ishin para 1 viti dhe jo sot apo dje!

8. BDI-ja në fund të reagimit gjeti kohë për të përmendur integrimet?! A nuk ishin pikërisht këto integrimet prioritetet kryesore të BDI-së që na lodhi çdo ditë duke i përmendur?!

9. Akoma në fund të reagimeve, BDI-ja për të justifikuar dështimet në planin integrues përmend takimet e zakonshme protokollare me zyrtarë evropian gjoja se janë përpjekje për të zhbllokuar procesin integrues dhe “harroi” më të rëndësishmen, porositë e Fyles, Rasmussenit, Merkelit, Reekerit dhe Ëohlersit të cilët shumë qartë i thanë koalicionit qeverisës: “ndrojeni emrin nëse doni integrime”.

Dhe për fund, nuk ka se si mos e përmendi qyqarllëkun e Ali Ahmetit që nuk tregoi liderizëm duke marrë përgjegjësi në dështimet politike dhe tradhtitë që bëri interesave shqiptare, të paraqitet para medieve dhe të sqarojë situatën politike dhe jo të nxjerr në shesh herë Bujar Osmanin, e herë Artan Grubin të theksojnë ende më shumë paaftësinë dhe çorientimin e partisë.

Normalisht, ata janë cubat e ri që janë futur në vallen e UDB-ashëve dhe nuk dinë si të sillen, sepse të tjerët Teuta Arifi, Agron Buxhaku, Gëzim Ostreni, Xhevat Ademi, Fazli Veliu, Musa Xhaferi dhe Ali Ahmeti turpin e përballojnë duke i “djeg” në opinion të tjerët jo veten, prandaj karriera e tyre politike është ende gjallë, por afër skadimit. Autori është Magjistër i shkencave politike dhe diplomacisë në USHT

Lajme të ngjashme

Back to top button