Amaneti i Ali Podrimjes

Një nga botimet më të hershme të poetit Ali Podrimja në Shqipëri ishin disa poezi të tij, një përmbledhje poetike të poetëve kosovarë “E di një fjalë prej guri”, në vitin 1971. Përmbledhja poetike ishte një antologji e poetëve më të mirë kosovarë, duke filluar nga Esat Mekuli, Azem Shkreli, Din Mehmeti etj., që sillnin një aromë të re modernizmi në poezinë shqipe që dhe vetë po përjetonte një periudhë të tillë, por që shumë shpejt do të ndryshonte dhe do ngurtësohej nën presionet e artit të Realizmit Socialist. Titulli i përmbledhjes qe zgjedhur nga një poezi e Ali Podrimes, gjë që natyrisht shprehte dhe forcën përfaqësuese të poezisë dhe artit të tij.

Hierarkia artistike dhe e vlerave është e çuditshme, sepse sa herë që kërkon të imponohesh vjen një moment që koha të zhvlerëson dhe të jep vendin e merituar si ndodhi me plot bardë të Realizmit Socialist në Shqipëri, që sot kanë mbetur vetëm si shkrues të zakonshëm në historinë e letërsisë, kurse arti i vërtetë, përmes poemave të Podrimjes, i kanë dhënë atij një emër të merituar në panteonin e letrave shqipe. Kosova në këtë përmbledhje poetike rrugëtonte drejt Shqipërisë, në nivel artistik përmes vargjeve të poetëve të saj si e gurtë, e ashpër dhe e vuajtur, sepse të tilla ishin dhe vuajtjet e saj në përpjekjet për të formësuar dhe ruajtur identitetin e veçantë mes federalizmit të sllavëve të Jugut.Përmes dhimbjes dhe pikëllimit shekullor të ndarjes me forcë nga trungu amë, vargjet e poetëve të saj ishin sa vargje për bukurinë krenare të viseve shqiptare, po aq dhe vajtime për fatin e shqiptarit modern kosovar, të ngujuar mes dy ideologjive kinse të afërta bazuar në internacionalizimin proletar, por që në thelb po i bluanin identitetin e shqiptarit të Kosovës, si dy mokra mulliri.

Filozofi i lashtë Platoni, në veprën e tij “Republika”, një traktat filozofik për mënyrën sesi duhet ndërtuar shteti, i përjashtoi poetët nga të gjitha funksionet drejtuese, duke pretenduar se me artin e tyre dobësojnë shpirtin luftarak të qytetarëve, një gjykim që në fakt ka rezultuar të jetë një nga më të gabuarit e tij, pasi imagjinoni se ç’do të ishte arti antik grek pa epopetë homerike të Iliadës dhe Odiseut, art që për shumë shekuj u bë një art frymëzues i ringjalljes shpirtërore të Evropës. Po kështu, ringjallja shpirtërore e Kosovës shumë më shpejt se demonstratat dhe lëvizjet e armatosura për pavarësi erdhën përmes vargjeve të poetëve të saj, ku mes tyre shquante poezia e Podrimjes “Unë biri yt Kosovë”. Vargjet e tij do të ishin gjithmonë në gëzimet dhe pikëllimet e popullit të vet martir, si një libër i hapur për cilindo që dëshironte të njihte Kosovën. Podrimja ishte natyrë e heshtur, larg fanfarave dhe dritave që poetët diletantë shpeshherë na mërzisin dhe bombardojnë nëpërmjet mediave, por arti i tij ishte i madh dhe merrte akoma më tepër jetë nëpërmjet zërit të butë dhe meliodoz të tij. I gjithë brezi im i mësuar me një fotografi bardhezi të zmadhuar të gazetës “Drita” të fundit të viteve ‘80, fotografi që sipas të gjithave gjasave ishte zmadhuar sipas klisheve të artit socialist për të treguar se poeti është impozant dhe në jetën e tij private, u shtang në vitet ‘90, kur e pa për herë të parë poetin e famshëm me trupin e pakët dhe sytë e ndrojtur por me fjalën zjarr. Tek Podrimja, dukej sikur qëllimisht fjala shqip kish zgjedhur një njeri me trup të pakët, për të mos trembur njeri, sepse kumtet shqiptare të fund shekullit XX ishin të tilla që nuk mund të linin asnjë njeri të civilizuar pa u prekur.

Fjala shqip kish dy dekada, që përmes artit të Podrimjes fluturonte në qiejt evropianë për të rrëfyer bukuritë dhe tragjeditë e një kombi të vogël, që vuante nën një regjim kolonial në fund të shekullit të dritës dhe në mes të Evropës. Shuarja e tij, sepse të lashtët gjithmonë kanë besuar se poetët janë yje që shuhen dhe fill pas tyre kombi ashtu si fëmijët mund të thotë një dëshirë, mund të kumtojë atë që ai kish kënduar që në 1981, për Parisin, se mbrapa do t’i lëmë pas shpine netët ballkanike, vallet, këngët, baladat dhe vetëm fyellin do marrim t’i biem sa herë që do na rrokë malli. Rrugëtimi i kombit të tij për në Evropë pat filluar që herët nga poezia e tij, me trajektoren moderne të përcaktuar qartë se pas do t’i lëmë mëritë ballkanike, por kurrë s’do harrojmë identitetin tonë nëpërmjet melodive tona të luajtura me fyell, që për shqiptarët është instrument magjik i vetëvendosjes së tyre, sigurisht jo “Fyelli Magjik” i Moxartit, por ai i melodive ilire dhe këngëve të Naimit.

Lamtumirë poeti ynë, që sa ishe gjallë na i kumtove të gjitha e tash e tutje, sa herë duam të njohim, vetveten do rikthemi sërish tek arti yt, sepse aty do gjejmë vetveten dhe të ardhmen. Në lajmin e fundit nga Podrimja, u tha se shkaku i vdekjes ishte dehidratimi, por unë s’besoj se poetët vdesin nga mungesa e ujit, sepse ata janë det fjalësh ku mund të lundrojë një komb i tërë, por poetët vdesin nga ëndrrat e paralizuara dhe për këtë gjë, nëse duam ta nderojmë deri në çastin e fundit, le ta bëjmë Shqipërinë e Kosovën se ky është amaneti i tij, ashtu si kanë qenë amanetet e poetëve tanë që nga Naimi e Fishta e me radhë.

Dorian Koçi, gazeta ‘Shqip’

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button