Tetovarët vjedhin bankën, 202 mijë euro humbja!

Sektori për punë të brendshme në Tetovë ngriti padi penale kundër R.M. (27) nga Dibra, M.S. (33) dhe vëllai i tij S.Z. (43) nga fshati Shemshovë i Tetovës.

R.M. dyshohet për kryerje të tri veprave penale, “keqpërdorim të pozitës dhe kompetencave zyrtare”, “raste të veçanta të falsifikimit të dokumenteve” dhe “keqpërdorim të dokumenteve me përmbajtje  jo të vërtetë”.

Tridhjetë e tre vjeçari M.S. i cili është në arrati dhe kundër të cilit policia ka ngritur urdhër kërkimi, akuzohet për kryerje të veprave penale “mashtrim”, “ndihmë” dhe “prodhim, posedim dhe tregti me armë zjarri dhe materie shpërthyese”, përderisa S.Z. dyshohet se ka kryer këto vepra penale: “ndihmë”  dhe “prodhim, posedim dhe tregti me armë zjarri dhe materie shpërthyese”.

Njëzet e shtatë vjeçari R.M. i punësuar si tregtar bankar në ekspoziturën e NLB Tutunska banka në Tetovë, gjatë periudhës nga janari deri në maj të vitit 2012, duke i keqpërdorur kompetencat e tij në këtë bankë, gjithsej 39 personave u ka miratuar marrjen e kredive, duke i marrë të hollat për vete. Nga ky numër, 37 kredi kanë pasur vlerën prej  5000 euro, një kredi në vlerë prej 8000 euro dhe një 9000, të gjitha këto duke e arritur shumën prej 202.000 euro.

Për këto kredi, ai ka përgatitur 39 vërtetime të rrejshme që dëshmojnë se personat janë të punësuar, ka përdorur vulë të institucioneve të tjera në Tetovë dhe me dokumentet e përgatitura  në këtë mënyrë i ka miratuar mjetet financiare.

Personi M.S., i akuzuari i dytë, dyshohet  t’I ketë siguruar klientët, gjegjësisht kredi kërkuesit, duke u paraqitur atyre fakte të rrejshme se kinse ata mund të fitojnë nga 100 deri në 700 euro, u ka kërkuar kopje të letërnjoftimeve, të cilat më pas ia ka dorëzuar personit R.M. pasi që i kanë marrë kreditë, 39 personave u kanë paguar shumën prej 100 deri në 700 euro, ndërsa mjetet tjera financiare i kanë mbajtur ata, së bashku me tregtarin bankar nga Dibra.

S.Z. u ka ndihmuar atyre në dy raste, ndërsa gjatë një bastisje të bërë në shtëpinë e tij, policia ka gjetur një pistoletë të kalibrit 7,65 mm, të cilin ai e ka poseduar pa leje./Portalb

 

Lajme të ngjashme

Back to top button