(EKSKLUZIVE)Dino Mustafiç: 100 orë bisedime më e vlefshme se 1 sekondë konflikti

Më mirë 100 orë dhe 100 vite të bisedohet se sa një minutë të bëhet luftë. Kështu shprehet regjisori boshnjak tejet i famshëm me origjinë shqiptare Dino Mustafiç në intervistën ekskluzive për Portalb. Ai ditëve të fundit ka qëndruar në Maqedoni ku me një sukses marramendës shpalosi veprën teatrore “Opera e Lypsarëve” para të pranishmëve në skenën e amfiteatrit të Ohrit, në kuadër të Verës së Ohrit më 18 korrik.  Ai na flet për artin, për përshtypjet e tij në Shkup si dhe ka kritikuar ashpër politikanët tonë sepse Mustafiç është njohës i mirë i zhvillimeve politike në Ballkan.

PORTALB: Nuk është hera e parë që për publikun shqiptar në Maqedoni përgatitni një vepër teatrore. Para disa viteve  shfaqët “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadaresë, tani në të njëjtën skenë po vini për të folur nëpërmjet një autori siç është Vaclav Havel, me veprën “Opera e lypsarëve”. Si përzgjidhni temat, pse pikërisht Havel, gjegjësisht Kadare?

D. Mustafiç: Zgjedhja e Ismail Kadaresë me Gjeneralin e ushtrisë së vdekur si dhe Opera e lypsarëve të Vaclav Havel-it, tregon shumë qartë atë që dhe mua më ka interesuar të hulumtoj në teatrin kombëtar shqiptar. Tema e parë është një vepër kulti dhe kryevepër e letërsisë shqiptare, një nga romanet më të rëndësishme të Evropës së shekullit XX i cili përcjell një mesazh shumë të qartë kundër luftës pas gjithë atyre luftërave tona dhe të kaluarës sonë të afërt të vështirë dhe të përgjakshme. Ishte shumë me rëndësi që edhe njëherë në teatër të meditonim, ta shpalosim atë se sa e dëmshme është lufta dhe sa i panevojshëm është konflikti i cili lë pasoja në gjenerata të tëra. 

PORTALB: Çfarë ju la më shumë mbresa në ”Gjenerali i ushtrisë së vdekur”?
D. Mustafiç: Në këtë vepër ekziston një skenë e cila për mua është shumë e rëndësishme. Skena ku dy gjeneralë të pirë me alkool dhe me frikën e luftës, një gjerman dhe ai italian, i numërojnë të gjitha kuotat duke luajtur me eshtrat, ndërsa ato kuota janë pikërisht vendet në të cilat janë bërë krimet më të mëdha në luftërat në Ballkan në fund të shekullit XX.

PORTALB: Të rikthehemi te teksti i Havel?
D. Mustafiç: Ky është një tekst i cili flet për frikën për lidhshmërinë e korrupsionit me kriminalitetin, dyfytyrësisë, shlyerjen se vlerave morale të të gjithë protagonistëve të dramës. Ajo që është me rëndësi në këtë dramë është se ajo hap një sërë problemesh ekzistenciale tonat jo vetëm në Maqedoni por edhe në tërë Ballkanin sepse mund të themi se është një periudhë tranzicioni, si që e quajnë shumica, por në fakt ka qenë dhe mbetet periudhë e vjedhjeve të paskrupulta, vend në të cilin çdo bandit, çdo kriminel i veshur në petkun politik e ka shfrytëzuar këtë periudhë të vështirë për të krijuar një pasuri marramendëse. Dhe pas gjithë kësaj qëndron shteti dhe sistemi në të cilin individi është kryesisht i pavlerë, ai është i blerë, ai hesht. 

PORTALB: A mendoni se Havel duhet të jetë model i politikanit? A është paradoks të jesh dhe politikan dhe artist?
D. Mustafiç: Havel është një nga figurat më me rëndësi të Evropës, një intelektual dhe lider i sigurtë i asaj që çekët e quajnë Revolucion i Kadiftë (i butë), lider i rezistencës ndaj ideologjisë represive komuniste. Havel ishte njeri që kishte një angazhim politik, por ai nuk e ka ndarë diskursin e tij politik nga angazhimi i tij dhe etika e tij në politikë. Domethënë se kur artistët hynë në politikë ato kanë një nevojë reale, nevojë humane për të ndryshuar gjërat e përgjithshme, të tentojnë ta afirmojë konzistencën si princip , të tentojnë ta mbrojnë demokracinë si një vlerë e civilizimit, të luftojnë për të mbrojtur edhe mendimet e pakicës. Në Ballkan nuk shoh ndonjë politikan të ndërgjegjshëm i cili ngjason me personalitetet e mëdha. Në Ballkan politika është profesion, vend për profit, politikanët janë kryesisht njerëz analfabet dhe shpesh të pa-civilizuar të cilët shpesh herë sillen keq, ato merren me xhirollogarinë e tyre personale, kanë për qëllim të pasurohen gjatë karrierës së tyre. 

PORTALB: A mendoni se arti mund të ndryshojë jetën e një individi apo shoqërie, të themi për të mirë?
D. Mustafiç: Arti nuk mund ta ndryshojë jetën e një njeriu për më të mirë, ai vetëm mund të na udhëzojë të mendojmë për problemet me të cilat ballafaqohemi, të pyesim veten dhe te tjerët. Arti mund të na ndryshojë si individë, por nuk e ka fuqinë për të ndryshuar rrjedhat historike apo sociale. Arti i drejtohet vëzhguesit ideal, individit, mund ta ndryshojë mikro-ndërgjegjen. Misioni, bukuria dhe madhështia e artit qëndron në atë se na bën njerëz më të mirë si individë dhe është gjithmonë një refleks i ashpër kritikues, një pasqyrë kritike e realitetit social.

PORTALB: Cila është ndjenja të jesh regjisor?
D. Mustafiç: Pasuria më e madhe e profesionit tim është që përmes shfaqjeve të ndryshme kam zbuluar disa njerëz fenomenal. Njerëz të mirë dhe special. Kështu njerëz ka në të gjithë popujt dhe qytetet. Nuk ekzistojnë qytete të mira apo këqij por njerëz të mirë dhe të këqij. 

PORTALB: Si e komentoni situatën politike në Maqedoni?
D. Mustafiç: Politikanët tonë duke e pasur parasysh dhe kryeministrin tuaj e kanë gojën plotë me Evropën dhe rrugën drejtë vlerave evropiane, por praktikisht asgjë nuk bëjnë për t’iu afruar asaj Evrope. Këto e bëjnë të kundërtën, duke u larguar sa më shumë sepse Evropa nuk domethënë vetëm interes ekonomik, ajo domethënë rrugë të pastra dhe sigurta, mbrojte të ambientit jetësor, mbrojtje sociale, në këtë kornizë Evropa paraqet një sistem mirë të rregulluar me popull punëtor. Ne si popull besojmë se nëse vjedhim shtetin do të jemi hero, kjo është e njëjtë sikur ta gënjejmë veten. Jemi larg standardeve evropiane.

PORTALB: Po ç’mendim keni për projektin kontrovers “Shkupi 2014”?
D. Mustafiç: Të gjitha janë tentime për rikonstruim të identitetit, një situatë tragji-komike. Të gjithë popujt në Ballkan kanë pasur nevojë ta rishqyrtojnë identitetin e tyre,ata kanë shkuar aq larg sa që edhe kanë përdorur shkencën për të dëshmuar gjëra që nuk mund shkencërisht të dëshmohen. Rast eklatant është Maqedonia.

PORTALB: Po mirë, çfarë dëshirojnë të dëshmojnë me këtë?
D. Mustafiç: Secila politikë dëshiron të dëshmojë se janë civilizimi më i vjetër nga të gjithë të tjerët. Se “Amebat kanë ardhë në tokë pas tyre” . Ky është ai opsesion skizofren i politikës i cili ju shtyn juve larg thelbësores, ndërsa thelbi është si të arrijmë të mbijetojmë sot, si të ushqej fëmijët, në çfarë spitali ju lind gruaja, çfarë kushtesh ka në shkolla, sa jam i lirë të udhëtoj me pasaportën që e kam? Kjo është një simptomë i shteteve të vogla që dëshirojnë të tregohen të mëdha. Është shumë me rëndësi që Maqedonia ti ikë këtij militarizimit të historisë.

PORTALB: Pasi që keni prejardhje shqiptare, të ju pyes çfarë mendoni cila është perspektiva e popullit shqiptar në Maqedoni, por dhe në rajon?

D. Mustafiç: Unë kam prejardhje të përzier, nga ana e babait kam gjak shqiptari, nga ana e nënës gjak serb, kam identitet boshnjak, familjen e kam aq te përzier, kam dhe komponenta hebreje, kështu që unë nuk e kam atë vetëdijen etnike por teritoriale, prandaj për veten them se jam boshnjak. Sidoqoftë, të ardhmen e shoqërisë shqiptare e shoh në një integrim me popujt tjerë ballkanik, çdo izolim dhe barrierë mund të jetë e rrezikshme. Perspektiva e popullit shqiptar gjithashtu është në arsimim e cila do të mund të krijojë vlera pa të cilat një shoqëri nuk mund të ekzistojë.  Politikanët shqiptar duhet ta përdorin dialogun për të zgjidhur të gjitha problemet që ekzistojnë në mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Mund të flas vetëm si vëzhgues dhe si person që ka jetuar në Sarajevë në kohën e luftës, andaj them: më mirë 100 orë dhe 100 vite të bisedohet se sa një minutë të bëhet luftë. Secila mundësi e cila shpie deri te dhuna, konflikti dhe ndasia është e rrezikshme dhe destruktive. Na duhen politikanë që nuk e shohin kompromisin si turp.

PORTALB: Çfarë është Shkupi për ju, si e përjetoni atë si qytet?
D. Mustafiç: Një gjë që nuk do ta harroj kurrë është kur erdha në Shkup të punoj në Teatrin dramatik, jetoja në lagjen Debar Maallo dhe pikërisht këtu takimin e parë e kisha me fqiun që aspak se njihja. Ai më trokiti në derë sepse kishte dëgjuar se ka një banor të ri në të nga Sarajeva dhe më thirri në ditëlindjen e tij. Me muzikë dhe në atë atmosferë të ngrohtë ia kalova shumë mirë edhe pse nuk i njihja ato njerëz. Shkupin e mbaj mend nga këto njerëz mikpritës e jo nga kjo pamja e re e ndryshuar nga përmendoret.

Intervistoi: Elida Zylbeari

Skena nga pjesa teatrore “Opera e lypsarëve” e cila u shfaq në kuadër të Verës së Ohrit në qytetin e Ohrit. Në shtator e njëjta do të shfaqet në Shkup.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button