Ndeshja Shqipëri-Qipro, policia përgatit “shtetrrethim”

Policia e Tiranës bën me dije se ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e ndeshjes Shqipëri-Qipro e cila do zhvillohet mbrëmjen e sotme në orën 20.30 në stadiumin “Qemal Stafa”.

Duke filluar nga ora 16.00, nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në ambientet përreth Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”, sheshin “Italia”, sheshin “Nënë Tereza”, përgjatë gjithë rrugës “Lekë Dukagjini” si dhe përgjatë Bulevardit ”Dëshmorët e Kombit” deri te Ura e Lanës, si dhe do të ndalohet qarkullimi i automjeteve në ambientet përreth stadiumit te rruga “Lekë Dukagjini” me kryqëzimin me Rrugën “Themostokli Gjermeni” deri në sheshin “Nënë Tereza” si dhe Rruga ”Dervish Hima” që të çon drejt stadiumit “Qemal Stafa”.

Gjithashtu në vijim të këtyre masave, si një mini “shtetrrethim” para se të hyjnë në stadium në mënyrë që të evitohen incidentet, tifozët do kontrollohen për sende të ndaluara, si mjete të forta, fishekzjarre, shishe të ndryshme, kapsolla, flamuj me shkopinj, parrulla me mbishkrime jo të përshtatshme etj.

Kujtojmë këtu se ndeshja me Qipron është e para për eliminatoret e Botërorit Brazil 2014, e cila do të vijojë më tej me ndeshjen kundër Zvicrës më 11 shtator./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button