Fatmirja, shqiptare kampione e futbollit në Gjermani

Me vetëm 23 vjet Fatmire Bajramaj ka fituar shumë tituj. Ajo është kampione e botës, kampione evropiane dhe fituese e Ligës së Kampionëve. 

Ndonëse si fëmijë prindërit nuk e lejonin të merrej me futboll. Babai i saj me origjinë nga Gjurakovci i Pejës mendonte se vajza nuk duhet të merret me futboll, por “si çdo femër normale” me vallëzim, balet apo ndonjë aktivitet tjetër.

Gati dy vjet Lira ka luajtur futboll fshehurazi, me vëllanë Flakronin dhe shokët e shkolla. Nëna e dinte për “sekretin”. 

“Babai nuk e ka ditur, sepse unë luaja fshehurazi me djemtë në një ekip. Dikur më është dashur një nënshkrim, por babai thoshte: jo çika jem, se nuk është futbolli për çika. Ti më mirë merru me vallëzim, apo diçka tjetër. Por një herë ka ardhur babai dhe kur më ka parë se si luaj, i ka pëlqyer dhe më lejoi të merrem me futboll. Sot mezi pret të shikojë lojërat e mia”, thotë ajo. 

Fatmire Bajramaj ka lindur në Kosovë, si fëmija e dytë e familjes. Ajo ka një vëlla më të madh dhe një më të vogël. 

Familja e saj është shpërngulur nga Kosova në Gjermani në vitin 1989. Hapat e parë në futboll i i ka bërë në vendin ku jetonte dhe më pas në Mönchengladbach. “I kam pasur 16 vjet, kur erdhi një trajner dhe më pa këtu në Mönchengladbach. Pas ndeshjes më tha: A ke dëshirë të fitosh pak para nga sporti? I thash nuk e di, duhet të pyes babanë. Babai më lejoi dhe nënshkrova një kontratë me Duisburgun”, shpjegon Bajramaj./Gazeta Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button