S’i besojnë Thaçit për EULEX-in

Ndonëse kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, të mërkurën e ka mbështetur iniciativën e Grupit parlamentar të PDK-së për rishikimin e mandatit të EULEX-it, partitë opozitare dhe analistët politikë thonë se këto janë pallavra të kryeministrit dhe s’ka asgjë serioze në këtë drejtim.
Megjithatë, sipas tyre, edhe po të ishte serioze ajo inciativë nuk do të përkrahej nga opozita.

Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka thënë se pas ngjarjeve që ka ndodhur në nivel të vendit, konkretisht pas paraburgosje së Fatmir Limjat, ne kemi vlerësuar se është bërë jashtë procedurave të rregullta.

“Prandaj, ne kemi konstatuar se askush nuk është mbi ligjin. Ligji vlen për të gjithë, prandaj edhe EULEX-i duhet t’u përmbahet rregullave. Kjo na ka shtyrë që të vlerësojmë dhe kërkojmë që të ketë iniciativë për rishikim të mandatit të EULEX-it”, ka thënë Grabovci për “Zëri”.

Sipas tij, PDK është në fazën e konsultimeve.

“Aktualisht jemi në fazën e konsultimeve dhe do të shohim për një koordinim të mundshëm edhe më grupet tjera parlamentare dhe të merret vendimi për një iniciativë”, ka thënë Grabovci.

Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së , Ismet Beqiri, thekson se deklaratat e kryeministrit Hashim Thaçi, për rishikim të mandatit të EULEX-it, janë në vazhdën e lojës së fjalëve. Ndërkaq, nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, thotë se institucionet e Kosovës duhet të komunikojnë drejtpërdrejt me EULEX-in, si mision i Bashkimit Evropian që është në Kosovë dhe jo nga distanca. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button