Pendimi i shlyen të gjitha mëkatet

All-llahu I Madhërishëm në Kur’anin famëlartë thotë: “Thuaj: ”O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së All-llahut, pse vërtetë All-llahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues! Dhe, kthehuni te Zoti juaj dhe përuljuni Atij”.

Kemi thënë se ky ajet është për të penduarit, kurse dy ajetet në kaptinën En-Nisa’, ku All-llahu thotë: “Është e vërtetë se All-llahu nuk falë (mëkatin) t’i bëhet Atij shok, e pos këtij (mëkati), të tjerat i falë atij që dëshiron”, nuk ka mundësi të jetë në lidhje me të penduarit, siç thonë disa Mu’tezilij, sepse ai që pendohet nga shirku, atij i falet shirku sipas citateve Kur’anore dhe konsensusit të myslimanëve, dhe në këtë ajet ngërthen veçorim dhe specifikim, ndërsa ajeti i mëparshëm ngërthen përgjithësim. Pra, në këtë ajet është veçuar shirku si mëkat të cilin All-llahu nuk e falë, e mëkatet e tjera përpos shirkut All-llahu nuk ka thënë kategorikisht se nuk i falë, por këtë ia ka lënë dëshirës së Tij dhe ka thënë :”E pos këtij (mëkati), të tjerat i falë atij që dëshiron”.

Qëllimi i ajetit të parë është mos-humbja e shpresës nga mëshira e All-llahut, edhe sikur mëkatet të jenë të mëdha dhe të shumta. Andaj nuk i lejohet askujt që ta humbasë shpresën nga mëshira e All-llahut, dhe po ashtu nuk i lejohet që njerëzve të tjerë t’ua humbë shpresën nga Mëshira e Tij. Andaj, disa prej selefëve kanë thënë: “I mençuri dhe i udhëzuari i vërtetë është ai i cili nuk ua humb shpresën njerëzve prej mëshirës së All-llahut, dhe nuk i detyron që të bëjnë mëkate ndaj Tij”. Ndërsa humbje e shpresës do të thotë të formojë bindje se All-llahu nuk e falë atë, pra, të thotë se nëse pendohem, mua nuk më pranohet pendimi dhe nuk më falen mëkatet, ose të thotë se nefsi nuk i nënshtrohet pendimit tim dhe se unë jam i mundur nga ai (nefsi), dhe se shejtani më ka mposhtur, kështu që i humb shpresat për pendim, edhe pse e di se nëse pendohet, All-llahu ia falë mëkatet, dhe kjo gjë ndodh te shumë njerëz. Humbja e shpresës ndonjëherë vjen me këtë kuptim, e shumë herë me kuptimin tjetër. Kuptimi i parë është si rasti i asketit i cili i ka thënë vrasësit të nëntëdhjetë e nëntë personave se All-llahu nuk e falë atë, kështu që ky e mbyt edhe asketin i cili bëhet viktima e njëqindtë e tij. Pastaj e udhëzuan te një dijetar, e ai shkoi te dijetari dhe e pyeti për të njëjtën çështje, ndërsa ai i tha se All-llahu e pranon pendimin e tij .Hadithi gjendet te Buhariu dhe Muslimi.

Ndërsa kuptimi i dytë është sikur ai që për pendimin parasheh shumë kushte, dhe atij i thuhet: pendimi ka shumë kushte, dhe me këtë ia vështirësojnë pendimin, kështu që ai e humb shpresën dhe nuk pendohet.

Dijetarët kanë polemizuar rreth asaj se a mund të ketë rast që robit t’i pamundësohet nëse ai dëshiron të pendohet? Mendimi më i vërtetë është ai i Ehli Sunnetit dhe Xhumhurit se pendimi mund të bëhet për çdo mëkat dhe është e mundshme që All-llahu ta falë. Andaj, kush pendohet prej çfarëdo mëkati të bërë, me siguri që All-llahu ia falë atij, siç thotë All-llahu I Madhërishëm: “Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së All-llahut, pse vërtetë All-llahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues! Dhe, kthehuni te Zoti juaj dhe përuljuni Atij para se t’ju vijë dënimi, se pastaj nuk do të ketë kush t’ju ndihmojë. Dhe përmbajuni asaj më të mirës që u është shpallur nga Zoti juaj, para se t’ju vijë dënimi befas e ju të mos e vëreni”.

Gjithashtu All-llahu thotë: “Është e vërtetë se All-llahu nuk falë (mëkatin) t’i bëhet Atij shok, e pos këtij (mëkati), të tjerat i falë atij që dëshiron”. Ky ajet vlen për atë që nuk pendohet, pra All-llahu nuk e falë shirkun pa pendim, ndërsa gjithçka tjetër përpos shirkut mbetet në dëshirën e All-llahut, nëse do e ndëshkon, e nëse do ia falë.

Shejhul Islam Ibn Tejmijje

Përmblodhi: Burhan SEFERI

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button