Haradinaj: Thaçi të shqyrtojë shkuarjen në Bruksel nëse nuk ka liberalizim vizash

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nuk ka njohuri se për çfarë do të bisedojnë sonte në Bruksel presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç, por ai konsideron se Thaçi duhet të marrë në konsideratë nëse duhet të marrë pjesë në dialog nëse nuk ka liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media pas Këshillit ministror për integrim evropian, Haradinaj vlerëson se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë duhet të qartësohet dhe se Thaçi duhet të shqyrtojë nëse Kosova duhet të adaptohet në axhendën e shtetit fqinj Serbisë, si dhe se duhet të qartësojnë cilat tema janë plotësisht bilaterale midis Kosovës dhe BE-së.

“Do të ishte shumë keq për njërën anë, në këtë rast Kosovën dhe Thaçin, të thonë ejani në dialog, por qytetarët tuaj nuk marrin liberalizim të vizave. Thaçi duhet të analizojë vet a do të vazhdojë të shkojë në këto takime ose jo”, tha Haradinaj.

I pyetur për të komentuar vendosjen e tatimit prej 10 për qind mbi importet e të gjitha produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, Haradinaj tha se nuk është çështje e arrogancës apo propagandës së caktuar, por se Kosova ka qenë e detyruar ta bënte këtë për shkak të sjelljes destruktive të Serbisë ndaj Kosovës dhe kërcënimeve direkte ndaj familjeve serbe dhe jo vetëm pjesëtarëve serbë të FSK-së.

“Kjo patjetër duhet të ndalet, nuk lejohet. Falënderoj vendet e respektuara Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermanisë për qëndrimin e tyre kundër kërcënimeve, ndërsa ne kemi shumë deklarata me shkrim nga shtetasit serbë se ata janë kërcënuar në familjet e tyre. Ky kërcënim është një krim, nuk është politikë, dhe kur kësaj i shtohet edhe destruktiviteti në planin ndërkombëtar i ministrit të Jashtëm të Serbisë dhe deklaratat e tij, ne kemi qenë të detyruar të vendosim tatime”, tha kryeministri i Kosovës, Haradinaj.

Duke folur për procesin e liberalizimit të vizave, Haradinaj theksoi se ka hezitim të caktuar që votimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës të vendoset në rend dite të Samitit të Ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së. Ai tha se Kosova këmbëngul që kjo çështje sigurisht të jetë rendin e ditës dhe nuk duhet prejudikuar vendimi.

Ndërsa ministrja e Integrimit Evropian të Kosovës, Dhurata Hoxha tha se në mbledhjen e Këshillit ministror për integrim evropian u miratua raporti përfundimtar i ERA 1 si dhe një listë me prioritetet e ERA 2 që do të diskutohet me Eurokomisarin, Johannes Hahn, i cili do të vizitojë Kosovën në fillim të dhjetorit. Ajo gjithashtu tha se Qeveria e Kosovës synon të shpejtojë reformat e nevojshme në rrugën e integrimit evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button