Debati për amendamentin e dytë, Zaev: Jam i gatshëm të paguaj çmim politik

“Konteksti historik është ruajtur, ndërkaq e drejta për vetëvendosje është e pranuar nga Greqia. Jam i gatshëm të paguaj çmim politik, por ajo është e rëndësishme për Maqedoninë”, deklaroi kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, në debatin për draft-amendamentet e Kushtetutës në Komisionin për Çështje Kushtetuese. Ai tha se është thellë i bindur se garantohet ardhmëria për gjeneratat të cilat vijnë, njofton Portalb.mk.

Në replikat e deputetëve për draft-amendamentin e dytë, për të cilën po diskutohet gjatë pasdites, kryeministri theksoi se nuk do të ketë marrëveshje më të mirë dhe se të dy palët fitojnë nga marrëveshja.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski propozoi që në Preambulën e Kushtetutës të vendosen edhe tre dokumente, edhe atë Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë nga viti 1991, por edhe kushtetutën rebele të Kryengritjes së Kresnës dhe Organizata e Fshehtë Maqedonase e Edrenesë (OFME).

Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa me kryetar Bilall Kasamin edhe sot i kanë përsëritur qëndrimet e tyre se hapja e Kushtetutës është moment i mirë që të bisedohet për të gjitha çështjet e hapura dhe kanë propozuar që Maqedonia në Preambulën e saj të definohet si shtet multietnik.

Në draft-amendamentin e dytë propozohet që vendimet e KAÇKM-së të ndryshohen me shpallen e KAÇKM-së dhe të vendoset Marrëveshja Kornizë e Ohrit.

Debati i ditës së dytë mbaroi në ora 17 dhe vazhdon nesër në ora 13.

U miratua teksti i amendamentit 33 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë

Në Komisionin për Çështje Kushtetuese sot në debatin për draft amendamentet e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë me 10 vota për, 5 kundër dhe asnjë të përmbajtur u miratua teksti amendamentit 33, transmeton.

Në këtë amendament u votua që në kushtetutë fjala “Republika e Maqedonisë”, të zëvendësohet me fjalët “Republika e Maqedonisë së Veriut”, ndërsa fjala “Maqedoni” zëvendësohet me fjalët “Maqedonia e Veriut”, përveç nenit 36.

Në vazhdimin e seancës së komisionit, kryeministri Zoran Zaev e arsyetoi amendamentin e 34 për të cilin po flitet.

Debati i parashikuar për një amendament mund të zgjasë më së shumti tre ditë. Komisioni dje e filloi seancën për amendamentet.

Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski propozoi amendamentet të veçantë për mbrojtje nëse nuk kalon marrëveshja me Greqinë.

Ai tha se edhe pse Qeveria ka paralajmëruar kjo do të përmbahet në ligjin kushtetues, megjithatë duhet të vendoset në draft-amendamentet. Micevski arsyetoi se nevoja për amendamentin e veçantë vjen për shkak rrezikut që Maqedonia të jetë shtet që ka vendosur të vetprishet, nëse Greqia nuk e ratifikon marrëveshjen ose nga cila do shkaqe procesi nuk arrin sukses.

Micevski apeloi që të gjithë deputetët të mendojnë sepse pas përfundimit të ndryshimeve kushtetuese nuk do të ekzistojë më Republika e Maqedonisë.

Ky debat duhet të zgjasë 12 ditë,  tema kryesore ishin identiteti dhe emri i Maqedonisë. Seanca plenare në Kuvend ku do të diskutohet për draft amendamentet është caktuar për më 1 dhjetor 2018.

Diskutimi i draft amendamenteve erdhi pas fazës për përpilimin e tyre, që rezultoi me hapjen e kushtetutës së Maqedonisë, më 19 tetor të 2018-s në Kuvendin e Maqedonisë. Miratimi u mundësua me votën “për” të 80 deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë, përfshirë edhe 8 deputetë të VMRO-DPMNE-së, për të cilët në Kuvendin e Maqedonisë u formua Komision për Pajtim Nacional dhe grup parlamentar, pasi që u përjashtuan nga partia.

LEXO: Qeveria i ka miratuar propozim-amendamentet, Marrëveshja e Ohrit do të vendoset në Preambulë

Çfarë pas diskutimit në Komisionin për Çështje Kushtetuese?

Pas miratimit të draft amendamenteve kushtetuese në Komisionin amë, të njëjtat do të kalojnë edhe nëpërmjet kontrollit Komisionin Juridik-Ligjvënës, në përbërje të Sonja Mirakovska – kryetare, Frosina Remenski – zëvendëskryetare, dhe anëtarëve: Kostadin Kostadinov, Betiane Kostov, Sashko Kostov, Beti Naumovska, Ejup Alimi, Vesel Memedi, Zoran Ilioski, Nada Cipusheva, Vesna Pemova, Pavlinçe Çestojnova, Ivan Stoilkoviq, Nevenka Stamenkovska dhe Fadil Zendeli.

Kurse zëvendësanëtarë janë: Enes Ibrahimi, Mira Sojeçevska, Ilija Nikollovski, Mirosllav Jovanoviq, Samka Ibraimovski, Agim Shaqiri, Surija Rashidi, Bllagica Llasovska, Emilija Aleksandrova, Nikolla Micevski, Ivan Ivanov, Liljana Popovska, Dafina Stojanovska dhe Afrim Gashi.

Pasi që Kuvendi me shumicë absolute, gjegjësisht me përkrahjen e 61 deputetëve do të deklarohet për çdo amendament të amendamenteve kushtetuese, do të caktohet seancë për ndryshim të Kushtetutës për të cilën është e nevojshme shumicë prej dy të tretave dhe me këtë bëhet ndryshimi i Kushtetutës.

Ndryshimet kushtetuese parashihen me marrëveshjen e Prespës e cila është kusht për nisjen e procesit integrues të Republikës së Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian.

LEXO: Pesë kaluan, kanë ngelur edhe 10 hapa deri në ndryshimin e Kushtetutës

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button