Kalaja multietnike, ngadhënjim apo kompromis politik?

Marrëveshja politike e BDI-së dhe VMRO-së për ndërtimin e tre muzeve në Kalanë e Shkupit pa simbole fetare paraqet  instrumentalizim politik të trashëgimisë kulturore. Kështu thotë Ramadan Ramadani, doktorant i trashëgimisë kulturore duke theksuar se nuk pajtohet as edhe me vendimn që të ndërtohet në një vend si Kalaja e Shkupit.

“Marrëveshja politike e arritur për ndërtimet në Kala nuk është transparente në pjesën se ku është gjetur mbështetje ligjore për të ndërtuar çfarëdo qoftë objekti, në një vend si Kalaja e Shkupit. Marrëveshja ka edhe defekt shkencor historik dhe bëhet një manipulim me klasifikimin e periudhave. Kjo marrëveshje bile mund të quhet e dëmshme pasi me te bëhet tentim për legjitimim të instrumentalizimit politik të trashëgimisë kulturore, fenomen ky prej të cilit më së shumti kanë pësuar mu qytetarët shqiptarë dhe trashëgimia kulturore dhe historike e tyre. Politikisht ajo marrëveshje është bërë sërish me të njëjtat struktura dhe persona pa ndonjë garanci shtesë. Është pra ai i njëjti, Pasko Kuzman, i cili kishte thyer një marrëveshje paraprake dhe bëri precedentin në historinë e Maqedonisë, shteti të ndërtojë natën dhe tinzërisht! “ – thotë Ramadan Ramadani, doktorant i trashëgimisë kulturore. 

Sipas tij, me këtë marrëveshje, simboli i qytetit rrezikon të mbetet e mbyllur edhe gjatë kohë për qytetarët e Shkupit.

“Më e keqja është se me këtë marrëveshje Kalaja e Shkupit ka gjasa të mbetet e mbyllur edhe për gjatë kohë në të ardhmen, gjë kjo që më së shumti ka dëmtuar interesat e qytetarëve të Shkupit të cilët jo rrallë herë shfrytëzonin Kalanë e Shkupit si vend për piknik të shkurtë pasditor dhe shëtitje” – thotë Ramadani.

Por nga ana tjetër,historianët shqiptarë përshëndetën marrëveshjen, duke konsideruar se kjo marrëveshje gjunjëzoj Pasko Kuzmanin dhe bashkëmdendimtrët e tij.

 “Vlerësojmë se me këtë ka ngadhënjyer arsyeja e shëndoshë dhe drejtësia, dhe më në fund edhe pseudoshkencëtarët maqedonas janë bindur para fakteve të pamohueshme që në vazhdimësi i ka prezantuar Shoqata e Historianëve Shqiptarë të Maqedonisë, lidhur me të kaluarën historike të Shkupit iliro-shqiptar. Me këtë akt, edhe Pasko Kuzman pranoi realitetin se në Kalanë e Shkupit ekzistojnë themelet e shtëpive dardane-pajone, dhe me këtë u vërtetua lufta e drejtë e me fakte e historianëve shqiptar dhe shoqërisë civile shqiptare në Maqedoni. Fakti që këto muze do të jenë pa simbole fetare, dëshmon gjunjëzimin e Kuzmanit dhe të bashkëmendimtarëve të tij, për të ngritur kryqin e kishës ortodokse sllave në Kalanë e Shkupit” – thonë nga Shoqata e Historianëve Shqiptar në Maqedoni.

Ndërkaq Drejtori i Qendrës për konservim, Behixhudin Shehapi konsideron këtë marrëveshje si të mirë pasi që ajo sipas tij paraqet karakterin multikulturor të Kalasë së Shkupit.

Ky është një kompromis, pas gjithë asaj që ndodhi në Kalanë e Shkupit. Ne atëherë arritëm që ta ndalojmë atë objekt sepse nuk reflekton multikulturën e Kalasë së Shkupit. Tash do të kemi tre muze, atë të periudhës mesjetare bizantine, muzeu i kulturës osmane apo islame, dhe muzeu i tretë, ai i periudhës parahistorike, apo asaj dardano-ilire. Kështu Kalaja do të merr një pamje multikulturore dhe do të vijnë në shprehje civilizime të ndryshme. Mendoj se është marrëveshje e mirë, nuk është ndonjë marrëveshje e mrrekullueshme, por një marrëveshje e mirë, që do të kontribojë për Kalanë multietnike dhe do të ul tensionet në Shkup, të shkaktuara pas ndërtimit të Kishës – muze në Kala” – thotë Behixhudin Shehapi.

Partnerët e koalicionit BDI dhe VMRO u morën vesh që në Kala të ndërtohen: Muzeu i periudhës parahistorike (në bazën e mbetjeve të shtëpisë dardano-pajone), Muzeu i periudhës mesjetare (në bazën e themeleve të kishës bizantine), dhe Muzeu i periudhës osmane (në bazën e themeleve të kullës osmane).

“Kalaja u takon të gjithëve dhe periudhave të ndryshme të historisë, së shpejti do të nisin ndërtimet” ka thënë Izet Mexhiti për marrëveshjen politike mes dy partive në pushtet. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button