Maqedoni, ATO në përbërje do të ketë edhe njërëz që më parë kanë punuar në DSK dhe MPB (VIDEO)

Sot në Maqedoni ka hyrë në fuqi ligji i ri për ndjekjen e komunikimeve dhe ka nisur me punë Agjencia Teknike Operative (ATO) nën kompetencë të së cilës është sistemi për ndjekjen e komunikimeve. U premtua se ATO do të jetë i pavarur dhe nuk do të bie pre e ndikimeve nga opozita dhe pushteti, edhe pse paralajmërimi për nisjen e punës së saj u realizua në Qeveri dhe nga MPB-ja, transmeton Portalb.mk..

Drejtori i ATO-s, Zoran Angellovski

Drejtori i ATO-s, Zoran Angellovski premtoi se nuk do të përsëriten “bombat”.

“Ju dëshmoj se nuk ekziston mundësi as praktike dhe teorike për keqpërdorim të masave të veçanta hetuese, dhe se nuk do të përsëriten “bombat” dhe se nuk do të ketë afera si në të kaluarën. Agjencia do të funksionojë si trup i pavarur, ashtu është me ligj, dhe ashtu do të jetë, dhe me këtë ju garantoj se nuk do të ketë asnjë ndikim, as nga opozita as nga pushteti”, tha drejtori i ATO-s, Zoran Angellovski.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spavoski tha se Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim, e cila më parë kishte nën kontroll sistemin për ndjekjen e komunikimeve, nuk do të ketë më qasje ndaj sistemit, dhe se më këtë pikat kyçet të kritikave të raportit të Pribesë janë zgjidhur.

“Ligji për ndjekjen e komunikimeve, nisja me punë e ATO-s dhe ligji për procedurë penale janë pjesë e pakos ligjore për reforma në sistemin e ndjekjes së komunikimeve. Kritikat kyçe të raportit të Pribesë janë zgjidhur, DSK-ja nuk ka qasje direkte ndaj aparaturës dhe ndaj përmbajtjes së sistemit përgjues, përveç për ato materiale të cilat janë kërkuar nga DSK-ja dhe për të cilat Gjykata ka dhënë pëlqim”, tha Spasovski.

Kurse drejtori i ATO-s, Zoran Angellovski njoftoi se nisja e funksionimit bëhet me kapacitet të plotë, por tha se konkursi për punësime do të hapet në janar të 2019-s.

ATO do të ketë në përbërje njerëz nga DSK-ja

Nga ana tjetër, diskutabile është çështja se si ATO si organ i pavarur, dhe që nuk duhej të kishte në përbërje njerëz që kanë punuar në DSK, nga 35 individë sa do të ketë në përbërje, 7 janë nga MPB-ja, 4 nga Drejtoria për Siguri dhe 3 nga DSK-ja.

“Duhet të mbahet llogari edhe përfshirjen e barabartë etnike dhe gjinore në Maqedoni”, tha Angellovski.

Por, për ish pjesëtarët e DSK-së Angellovski njoftoi se dëshminë se ata nuk kanë qenë të përfshirë në skandalin e përgjimeve, e ka marrë edhe Prokuroria Speciale Publike (PSP).

“Punësimi ishte vendim personal i imi, nuk kisha trysni nga askush, duhet ta theksoj, unë dal nga këto shërbime, kam punuar në DSK, dhe i njoh njerëzit atje. Kam bërë matjet e mija, dhe zgjedhja ime ishin këto tre persona. Personat janë korrekt dhe profesional në raport me atë çfarë ka ndodhur më parë. Nuk kanë qenë të përfshirë në asnjë mënyrë në atë çfarë ka ndodhur. Ndoshta edhe nuk duhet t’ua them, por në fund për këto është konsultuar edhe PSP-ja, që të vërtetojmë se ato njerëz kanë ose jo lidhje me aferën”, tha Angellovski, transmeton Portalb.mk.

ATO do të kontrollohet dhe nga OJQ-të

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski

Përveç Komisionit për Mbikëqyrje të Realizimit të Masës së Veçantë Hetuese për Ndjekjen e Komunikimeve, Komisionit Civil, Komisionit për të Dhëna të Klasifikuara dhe Komisionit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ATO do të kontrollet edhe nga grupe ekspertësh dhe organizata joqeveritare, por tërë kjo do të zhvillohet nëpërmjet Kuvendit të Maqedonisë.

“Komisionet në çdo kohë do të kenë mundësi të kryejnë mbikëqyrje ndaj punës së ATO-s, e dyta ato do të mund të angazhojnë ekspertë që të mund të ju ndihmojnë në kryerjen e kontrollit, është formuar edhe këshill qytetarësh nga OJQ të cilat punojnë në këtë fushë, dhe gjithashtu kemi edhe kontroll prej ekspertëve në nivel të grupeve ekspertësh”, tha ministri Oliver Spasovski.

5 institucione do ta marrin sinjalin nga ATO

Drejtoria për Siguri, Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim, Policia Financiare, Policia Doganore, Drejtoria Doganore dhe grupi hetues i Prokurorisë do të jenë institucionet që do ta marrin sinjalin e sistemit të ndjekjes së komunikimeve nga ATO. Megjithëse deri në janar ATO do të funksionojë me 7 njerëz, sipas Angellovskit ka kushte teknike për transmetin të sinjalit.

“Nuk pres se do të ketë punësime para janarit, me këto 7 njerëz ne do të përpiqemi, jo se do të përpiqemi, por duhet ta tranzitojmë këtë periudhë. Kushte teknike për lidhjen e tyre tashmë ka, ato janë përpiluar. Aparatura është blerë, kemi disa punë funksionale të cilat duhet të ndërtohen që të mund edhe ata të kyçen në sinjalin”, tha Angellovski.

Lokalizimi i ATO-s në objektin e Telekomit në Qendër të Shkupit, sipas drejtorit të ATO-s nuk paraqet problem për oponentin tjetër mobil “One”, ngaqë ATO përveç se ka për detyrë të përcjell sinjalin, ka për obligim edhe të kontrollojë operatorët.

 

Përndryshe, për qytetarët, nisja me punë e ATO-s ka një rëndësi të veçantë, pasi që nga pavarësia e Maqedonisë e deri më sot, ata, politikanë, gazetarë, sipërmarrës, ambasadorë dhe figura publike janë përfshirë në dy skandale të mëdha të përgjimit ilegal.

Skandali i parë “Veshi i madh”

Ky skandal nisi në janar të 2000-s, nga lideri i atëhershëm i opozitares Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, Branko Cërvenkovski, por funksionarët të cilët dyshoheshin si të përfshirë në atë skandal, u amnistuan nga kryetari i atëhershëm i Maqedonisë, Boris Trajkovski.

Skandali i dytë “Bombat”

Ky skandal nisi 15 vjet më vonë, në vitin 2015 nga lideri i atëherë opozitares, tash në pushtet Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, Zoran Zaev.

Ky skandal i parapriu themelimit të Prokurorisë Speciale Publike (PSP) e cila përfundoi me akt prokurorial për “Target – Fortesa”, në të cilën PSP-ja e akuzon ish udhëheqësinë e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK) për përgjim ilegal të mbi 20 mijë qytetarëve, dhe për shkatërrim të materialit dhe aparaturës nëpërmjet së cilës është kryer vepra penale.

Pas formimit të ATO-s, reformohet DSK-ja

Detyrë e ATO-s do të jetë mbikëqyrja e sistemit të përgjimeve, funksion të cilin më parë e ka kryer DSK-ja e cila për momentin është në fazën e procesit konsultativ për zgjedhjen e modelit funksionues të tij. Reformat në DSK kanë nisur si rezultat i skandalit të përgjimeve – “Bombave” të cilat nxitën krizë politike në Maqedoni.

LEXO: Modeli funksionues, DSK-ja të ndahet nga MPB-ja 

Përndryshe, ditë më parë Portalb.mk njoftoi se konsultimet e grupit punues për zgjedhjen e modelit të ri të funskionimit të DSK-së nuk kanë filluar. Modelin e ri të DSK-së, MPB-ja duhet t’ia prezantojë Qeverisë së Maqedonisë më së voni deri më 15 nëntor.

Pjesë e grupit punues janë 32 anëtarë nga institucione shtetërore dhe organizata joqeveritare.

LEXO: U formua Komisioni për bartjen e pajisjeve teknike edhe të dokumenteve nga MPB-DSK në ATO (për përgjime)
LEXO: Do të formohet Agjencia ATO e cila do t’i zhvillojë përgjimet në Maqedoni
LEXO: Propozim-rebalanci buxhetor, janë paraparë mjete edhe për Agjencinë ATO
LEXO: Skandali me përgjimet, Portalb mësoi emrat e individëve që do ta reformojnë DSK
LEXO: Kuvendi sot e ka votuar Zoran Angellovskin për drejtor të ATO-s

Drejtoi i ri i ATO-s, Zoran Angellovski beson se nuk po përgjohet më në mënyrë ilegale

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button