Pastërtia në Tetovë: Problemi me mbeturinat ndërtimore edhe gjatë kohë nuk do të zgjidhet

Problemi me hedhjen dhe grumbullimin e mbeturinave ndërtimore në Tetovë nuk do të zgjidhet në periudhë të shkurtër edhe pse autoritetet komunale premtuan se në vitin 2019-të njëjtën do e rregullojnë, duke e pasur parasysh se momentalisht nuk ka ndonjë plan apo projekt për ndërtimin e ndonjë deponie të këtillë. Qeveria do të ndërtojë deponi të reja me standarde ekologjike, por të njëjtat do të jenë vetë për mbeturinat komunale dhe jo edhe për ato inerte. Ekspertët thonë se kostoja mesatare për ndërtimin e një deponie për materiale inerte është 25 milionë euro, që është e papërballueshme për komunat, shkruan Portalb.mk.

Mbeturina ndërtimore, Tetovë
Mbeturina ndërtimore, Tetovë

Qeveria e Maqedonisë, i ka marrë nën kompetenca menaxhimin e deponive në vend, ndërkaq Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor me para nga IPA fondet, po bën përgatitjet për fillimin e ndërtimit të gjashtë deponive rajonale për mbeturina komunale, të cilat do t’i zëvendësojnë vend-grumbullimet aktuale të mbetjeve të cilat nuk i plotësojnë standardet. Por, ndërtimi i këtyre deponive nuk do ta zgjidh problemin me mbeturinat e materialeve inerte apo mbeturinave ndërtimore, pasi që të njëjtat janë vetëm për mbeturinat e amvisërive dhe koshave të plehrave.

“Gjashtë deponitë rajonale që po planifikohet të ndërtohen janë vetëm për mbeturinat komunale dhe në këto deponi nuk parashihet që të ndërtohen mbeturina për materialet inerte apo ndërtimore dhe materialeve të rrezikshme. Deponitë për materiale inerte kanë standarde tjera që duhet të përmbushen dhe nuk munden të hidhen me një vend me mbeturinat komunale, e njëjta gjë vlen edhe për mbeturinat e rrezikshme”, thotë për Portalb.mk Besa Tateshi nga Ministria e Ekologjisë.

Sipas kësaj, premtimi i kryetares së Tetovës, Teuta Arifi se gjatë vitit 2019-të do ta zgjidh çështjen në fjalë, sipas të gjitha gjasave nuk do të realizohet.

“Problemi i deponisë për materiale të forta është një problem në vete dhe jemi duke i shqyrtuar disa lokacione, shpresojmë se brenda vitit 2019-të do të gjejmë zgjidhje për këtë problem”, tha Arifi më 24 shtator të këtij viti, kur me fond prej 7.8 milionë franga nga Agjencia Zvicerane, Komuna e Tetovës, Gostivarit, Zhelinës dhe Bogovinës, bashkërisht e filluan projektin për standardizimin e deponisë Rusino.

Sa kushton një deponi për materiale inerte dhe kush duhet ta ndërtojë?

Mbeturina inerte janë mbeturinat të cilat nuk pësojnë ndonjë ndryshim të rëndësishëm fizik, kimik dhe biologjik në vendet ku janë deponuar. Si shembuj të këtyre mbeturinave mund të merren rëra dhe betoni. Mbeturinat inerte nuk treten, nuk ndizen ose nuk reagojnë fizikisht apo kimikisht, nuk biodegradojnë në kontakt me materiet tjera, nuk ndikojnë në mënyrë të ndjeshme në mjedisin dhe shëndetin e njeriut. Për këtë lloj të mbeturinave zakonisht kërkohet tarifë më e ulët se sa për mbetjet e rrezikshme.

Ndërtimin e një deponie për materiale inerte mund ta bëjë Qeveria, me para të buxhetit ose në bashkëpunim me komunat, por edhe duke gjetur fonde nga jashtë. Tani për tani, për rajonin e Pollogut nuk ka ndonjë plan për ndërtimin e ndonjë deponie të këtillë, e cila do ta rregullonte problemin e deponisë.

Ekspertët thonë se kostoja e një deponie të këtillë është e lartë për autoritetet lokale dhe për këtë duhet që të ndërhyjë qeveria, ose të kërkojnë fonde prej jashtë vendit.

“Një sistem për menaxhim me mbeturinat ndërtimore kushton mbi 25 milionë euro. Komunat nuk kanë mundësi që të përballin një kosto të këtillë qofshin vetë apo të organizuara në mënyrë rajonale“, thotë për Portalb.mk, Bllazhe Josifovski nga organizata “Hajde Maqedoni”.

Murtezan Ismaili
Murtezan Ismaili

Në anën tjetër, profesori universitar dhe eksperti për ekologji, Murtezan Ismaili thotë se kërkohet vullnet nga udhëheqësia komunale, ndërkaq i thekson edhe disa kritere të cilat duhet të plotësohen për të pasur një deponi të tillë në Tetovë.

“Deponitë e ngurta për të qenë në një qytet duhet t’i plotësojnë disa kritere si për shembull të kenë vend të përshtatshëm pasi që nuk janë të dëmshme për qytetin apo ambientin, duhet të ketë hapësirë të mjaftueshme pasi që mund edhe një pjesë e tyre të riciklohet dhe të shfrytëzohet përsëri, si hekuri dhe asfalti, por edhe pjesët e betonit mund të përpunohen dhe të shndërrohen në rërë, dhe nëse e shohim në këtë aspekt kjo do të ishte më shumë ekologjike, por nëse kjo gjë është e shtrenjtë dhe kushton shumë. Atëherë do ishte e mjaftueshme që mbeturinat e forta apo të ngurta vetëm të kenë hapësirë të mjaftueshme në mënyrë të organizuar që të mos hidhen në vend e pa vend që më pas sjellin problem“, thotë Ismaili.

Ndryshe, Komuna e Tetovës nuk ka deponi për materialet e ngurta andaj nëpër vende publike janë hedhur me traktorë dhe kamionë mbeturina ndërtimore. Autoritetet duhet të angazhohen që sa më parë ta realizojë premtimin, i cili do të parandalonte kaosin me hedhjen pa-kontroll të këtij lloji të mbetjeve. Nga ana tjetër autoritetet e Tetovës për 9 muaj nuk kanë dënuar asnjë person për hedhje të mbeturinave ndërtimore.

Qytetarët kërkojnë:

Ndërtimin e një deponie për materiale të ngurta që një herë e përgjithmonë të vihet rregull në lidhje me hedhjen e mbeturinave ndërtimore. 

– Sipas ligjit, personat fizik që kapen duke hedhur mbeturina ndërtimore dënohen me shumë parash prej 150 deri në 200 euro, ndërkaq personat fizik me 4.000 euro.
–  Ne aplikacionin  “E-report” (kliko mbi të për ta hapur) ku qytetarët mund të raportojnë për sjelljet e pandërgjegjshme të personave fizik dhe juridik të cilët me veprimet e tyre ndotin ambientin jetësor.

LEXO më shumë për Dosjen: Pastërtia në Tetovë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button