Projekte diskriminuese, shqiptarët me gisht në gojë

Në vend të përmirësimit të standardit të qytetarëve ndodh pasurimi personal i individëve të pushtetit. Paratë e popullit që janë mbledhur në buxhet e që i  shpenzohen Qeveria ndahen në mënyrë diskriminuese – edhe në baza etnike edhe në baza partiake, vlerësojnë opozitarët e bllokut politik shqiptar.

Sipas Ligjit për zhvillim të barabartë ekonomik për investime në mjediset rurale duhet të shpenzohen mjete buxhetore në vlerë prej 1 për qind të Bruto Prodhimit Vendor. Por si dhe a vepron garnitura qeveritare konform ligjit? Akuza të ashpra nga partia e Rufi Osmanit, ligji nuk respektohet, në terren ka diskriminim të plotë kur ndahen paratë buxhetore, theksojnë për Portalb nga RDK.

“Komuna e Gostivarit qëkur udhëhiqet nga lideri ynë i partisë tërësisht diskriminohet lidhur me investimet qeveritare në të gjitha sektorët. Me buxhetin e parë të këtij viti vetëm 4 për qind e investimeve kapitale të parapara në Maqedoni, u planifikuan për investim në popullatën rajonale me shqiptarë. Por kjo përqindje u zvogëlua në rreth 1 për qind me rebalancin e buxhetit”, thekson Artan Dika nga RDK.

Nga ana tjetër që të nxitet zhvillimi rajonal u formuan dy institucione kyçe: Byroja për zhvillim dhe Qendra për zhvillim, Nga RDK zbulojnë njohuri skandaloze. “Si shembull është Qendra e Pollogut për zhvillim rajonal e cila jo vetëm që fare nuk funksionon por nuk është në gjendje t’i mbulojë shpenzimet operative për funksionimin e saj e lëre më të alokojë mjete për tejkalimin e këtyre dispariteteve”, pohojnë nga partia e Osmanit.

Investimet kapitale në rajon me popullatë dominante shqiptare janë shkruar vetëm në letër, konsiderojnë nga PDSH-ja e Menduh Thaçit.

“Nga viti 2008 e këndej është praktikë në shtet që edhe këto 3 deri 4 për qind e investimeve kapitale të parapara me buxhet ndërsa të dedikuara për rajonet me popullatë shqiptare, më pas me rebalanc të vihen në 0 për qind. Shembulli më i mirë për këtë është Zona e Lirë në Tetovë. Projekti u miratua nga ana e PDSH-së që në vitin 2008, në pako me projektin Bunarxhik. Si pasojë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, fituam shumicë të re parlamentare, që është në pushtet deri më sot. Tani kemi Zonë të Lirë funksionale në Bunarxhik, ku ka më shumë investitorë të huaj me disa mijëra të punësuar, ndërsa nga ana tjetër në letër dhe në 3D prezantime mbetet Zona e Lirë – Tetovë”, thekson Zijadin Sela, nga PDSH.

Pikërisht Zonat e Lira Ekonomike, sipas partive shqiptare janë reper për shpërndarjen joproporcionale të investimeve kapitale. Me rebalancin e buxhetit për këtë vit 2012, Ministria e Ekonomisë, në krye të së cilës është Valon Saraçini ka në diskonim 5.2 milionë euro për ndërtimin e zonave të reja dhe zhvillimin e atyre ekzistuese ekonomike. Në programin e Ministrisë shkruan se me këto para do të financohet Bunarxhik 1 dhe 2, si dhe zona ekonomike në Shtip. Janë hartuar projektet për objektet infrastrukturore në Prilep, Gjervgjeli dhe Radovish, në rrjedhë ka qenë procedura për projekte individuale për infrastrukturë në Kërçovë dhe hulumtime në terren për zona të reja në Rakovc, Strugë, Strumicë dhe Gjevgjeli.

Artan Dika nga RDK konsideron se BDI-ja e Ali Ahmetit, ndonëse në kontinuitet është pjesë e garniturës qeveritare, nuk arriti të përcjellë rezultate për shqiptarët etnik.

“Ndonëse gjatë dhjetë viteve të fundit ministrat nga radhët e BDI-së kanë udhëhequr dhe udhëheqin me Ministrinë e Ekonomisë, investimet e huaja tërësisht janë të koncentruara në Zonat e Lira Ekonomike në qytete të banuara me joshqiptarë ndërsa Zona e Lirë në Tetovë ende fare nuk është ndërtuar”, thekson Dika.

Qëndrim të ngjashëm për investime kapitale ka edhe PDSH “Që ironia të jetë më e madhe tani kemi edhe disa zona të lira ekonomike të lëna në letër nga shumica e tanishme parlamentare, siç janë zonat ekonomike në Kërçovë dhe në Strugë, ku për hir të së vërtetës, përveç benefiteve për individë, s’ka investime”, thekson Sela nga PDSH.

Nga partia e Rufi Osmanit konsiderojnë se nuk po zbatohet vetëm diskriminim etnik, por edhe partiak. “Sipas analizave tona, vetëm një pjesë e mjeteve të cilat I financon Banka Botërore dhe Banka Evropiane për Zhvillim alocohen në pajtim me kriteret e përcaktuara prej këtyre institucioneve ndërsa të gjitha investimet kapitale të cilat financohen nga institucionet qeveritare për ndërtimin e shkollave, salleve të sportit, rrugëve, rrjetet kanalizuese dhe ujësjellësit shpërndahen vetëm në komunat që udhëhiqen nga VMRO DPMNE-ja dhe pjesërisht nga BDI-ja”, theksojnë nga RDK.

Në konceptin e tanishëm të shpërndarjes së parave buxhetore, PDSH-ja opozitare sheh politikë populiste për ruajtjen e pushtetit. “Me keqardhje them se koncepti për shpërndarje proporcionale të buxhetit abuzohet nga ana e partive qeveritare e veçmas nga ana e BDI-së me të vetmin qëllim që të vazhdohet me gënjeshtrën shumëvjeçare  mbi popullin shqiptar se pas vitit 2001 më mirë jetohet dhe se më shumë investohet si dhe shqiptarët janë duke marrë pjesën e tyre të buxhetit”, konstaton Sela nga PDSH.

Cilat janë projektet e realizuara të fundit në komuna me popullatë dominonte shqiptare, a është ”Sheshi Skënderbeg” vetëm balancim etnik ose projekt real, me efekte konkrete për qytetarët.

Qëndrimet e politikanëve shqiptarë, në analizën e radhës së Portalb!

Aneta Dodevska, bashkëpunëtore e jashtme e Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button