Pastërtia në Tetovë: Në vitin 2019 NPK-ja premton se do të furnizojë 200 kosha të rinj me kapakë

Problemin e koshave të plehrave pa kapakë, që është një nga pengesat kyçe për mirëmbajtjen e pastërtisë në Tetovë, Ndërmarrja Publike Komunale (NPK) e Tetovës premton se do të fillojë ta zgjidh gjatë vitit të ardhshëm. Kjo ndërmarrje planifikon të zëvendësojë gjysmën e tyre me kosha të rinj të cilët do të kenë kapakë, njofton Portalb.mk.

Autoritetet komunale të Tetovës, premtojnë se gjatë vitit 2019-të do të furnizojnë 200 kosha të rinj të plehrave të cilët do të jenë me kapakë dhe do të vendosen në mbarë qytetin. Pos kësaj, ata parashohin që të furnizojnë edhe 2,000 kosha të vegjël për mbeturina, të cilat do të shpërndahen nëpër shtëpi.

Drejtori i NPK - Tetovë, Xhelal Ceka
Drejtori i NPK – Tetovë, Xhelal Ceka

“Gjatë plan programit të vitit 2019 kemi paraparë që të furnizojmë 200 kosha për plehra në qytet të cilët do të kenë edhe kapak, por edhe 2,000 kosha për mbeturina të cilët do t’i shpërndajmë nëpër shtëpi. Qëllimi është që edhe qytetarët të jenë të furnizuar me kosha adekuat për plehra.  Vlera e koshave është 1 milion denarë, ndërkaq paratë do të sigurohen nga buxheti i ndërmarrjes”, thotë për Portalb.mk, drejtori i NPK-së, Xhelal Ceka.

Qyteti i Tetovës gjithsej ka 522 kosha të plehrave, ndërkaq momentalisht vetëm 120 prej tyre kanë kapakë.

Nëse gjatë vitit 2019-të NPK-ja e realizon premtimin, atëherë ngelet që edhe 222 të tjerë do të duhet që të zëvendësohen në vitin 2020.

Koshat që do të largohen nga përdorimi ose do të zëvendësohen me të rinj, fillimisht dërgohen në mekanizmin e kompanisë të cilët riparohen për ripërdorim, por nëse janë dëmtuar shumë dhe janë të pa riparueshëm, komisioni i ndërmarrjes vendos nëse të njëjtat do të shiten për hekur.

“Koshat të cilat i nxjerrim nga përdorimi i dërgojmë te mekanizmi dhe atje kemi të punësuar që i rregullojnë, ndërkaq nëse të njëjtë janë shumë të shkatërruar atëherë krijohet një komision i cili vendos se çka do të bëhet me të njëjtë, kur koshat janë të pariparueshme ata dërgohen për t’u shitur si hekur”, shpjegon Ceka për Portalb.mk.

Foto nga koshat e plehrave në Tetovë, data e fotografimit: 15.10.2018
Foto nga koshat e plehrave në Tetovë, data e fotografimit: 15.10.2018

Ndryshe, paraprakisht informuam se 80% e koshave të plehrave në Tetovë nuk kanë kapakë. Për shkak këtij problemi kanë reaguar edhe banorët, të cilët janë ankuar se mungesa e kapakëve bën që koshat të shpërndajnë erë të keqe. Autoritetet thanë se kapakët janë djegur gjatë kohës së dimrit, ndërkaq ata janë pengesë në punën e punëtorëve të higjienës komunale.

Pos problemit të kapakëve, Portalb.mk, informoi se nuk koshat nuk pastrohen dhe mirëmbahen në kohë. Ndërsa ajo që e rëndon më shumë situatën, është fakti se mbeturinat që hidhen në to nuk seleksionohen andaj stërmbushen me materiale të llojllojshme.

Njëri prej problemeve u premtua se pjesërisht do të zgjidhet, ndërkaq nevojitet konkretisht edhe:

Pastrimi i koshave të organizohet në mënyrë më efikase nga NPK dhe Komuna e Tetovës të gjejë zgjidhje për problemin e selektimit të mbeturinave.

Çdo qytetar që ka ankesa për papastërtinë në Tetovë, mund të paraqet në numrin fiks të telefonit 044 331 167. Rikujtojmë qytetarët gjithashtu se sipas ligjit për pastërti publike, çdo person fizik nëse kapet duke hedhur, leckë, shpuzë cigaresh, apo të ngjashme do të gjobitet me 50 euro, ndërkaq nëse kapet duke hedhur materiale ndërtimore, parashihet gjobë prej 150 deri në 200 euro.

LEXO MË SHUMË PËR TEMËN NË SHKRIMET E MËPOSHTME:

Pastërtia në Tetovë: koshat e stërmbushur janë jofunksional dhe duhet të zëvendësohen (FOTO)

Koshat e plehrave nuk pastrohen në kohë, NPK Tetova fajëson qytetarët që hedhin materiale ndërtimore

“Tetova evropiane” e papastër, Ceka: I fotografojnë koshat e plehrave pak para se t’i mbledhim mbeturinat (FOTO)

Tetova assesi të “lirohet” nga mbeturinat, edhe pika për ngarkim-shkarkim shndërrohet në deponi të egër (FOTO)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button