Shqipëri, sot në kuvend diskutohet për imunitetin

Sot rreth orës 10:00 është mbledhur Parlamenti i Republikës së Shqipërisë në seancën e veçantë për votimin e ndryshimeve kushtetuese për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë.

Megjithëse mazhoranca edhe opozita kanë miratuar një draft të përbashkët në Këshillin e Legjislacionit dhe Komisionin e ligjeve për këtë çështje, sërish qëndrimi i opozitës mbetet për tu verifikuar gjatë seancës plenare, pasi kërkon që ndryshimet kushtetuese mos të përfshijnë vetëm heqjen e imunitetit të zyrtarëve, por të bëhen ndryshime të plota që lidhen edhe me emërimet e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë apo të asaj Kushtetuese.

Në këtë drejtim opozita kërkon më shumë kohë dhe që këto ndryshime të votohen bashkërisht me fillimin e sesionit të ri parlamentar në muajin shtator, derisa mazhoranca këmbëngul se pjesë e këtyre ndryshimeve duhen bërë vetëm pikat në të cilën në Kushtetutë të parashikohet heqja e imunitetit të zyrtarëve të lartë.

Partia Demokratike i ka bërë thirrje selisë rozë që deputetët socialistë të votojnë heqjen e imunitetit, sepse në të kundërtën rrezikohet mosmarrja e statusit të vendit kandidat për në BE, njofton BalkanWeb.

PS mbledh grupin parlamentar

Partia Socialiste mblodhi rreth orës 09:15, grupin parlamentar të saj për të vendosur përfundimisht qëndrimin që do të mbajë në seancën e sotme parlamentare. Mbledhja zgjati vetëm 5 minuta ndërsa deputetët u shprehen se në seancë nuk do të ketë surpriza.

PD: Rama mos blloko statusin, votoje

Një ditë më parë, në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e PD-së, Silvi Bardhi ka theksuar se “Partia Demokratike fton sërish kryetarin e Partisë Socialiste z.Edi Rama të mos bllokojë heqjen e imunitetit dhe procesin e marrjes së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, por të lejojë grupin e tij që të votojë ligjin e miratuar me konsensus të plotë të përfaqësuesve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për heqjen e imunitetit, si një interes jetik i çdo qytetari shqiptar”./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button