Festivali “Skupi”, të braktisësh një fëmijë në skenë (FOTO/VIDEO)

Nënë dhe bir u takuan pas 20 vjetësh, mes frikës për të folur për gjërat që i lëndonin, ata përpiqeshin të flisnin për gjërat që ju pëlqenin, dhe kur stadi i dhimbjes merrte formën fizike, aq sa vështirësonte frymëmarrjet dhe përfundonin në thithje cigaresh, ata merrnin forcë nga ndenja për të mos humbur njëri-tjetrin.

Dhimbja e frikës së humbjes përçohej aq lehtë edhe në publik, sa kishte raste kur trishtimi i shkaktuar reflektonte edhe në sjellje të publikut, i cili qëllimshëm ishte vënë në skenë, për të ndjerë më afër gjithçka çfarë luhej nga aktorja Ema Andrea, Matia Llupa dhe Jonatan Verkuj, të cilët me shfaqjen “Nëna dhe i biri”, shënuan ditën pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Skupi”, shkruan Portalb.mk.

“Ç’ mund të thotë një njeri pas shfaqjes. Besoj se shkoj mirë. Një publik i jashtëzakonshëm. Janë kolegë të mi që i dua fort, dhe thjeshtë doja t’i bëj krenar, dhe besoj se ia dolëm”, u shpreh aktorja Ema Andrea pas duartrokitjeve të gjata që ua dha publiku gjatë dhe në fund të shfaqjes.

Portalb: Duke e pasur parasysh se ju jeni nënë, si është ndjenja ta braktisësh fëmijën në skenë?

Ema Andrea: Të braktisësh një fëmijë në skenë është një boshllëk i madh, dhe kjo është e bukura e profesionit tonë, sepse hymë në jetë të tjera, pa asnjë gjykim. Edhe në këtë shfaqje është një nënë, të cilës ia gjen arsyet se pse e ka bërë këtë akt.

Portalb: Dhe ka arsye një nënë për ta braktisur fëmijën?

Ema Andrea: Në shfaqje ka arsye, sepse ka dashur ta plotësojë veten, dhe mos të bie dakord me moralin e kohës.

Shfaqja “Nëna dhe i biri”

Festivali “Skupifestival” nga viti i ardhshëm me risi

Shfaqja e lartpërmendur ka shënuar ditën e pestë të festivalit, i cili ka nisur më 24 tetor, dhe do të përfundojë më 30 tetor me ndarjen e çmimeve të përzgjedhura nga juria e përbërë prej artistit prej Bosnje dhe Hercegovine, Almir Bashoviq dhe prej Maqedonie, Kushtrim Bekteshi dhe Dimçe Nikolovski.

Në lidhje me “Skupifestival”, drejtori Muzbajdin Qamili tha se nga viti i ardhshëm do të sjellë risi, duke organizuar punëtori të cilat do të përfshijnë kritikë të teatrit dhe gazetarë të kulturës.

“Festivali ka arritur deri në stadin që ka krijuar fizionominë e vetë, dhe prandaj edhe interesimi nuk është duke munguar”, tha Qamili.

Portalb: Çfarë e dallon “Skupin” nga festivalet tjera?

Muzbajdin Qamili: Ajo çfarë e karakterizon “Skupin” nga festivalet tjera, është se ne kemi shfaqje nga të gjitha llojet. Prej viti të ardhshëm festivali do të riorganizohet, dhe shpresojmë se festivali do të jetë tematik, dhe për çdo vit do ta ketë temën e vetë. Shpresojmë që shumë miq, dashamirë, kritikë, aktorë, regjisorë dhe gazetarë, që kemi, do të kyçen, dhe do të kemi një punëtori apo debat një deri dy muaj, në të cilin do të flitet për të ardhmen e festivalit, për mënyrën se si do të organizohet në të ardhmen.

Portalb: Pse ky riorganizim, kur tashmë ka krijuar fizionominë e vetë?

Muzbajdin Qamili: Kjo bëhet për shkak se tashmë ne kalojmë në fazën e dytë, e cila është shumë më e rëndë por shumë produktiv dhe shumë më e mirë për publikun e Shkupit.

Festivali do ta vazhdojë rrugëtimin artistik edhe sot dhe nesër.

Sot, më 29 tetor, me fillim prej ora 20:00, do të shfaqet “Mielli në damarët tonë”, me autor Igor Shtiks, në regji të Boris Lijesheviq e Institucionit Publik “Teatri i luftës” të Sarajevës.

Interpretojnë: Miki Trifunov, Kaça Doriç, Izudin Bajroviç, Admir Glamoçak, Selma Alispahiq dhe Jasenko Pashiq. Skenografia është realizuar nga Vedran Hrustanoviç, kurse kostumografia nga Lejla Hoxhiç.

“Mielli në damarët tone” të shpërndarë nëpër botë për shkak të luftës, të cilat takohen përsëri, pas 20 vitesh, në qytet, në apartament, në mbrëmje. Gjithçka ka ndryshuar, qyteti, vendi, populli, përbërja etnike, rrugët, fytyrat e njerëzve, por traumat kanë ngelur dhe nuk mund të fshihen as edhe nga koha, as edhe nga ndryshimi i lokacionit gjeografik.

“Mielli në damarët tonë”

Kurse nesër, më 30 tetor, me fillim prej ora 20:00 do të shfaqet “Robëroje veten”, në regji të Cosmin Matei, e Teatrit të Pavarur “Dhoma e pritjes” së Rumanisë.

Interpretojnë: Zsolt Csepei, Levente Imecs-Magdó, Endre Rácz, Maya Sebők, Júlia Sipos, Tímea Udvari dhe András Hatházi. Skenografia dhe kostumet janë realizuar nga Anna Kupás.

Varshmëria si formë e adaptimit në dislokime të ndryshme sociale që përsëriten. Një shumicë e konsiderueshme e njerëzve jetojnë buzë robërimit, duke pasur pasojë sjelljen destruktive, nga njëra anë, dhe me ndërgjegjshmërinë të plotë e mungesë të lidhjes nga ana tjetër.

Shfaqja “Robëroje veten”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button