Udhëheqësit e mëparshëm – bashkëpunëtorë, po udhëheqësit aktual çka?!

Kryetari i mëparshëm i PPD-së Sejfedin Haruni, dhe Sekretari i mëparshëm gjeneral i PPD-së Mahi Nesimi u shpallen bashkëpunëtor të shërbimeve shtetërore nga ana e Komisionit për verifikimin e fakteve. Jo që besoj gjithçka që servohet në media, posaçërisht jo nga mediat pro qeveritare, por i besoj Komisionit për lustrim me vendim të sjell në bazë të fakteve të shqyrtuara dhe kjo është e pakontestueshme. 

Është ndjenjë e hidhur ky gjest i qeverisë që të nxjerr publikisht me emër dhe mbiemër vetëm bashkëpunëtorët e tyre të kahmotshëm, sepse ata janë pa relevancë politike dhe sot janë jo-aktiv në shoqëri, së dyti ata kanë familje, të afërm dhe ky veprim i sjell në situatë të palakmueshme në shoqërinë e egër e primitive të sotshme, ata që dikur i idealizonin pa arsye, sot do ti thumbojnë. E kuptoj pushtetin, por nuk e arsyetoj assesi për veprime që bëhen si zëvendësim i mungesës së llogaridhënies dhe realizimit të premtimeve zgjedhore. E kanë zgjedhur këtë metodë për të zhvendos përqëndrimin e opinionit nga dështimet dhe mos pasja e rezultateve pothuajse në asnjë sferë të qeverisjes. Kështu do të shpërqëndrohet vëmendja nga ngecja në proceset integruese, ngecja në zhvillimin e vendit, ngecja në luftën kundër papunësisë, varfërisë, emigracionit, ngecja në realizim të të drejtave elementare njerëzore, e mos flasim për nënçmimin, përçmimin etnik e fetar. 

Pushteti dhelprak, ashtu siç ka qenë gjithmonë “shpëtimin” e gjen tek sakrifikimi i të panevojshmëve. Dihet botërisht se pushteti sakrifikon ata që nuk i duhen, sot është Mahi Nesimi dhe Sejfedin Haruni nesër do të jenë të tjerë. Çështja është se përse lustrohen të “padobishmit e shtetit”? Ata kanë kryer misionin e tyre dhe dëmi është bërë.  Kur do të ndodh mrekullia kombëtare, të lustrohen të “dobishmit” e sotshëm, ata që mbajnë pozicione të larta qoftë në egzekutivin qeveritar, qoftë në kreun partiak të një subjekti politik?! Mos ju duket që paragjykoj, jo assesi, gjërat duken, vërehen, dihen, përfliten, tregohen.

Shqiptarët duhet të “luftojnë” me këmbëngulje kundër bashkëpunëtorëve shqiptar aktiv në skenën politike të ditëve të sotshme dhe jo ti gëzohen publikimit të identitetit të bashkëpunëtorëve të “pensionuar”. Nuk është e vështirë të kuptojmë se kush mund të jenë aktivët e sotshëm, simbolikisht e kuptuam se “gjah” i shërbimeve paskan qenë funksionet e larta partiake, qoftë të Kryetarit të partisë, qoftë të Sekretarit gjeneral, ndoshta “gjah” janë ende këto funksione! E pse mos jetë ngjashëm??? Mos ka ndryshuar metodologjia, jo. 
Fitues i përjetshëm është bërë shteti, bashkë me atë edhe Kryetari i një partie politike, Sekretari gjeneral që edhe me profesion është gjeneral ushtrie, madje gjenerali i vetëm shqiptar në ushtrinë e famshme të JNA-së jugosllave. Këta janë “fituesit” e përjetshmit e kohëve të sotshme. Të përjetshëm të tillë ka edhe dy zv.kryeministra, deputet, ministra, ambasadorë etj, por këta janë akoma të dobishëm dhe me mjeshtëri qëndrojnë atje lart, në majat e egzekutivit. E çka duhet bërë? Sërish, duhet të flijohen të “padobishmit” e të “padobishmëve” të sotshëm, ata që janë rezervë, deri dje bashkëpartiak sot janë bërë të diferencuarit…

Logjika është e qartë: në Maqedoni pjesë e pushtetit mund të bëhen vetëm bashkëpunëtorët. Ata janë të trajnuar dhe të asistuar, dinë të eksponohen, të luajnë me fjalë, të tërheqin simpati por edhe të bëhen të “përjetshmit” e pushtetit. Historiku i të arriturave të tyre është 0, por përsëri ata do të jenë “fitues” dhe do të bëhen të përzgjedhurit e popullit, e popullit që bën shitblerjen e votës, por edhe për sa kohë?!

Sidoqoftë, bashkëpunëtor aktiv apo pasiv, një gjë e di, ata nuk kanë gjumë të rehatshëm, sepse sekreti i së vërtetës ju shërben si mbidozë e kofeinit, e kjo mbidozë i le pa gjumë.

P.S    Pres me padurim të shoh se çfarë statusi aktualisht ka në partinë amë një deputet që po përflitet?! Dilema është: i “dobishëm” apo i “padobishëm”, sepse “meritat” i dihen.

Autori është Magjistër i shkencave politike në USHT

Lajme të ngjashme

Back to top button