Amendamentet për “çështjen shqiptare” në Maqedoni, rrezik për shumicën parlamentare

Kushtëzimi i ndryshimeve kushtetuese të parashikuara sipas Marrëveshjen e Prespës me amendamente jashtë çështjes në fjalë, do të rrezikonte procesin integrues, pasi që për momentin është shumë rëndë të sigurohet konsensus brenda partive politike.

Kështu deklarohen për Portalb.mk njohësit e çështjeve politike, Naser Ziberi dhe Petar Arsovski në lidhje me paralajmërimet e Lëvizjes BESA me kryetar Bilall Kasamin dhe Aleancës për Shqiptarët se do të parashtrojnë amendamente që paralelisht me ndryshimet kushtetuese për Marrëveshjen me Greqinë, të votohen edhe amendamentet për përmirësimin e “çështjes shqiptare”, gjegjësisht zyrtarizim të plotë të gjuhës shqipe si dhe ndryshim të preambulës me çka shqiptarët do të bëheshin qytetarë shtetformues të shtetit.

Naser Ziberi
Naser Ziberi

“Çdoherë kur flasim për kësi mundës, duhet të kemi parasysh faktin se nuk mund të llogaritet në këtë pa e siguruar mbështetjen, krejt tjetra do të ishte vetëm marketing politik. E dini sa luftë është bërë derisa erdh deri te implementimi i Marrëveshjes së Ohrit, erdhi puna deri në konflikt të armatosur për t’u bërë një ndryshim në favor të shqiptarëve, mund partitë shqiptare ta kushtëzojnë këtë, por do të dështonte procesi i Prespës, gjegjësisht implementimi i kësaj përkrah implementimit të Marrëveshjes së Prespës është iluzore. Nuk besoj që do të ketë gatishmëri për mbështetje nga LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja. Kjo vetëm mund t’i bëjë dëm procesit euro-integrues”, thotë për Portalb.mk, Ziberi.

Petar Arsovski
Petar Arsovski

Arsovski gjithashtu thotë se shumica parlamentare tani ka 80 deputetë për Marrëveshjen e Prespës, por nuk është e sigurt, nëse edhe për “çështjen shqiptare”, do t’i ketë numrat e njëjta.

“Nuk është jo-normale që të diskutojmë për çështjen shqiptare, pasi që që gjatë kohë nuk kemi biseduar, por mendoj se për momentin është shumë rëndë që të arrihet konsensus. Shumica qeveritare ka 80 deputetë për marrëveshjen e Prespës, por nuk e dimë nëse kemi 80 deputetë edhe për çështje tjera. Çfarë bëjmë nëse nuk arrijnë t’i sigurojnë, a do të tërhiqen atëherë partitë shqiptare nga mbështetja për Marrëveshjen e Prespës dhe do të rrezikojnë integrimet në BE dhe NATO? Unë megjithatë mendoj se partitë shqiptare do të kuptojnë se BE dhe NATO është prioritet kryetar.  Në llogari të saj, mendoj se partitë shqiptare nuk do të lejojnë t’i rrezikojnë integrimet euro-atlantike, kështu nuk mendoj se ka ndonjë problem serioz. Çështja është se nëse ata e kushtëzojnë dhe nuk gjejnë përkrahje dhe me këtë eventualisht do të binte poshtë procesi i implementimit të Marrëveshjes së Prespës, a do të jenë të gatshme partitë shqiptare që ta bartin atë përgjegjësi para elektoratit shqiptar se për shkak të tyre ka dështuar procesi euro-atlantik”, vlerëson Arsovski.

Ka mundësi ligjore për dorëzim të amendamenteve jashtë propozimeve të Qeverisë

“Proceduralisht ekziston mundësia që edhe në Komisionin Kushtetues, por edhe në seancë parlamentare të propozohen amendamente përkrah atyre që do t’i propozojë, propozuesi, në këtë rast Qeveria, në kuptimin nëse do të sigurohet numri i mjaftueshëm i votave”, thotë eksperti juridik Naser Ziberi, në lidhje me atë nëse ka mundësi që të dorëzohen amendamente jashtë çështjes së Marrëveshjes së Prespës.

“Kushtetuta dhe rregullorja thonë që propozuesi do të jep edhe orientim për atë se si do të duken amendamentet, por absolutisht nuk do të thotë që përjashton mundësinë e ushtrimit të amendamenteve tjera”, thotë Ziberi.

Ndryshe, për dallim nga dy partitë opozitare shqiptare, partitë tjera shqiptare në koalicionin qeveritar, BDI, Lëvizja BESA me kryetar Afrim Gashin, RDK dhe PDSH, nuk do të dorëzojnë amendamente pasi që tani më me rëndësi është që Maqedonisë t’i hapet rruga euro-atlantike. LSDM nuk ka ndonjë qëndrim preciz për çështjen në fjalë, duke thënë se të gjitha amendamentet do të shqyrtohen, por votimi i tyre do të varet prej disponimit të shumicës parlamentare.

Maqedoni, këto janë qëndrimet e partive për amendamentet për “çështjen shqiptare”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button