I kujt është Ilindeni dhe e kujt është Maqedonia?

Ilindeni, 2 gusht, në Maqedoni është festë shtetërore që shënon ditën e një kryengritjeje në vitin 1903 kundër pushtetit otoman të atëhershëm në këto troje dhe të cilën maqedonasit e sotëm e marrin si ditë vendimtare në kohët moderne për luftën e tyre për pavarësi dhe shtetësi. Edhe sivjet në Maqedoni kjo ditë u shënua me ikonografi të bollshme dhe manifestime shtetërore në nivelin më të lartë. Kjo ditë njëkohësisht është një ditë e shënuar edhe në kalendarin ortodoks të krishterë. Ishte interesante vështrimi i manifestimit të sotëm nga dy pikëpamje.

E para është qëndrimi ndaj gjithë kësaj nga ana e maqedonasve të sotëm të cilët mu këto ditë kanë përjetuar zvogëlimin e pensioneve, shtrenjtimin e rrymës, benzinës dhe të cilët dita ditës e kanë më të qartë fatin e tyre dhe të shtetit të tyre amë si të ngecur sidomos në gjendjen e mjerueshme ekonomike dhe në proceset e bllokuara të integrimit euro-atlantik. 

Por ende më shumë ishte interesant sjellja e faktorit shqiptar në gjithë këtë simbolikë shtetërore. Ashtu partia shqiptare në pozitë mori pjesë në gati gjitha manifestimet që u bënë me këtë rast kurse opozita tërësisht i injoroi të njëjtat. Por më shumë edhe se kjo ishte fakti se gjatë tërë kohës askund me asgjë nuk ishte shënuar rëndësia e shqiptarëve për kryengritjen historike e as qenësia dhe kontributi i tyre për vazhdimin e këtij shteti. Kjo gjë u injorua totalisht prej mostrajtimit të fakteve historike, disa edhe të kontestuara, për pjesëmarrje direkte edhe të shqiptarëve në këtë kryengritje historike por as edhe që u cek si i veçantë kontributi dhe ndihma e pamohueshme e shqiptarëve të atëhershëm, sidomos në pregaditjen e kësaj kryengritje. Një kontribut ky i cili merret si i saktë edhe nga vet burimet historiografike të maqedonasve. 

Krahasuar me festimin jubilar që iu bë kësaj dite në vitin 2003, këtë herë mungonte edhe shqipja në çdo manifestim të kësaj dite. Edhe pse prej atëherë gjuha shqipe është avancuar sipas deklarimit të disa përfaqësuesve politik shqiptar. Ashtu shqipja dhe shqiptarët munguan edhe në kampanjën qeveritare me moto: “Lufta për Maqedoninë ende vazhdon”. Shqiptarët nuk ishin askund me asgjë të përfaqësuar as edhe në këtë kampanjë promovuese të shtrenjtë dhe as që diçka prej kësaj kampanje ishte e përkthyer në gjuhën shqipe apo të publikohej në ndonjë medium në shqip! Gjithë ajo ku mund të ishin shqiptarët gjatë manifestimit ishte në valëvitjen e flamurit shqiptar në proporcion më të vogël se ai shtetëror, nëpër komunat shqiptare dhe të gjendeshin në frazat klishe për multietnicitetin e shoqërisë së këtuhit; gjë kjo e cila u përsërit në gati çdo fjalim të zyrtarëve më të lartë shtetëror.

Shqiptarët politikisht ndoshta edhe mund të ia lejojnë vetes këtë luks politik që të mos jenë në Ilinden dhe që Ilindeni asnjëherë mos të shihet si edhe i atyre por ata nuk mund që aq lehtësisht të pranojnë që Maqedonia, të cilën ata e mbajnë, për të cilën luftojnë dhe për të cilën ata heqin të ziut e ullirit në marrëdhëniet ndërkombëtare të mos jetë edhe e tyrja. Kurse mu kjo ishte tendenca gjatë gjithë manifestimeve që iu bënë kësaj date historike. Kjo sidomos kur zyrtarët më të lartë të shtetit përvetësojnë simbolikën shtetërore vetëm për një etni dhe bile kur përmendin multietnicitetin atë ia atribuojnë shoqërisë e jo shtetit. Porosia që dërgohet nëpërmjet kësaj është se mund të kemi qytetarë nga çdo lloj dhe shoqëri diverzive por se shteti është vetëm i dikujt?!

Është afër vijës së patolerueshmes lehtësia me të cilën politika shqiptare kalon përskaj këtij uzurpimi të simbolikës shtetërore dhe bile e legalizon atë me prezencë kurtoazike. Kjo është sidomos komprometuese kur nga ana e kryetarit të shtetit mu në këtë manifestim dërgohen porosi për mbrojtjen e disa çështjeve identitare që kanë të bëjnë vetëm më një etni në shtet duke u kërcënuar me faktin se ai vet nuk do pranon asnjë raport nga instancat evropiane nëse në te nuk janë të qarta emërtimet që sipas tij do duheshin të jenë aty! Mandej edhe kur manifestimi përdoret politikisht nga ana e kryeministrit për të legalizuar projektin më përçarës përgjatë krejt historisë së Maqedonisë; Skopje 2014, dhe kur në prezencë të ministrit të mbrojtjes i cili është i deleguar nga subjekt shqiptar, përmendet lufta. Shqiptarët gati gjithmonë nuk trajtojnë seriozisht këtë lloj uzurpimi të simbolikës shtetërore por është dëshmuar edhe historikisht se prej gjërave më serioze janë shteti, lufta dhe porositë që dërgohen për botën e jashtme. Ashtu shqiptarët mund të lënë Ilindenin por duhet gjithmonë të bëjnë të qartë se ata nuk e lënë Maqedoninë, që ajo të jetë vetëm e dikujt apo që të mos jetë edhe e tyrja!

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button