Fortuna e fjalës së goditur në realitetin e kohës

(Laureat i FNP ‘’Ditëve e Naimit’’ 2018)

Poeti  Beat Brehbyl u lind më 1939 në Opplingen afër kryeqytetit zviceran, Bern. Vitet e fëmijërisë i kaloi në Nidervitrach të kantonit të Bernës. Absolvoi si radhitës i shkronjave në Bern. Nga viti 1960 filloj të punoj në radhitjen e librave në Zhenevë. Gjatë asaj kohe ndoqi shumë kurse për fotografi dhe tipografi. Nga viti 1961 deri më 1964 u bë redaktor i revistës ‘’ciou’’. Pastaj pas vitit 1964 deri 1965 përsëri bëhet radhitës në Berlin dhe Cyrih. Pas vitit 1966 punësohet në shtëpinë Botuese Diogen të Cyrichut. Kurse që nga viti 1971 vepron si grafist dhe shkrimtar i lirë. Më 1980 themelon shtëpinë botuese Valdung në Frauenfeld. Këtu udhëheq shtëpinë botuese dhe atelien Botoni. Poeti Beat Brehtbyl tani jeton në Frauenfeld. Shkruan lirika, prozë për fëmijë dhe të rritur. Është anëtar i PEN qendrës, ku edhe ka qenë kryetar i saj gjatë viteve 1991-1999. Për punën e tij kreative është shpërblyer shumë herë në Zvicër  dhe jashtë vendit.

Pra, poeti Beat Brehbyhl është autor zviceran shumë dimenzional. Rrugëtimi i tij kreativ kap hapësira të shumta dhe të ndjeshme njerëzore, ku me një zhdërvjelltësi kreative skicohet e rrëfehet jeta dhe marrëdhëniet e njeriut me natyrën dhe me shumë ndodhi tjera të përditshmërisë. Poeti është një lirik i spikatur, me veçanti perceptimi të theksuar intimiteti, që e dallon theksueshëm atë shprehjen e tij poetike, prej shumë autorëve tjerë bashkëkohorë. Gjuha poetike e këtij poeti flet më shumë se gjuha e përditshmërisë së bisedës. Sepse poeti eshë gjithnjë në kërkim të fjalës së goditur dhe të asaj gjendje, situate të përjetuar nga vetja dhe të tjerët. Në vargjet e tij ndeshet një ylber ngjyrash të shumta motivesh, nëpër të cilat ngjyra kolorite të fjalëve, kalëron edhe e përhirta e arsyeshme dhe sidomos ajo jeta intime e individit, e përballur me botën dhe teknikën bashkëkohore që na rrethon. Lëvizjet dhe shëtitjet e tij të përhershme kreative i bën duke kërkuar shprehjen tipike moderne të kohës. Shprehjet dhe fjalët e kërkuara me kujdes vijnë nga frymëzimet tipike të përjetimeve të shumta jetësore. Këto përjetime të dala nga shtigjet e njohura artistike, janë gjurmë të veçanta, që i ka të salduara mjeshtërisht nëpër vargje. Si duket poeti performon në vargje atë kërkesë njerëzore të brendshme që nuk mund ta shfaq hapur lirshëm nëpër situata të caktuara ndeshjesh e takimesh njerëzore.  Imagjinata krijuese e autorit rrëzon kufizime lirish e ndalesash, ajo kureshtja e tij këmbëngulëse, për ta njohur botën dhe gjërat rreth tij, e lidh thellësinë e mendimit dhe provokimit artistik nëpër situata të pa thyeshme të qëndresës dhe vetëbesimit. Për poetin jeta si në perëndim jug apo lindje është e njëjtë. Njeriun dhe brendinë e tij e percepton përmes kuptimit të shpirtit dhe arsyes që ka, e cila arsye është e lidhur me emocione të ndryshme në kohë dhe hapësirë. Pos kësaj autori jep imazhe dhe sentenca poetike ku njeriu është i lidhur me botën industriale dhe nga ambienti që e rrethon. Metaforat e tij janë turbina kryesore e imagjinatës së tij refleksive. Autori na sjell fotografi jetësore, përshtypje, apo ndikime të shumta, ku gërshetohet e kaluara dhe e ardhmja e jetës njerëzore dhe shoqërore.

Beat Brehbyl në gjykimin e tij poetik kërkon shkakun dhe jo pasojën. Kryesisht kërkon rrënjën e problemit brenda ndodhive që veprojnë në jetën e përditshme. Lirika e tij duhet të vërehet e dëgjohet me një vëmendje të posaçme për të kuptuar thellësinë dhe mesazhin e saj dedikues.  Çdo varg ka kuptim dimenzional alternativ interpretimi. Sepse fjalët e tij kumbojnë në kuptim të domethënies zhurmuese që të lënë përshtypje gjatë leximit të vëmendshëm të tyre. Nëpër shumë poezi na duket se autori na grish për gjërat që i kemi të njohura edhe ne në jetë në tonë, por ato bëhen më të kuptueshme kur lexohen këto vargje me vëmendje.

Kryesisht poezitë e Brehbylit na mësojnë për të kuptuar fshehtësitë e dashurisë në jetën e mistershme të njeriut, e cila jetë padyshim në botën e saj të brendshme ka të strehuar të bukurën dhe të shëmtuarën, por edhe brengën e saj që mbështjellet rreth këtij fenomeni kaq të madh dhe sublim. Kur i lexojmë këto vargje që kanë mesazh, na duket se edhe ne jemi bashkudhëtar i tij dhe posaçërisht me ato gjëra perceptuese që na jepen për synim në realitetin e kohës.

Përmbledhja poetike  ‘’ Gedichte fur Frauen und Balsaminen, dhe shqip të përkthyer nga Ferdinant Laholli ‘’Poezi për gratë dhe lulet mosmëprek’’, që unë do ta kisha përkthyer ‘’Poezi për gratë dhe lulenishte, ose lule ballsamet’’(sepse Ballsam-është lëng i trashë si i rrëshirë, me erë të mirë, që kullon nga disa drurë që përdoret në teknikë dhe mjekësi. Mjet që zbut a qetëson dhembjen, ngushëllim, balsamimi i kufomës, etj) Sepse ky titull i dhënë kështu ka të bëj me vet përqasjen dhe sprovën e autorit në preokupimin e tij artistik. Këto dy faktorë ngjizen figurativisht nën vetëdije me nisjen e kërkimit të momentit adekuat të dashurisë. Sepse sipas autorit askush nuk e di saktësisht kur vjen ai pikëtakim i pëlqimit, apo moment të dashurisë, që na befason dhe vjen si ‘’rrufeja’’ gjatë jetës dhe veprimit të përditshëm. Çdo synim ka esencën e vet, që ngjall dëshirën dhe epshin njerëzor, e cila madje bëhet rrjetë që të mban peng vardisjesh të pa frenuara nëpër kohë. Poeti nuk do poezinë vetëm për ta shkruar sa për sy e faqe dhe për të  marshuar  në ‘’shkopin e taktit’’ të famës, por do me një vëmendje të posaçme, atë poezi që ulet bashkë me ne, apo siç thotë në një rast poeti poezi që ulet në ‘’tavolinë me mua’’ dhe që mua më largon nga vetja. Poeti po ashtu pranon ato poezi që janë më ‘’punëtore se politikanët’’ dhe sidomos ato poezi që janë të pa përkulshme nëpër beteja të shumta jetësore.

Përkushtimi i përhershëm i poeti në kërkimin e fjalëve të reja dhe të veçanta na duket se janë shigjeta thumbuese  antiformaliste. Nuk i jep shumë rëndësi formës Por edhe pse poeti mendon kështu për trajtimin e poezisë, aty kah vitet 1982 dhe 1988, na befason me dy përmbledhje Haiku, ku me shkathtësi krijuese shëmbëllen kujdesshëm me tri vargëshin e poezisë së shkurtë, kryesisht të formuar nga 17 rrokje. Në vargun e parë gjenden 5 rrokje, 7 në vargun e dytë, kurse 5 rrokje në vargun e tretë. Poeti kësaj here i ka qëndruar besnik formës së teknike të të shkruarit konciz.

Por sidoqoftë nga kjo prani e artit të kultivuar, poeti Beat Brehbyhl, ka bërë emër të veçantë në poezinë bashkëkohore me vargjet e tij të lira. Kështu ka vepruar edhe me përmbledhjen të botuar në dy gjuhë, gjermanisht dhe shqip ‘’Gedichte fur Frauen und Balsaminen’’,  ‘’Poezi për gratë  dhe lulet mosmëprek’’  Autorit Beat  Brehbylit, i uroj jetë të gjatë dhe të na sjell edhe vepra tjera të veçanta dhe interesante.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button