PSE SHKRUAJMË? (II)

Roland Barthes në esenë me titull “Dhjetë arsye për të shkruar” (“Dix raisons d’écrire”) thotë se të shkruarit nuk është as aktivitet normativ e as shkencor, dhe radhit shkaqet për të cilat shkruante: (1) nga nevoja për kënaqësi, ngaqë siç e dimë shkrimi disi lidhet edhe me  kënaqësinë sensuale-trupore, të natyrës së erosit. (2) ngaqë shkrimi e shqendërzon fjalimin, individin dhe personin, (3) për t’i bërë një dhuratë efektit të mirë, për të realizuar një aktivitet të veçantë, për t’u dalluar; (4) për t’u njohur nga të tjerët, për të qenë i lumtur, i dashur, i kontestuar, për t’u marrë parasysh; (5) për të kryer detyra ideologjike dhe kundër-ideologjike;  (6) për t’i respektuar urdhrat e një tipologjie sekrete, të shpërndarjes së luftëtarëve, të një vlerësimi të vazhdueshëm, (7) për t’i kënaqur miqtë dhe për t’i hidhëruar armiqtë; (8) për t’i kontribuar çarjes së sistemit simbolik të shoqërisë, (9) për të prodhuar kuptime të reja, forca të reja, për t’iu përqasur gjërave një mënyrë të re, për ta minuar apo ndryshuar robërinë e ushtruar nga kuptimet; dhe (10) për të lëkundur  idenë- idolin apo fetishin – e përcaktimit dhe shkakut të vetëm, në kuptim të asaj se në veprimtaritë pluraliste  nuk ka shkakësi (kauzalitet), qëllim ose përgjithësi, siç është vetë teksti. (Corriere della sera, 29 maj, 1969)

Neve, në shekullin XXI, të shkruajmë na shtyn dashuria për bashkësinë, popullin, kauzën, për njerëzit të cilët duhet të iluminohen, të cilët presin një mendim ndryshe, jashtë atij të kafeneve, të llaf-muhabeteve, të politikës dhe politikanëve. Duam ngrisim nivelin, të tregojmë  se nuk jemi popull vetëm i sharrës dhe shtatit. Të shkruajmë na shtyn “armata” e të rinjve, studentëve të cilët duhet të ushqehen me diçka ndryshe prej postimeve në rrjetet sociale. Një faktor tjetër është edhe përgjegjësia sociale për rrjedhat në shoqëri. Indolenca ndaj fenomeneve përreth nesh dhe më gjerë nuk është tipar i njeriut të ndërgjegjshëm. Shkruajmë sepse lexim-shkrimin e kemi ushqim, pa to atrofohemi, vdesim. Përmes shkrimit bëjmë fizkulturë, ushtrime të arsyes, të mendjes, pastrojmë mykun e trurit, ruajmë dinamizmin, e mbajmë në formë kokën, e ruajmë sh(ë)n(d)etin e kryes. Riprodhojmë atë që kemi lexuar, modelojmë perceptimet e vështrimet tona, rishprehim atë që kemi akceptuar nga teatri kolektiv. Shkruajmë sepse besojmë se nëse nuk shkruhet mund të bëhemi “djerrinë intelektuale” (Hobson), mund të bëhemi shtëpi e pabanuar. Përmes shkrimit kritikojmë, sensibilizojmë. Shkruajmë sepse kemi një ëndërr që duhet ta bëjmë zhgjëndërr. Tekstualizojmë ngase një nga formulat tona të jetës është edhe kjo: Lexoj, pra, jam! Shkruaj, pra, ekzistoj! Shkruajmë sepse duam të shkollohemi dhe të shkollojmë gjatë gjithë jetës. Kultivohemi, kulturalizohemi, e ndoshta me ndonjë germë e iluminojmë ndonjë ndonjë individ. S’ka kënaqësi më të madhe se sa të nxisim dikë tjetër t’i ngjitet këtij karvani, ta rekrutojmë përmes “edukimit nga distanca” një autor ose kolumnist të së ardhmes. Nuk i dihet kësaj pune, si shumë të tjerave në jetë. Duam të lëmë një narracion, një trashëgimi pas vetes. E dimë që trashëgimia materiale (shtëpia, vetura, tavolina…) do t’iu mbetet të tjerëve ose do të konsumohet nga dhëmbi i kohës, ajo intelektuale-shpirtërore është jona dhe do të jetë në shërbim edhe kur s’do të jemi këtu, edhe kur të kalojmë përtej.  Shkruajmë sepse duam të jemi pararojë e shoqërisë, të japim opinione korrektuese, të ofrojmë solucione, rrugëdalje. Shkruajmë sepse s’jemi argat i askujt, s’i kemi dhënë mendtë me qera, s’kemi tregtuar lapsin e mendjes; andaj s’bëjmë shkrime me porosi. Një radhë një “intelektual” yni na dha një ofertë tërbuese: “A bën ti ta përkthesh X librin e një filozofi të huaj, e unë ta vë emrin tim si përkthyes?” “S’i ke ato lekë me të cilat mund të bësh një transaksion të tillë”-iu përgjigjëm. Ja pra: Shkruajmë sepse jemi krijuar të lirë, sepse s’i përkulemi askujt pos të Vërtetës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button