Negociatat me NATO për Maqedoninë janë pothuaj rutinore – po përgatitemi tashmë 19 vite

Bisedat për anëtarësim në NATO, që filluan dje në Bruksel, për Maqedoninë janë pothuaj rutinore, unanimisht thonë edhe përfaqësuesit e vendit edhe ata të Aleancës, veçanërisht për shkak se vendi tashmë 19 vite edhe formalisht po përgatitet për anëtarësim, shkruan “Meta“, transmeton Portalb.mk.

Maqedonia në vitin 1999 e nisi Planin aksional për anëtarësim (Membership Action Plan), proces i cili përmes programeve vjetore të reformave duhet ta përgatitë vendin për anëtarësim dhe deri tani i ka realizuar tetëmbëdhjetë cikle të plota të përgatitjeve.

Qëllimi i bisedave për anëtarësim, sipas shpjegimit në internet faqen e NATO-s, është që vendi i ftuar formalisht ta konfirmojë vullnetin e vet dhe aftësinë për t’i ndërmarrë obligimet politike, ligjore dhe ushtarake nga anëtarësia në NATO, siç janë të përkufizuara në Marrëveshjen e Uashingtonit, akti themelues i Aleancës.

Bisedat zhvillohen në dy sesione. Në të parin, shqyrtohen çështjet politike dhe ushtarake dhe në esencë duhet të konstatohet se janë arritur parakushtet themelore për anëtarësim. Në sesionin e dytë bisedohet për çështje teknike, si resurset, çështje sigurie dhe ligjore, si dhe kontributi i secilit anëtar në buxhetin e përbashkët të NATO-s. Ky kontribut përcaktohet proporcionalisht në raport me madhësinë e ekonomisë së vendit në raport me ekonomitë e anëtareve tjera. Në këtë sesion kërkohet nga vendi të ndërmerr masa për mbrojtjen e informatave të besueshme (klasifikuara) prej NATO-s dhe t’i përgatit shërbimet e sigurisë dhe të zbulimit të punojnë me Zyrën për siguri të Aleancës.

Produkti final i këtyre bisedave është që vendi të përgatit dhe të parashtrojë kalendar deri kur do t’i përfundojë reformat e duhura, të cilat mund të vazhdojnë edhe pasi vendi të bëhet anëtar i plotfuqishëm.

– Negociatat e mbulojnë çështjen e sigurisë, mbrojtjes, ato politike, juridike dhe financiare si dhe qëllimet dhe afatet të cilat Shkupi duhet t’i përmbush gjatë kohës së dhe pas aderimit – deklaroi zëdhënësja e sekretarit gjeneral të NATO-s, Oana Lungesku.

Delegacioni i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, i udhëhequr nga zëvendësja e kryetarit të Qeverisë dhe ministre për mbrojtje, Radmilla Shekerinska, së bashku me Koordinatorin Nacional për NATO Stevo Pendarovski, dje e filluan sesionin e parë me ndihmësin e sekretarit gjeneral të NATO-s, ambasadorin Aleksandro Alvargonzales dhe me ekipin e NATO-s për negociatat me Maqedoninë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button