“Monstra”, ekspertët mostrat nga dheu dhe gëzhojat nuk i kanë marrë nga terreni, por ua kanë dhënë në laboratori

Ekspertët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, nuk kanë dalë në vendin e ngjarjes për t’i mbledhur mostrat për kryerjen e ekspertizave për dheun dhe armët, por të njëjtat ua kanë dërguar eprorët policorë në laboratori për t’i analizuar. Kjo u tha sot në seancën gjyqësore për rastin “Monstra” ku ekspertët nga MPB-ja, i elaboruan ekspertizat e bëra për baltën e gjetur në veturën Opel Omega dhe gëzhojat e mbetura nga të shtënat në Liqenin e Smillkovës më 12 prill të vitit 2012, njofton Portalb.mk.

Ekspertët nga Ministria e Punëve të Brendshme sot i kanë elaboruar ekspertizat e bëra në rastin “Monstra” për dheun dhe armatimin. Ekspertizat janë bërë nga MPB-ja për nevojat e gjykimit të parë për t’u parë gjendja faktike e dëshmive.

Snezhana Nikollovska, nga Laboratoria Kimike e MPS-së, sot deklaroi se ka kryer analizë të mostrave të marra nga balta që është gjetur “Opel Omega” me të cilën veturë, sipas aktakuzës vrasësit kanë ikur nga vendi i ngjarjes dhe mostrave të marra nga dheu i vendit të ngjarjes, gjegjësisht nga disa lokacione, afër trupave të të vrarëve.

“Mora dhe nga disa lokacione dhe më pas të njëjtat i krahasova me baltën prej veturës. Balta nga vetura dhe dheu prej njërit të trupave janë të ngjashme sipas ngjyrës, përbërjes elementare dhe madhësisë së grimcave”, tha Nikollovska.

Sipas asaj që tha Nikollovska, ajo vetë ka dalë për t’i marrë mostrat e dheut në Vrazhimir, pra në vendin ku është gjetur “Opel Omega”, megjithatë mostrat nga Liqeni i Smillkovës, vetëm ia kanë sjellë për t’i analizuar, pra s’ka qenë në vendin e ngjarjes.

Rasti "Monstra" opel omega
Opel Omega

Nga ana tjetër, krim-tekniku Nexhat Muriq, i cili e ka kryer ekspertizën e armatimit, deklaroi se nga materialet që ia kanë dorëzuar për ekspertizë, del se në Liqenin e Smillkovës është gjuajtur me disa lloje të armëve, ndërkaq analiza ka treguar se njëra prej gëzhojave të gjetur në Liqenin e Smillkovës është e ngjashme me njërën nga gëzhojat që është gjetur në vitin 2009 në Belimbegovë, ku i dënuar është i akuzuari në rastin “Monstra”, Fejzi Aziri, transmeton Portalb.mk.

“Në laboratori na kanë ardhur 21 gëzhoja, 8 projektile dhe dy pjesë të projektileve. Sipas analizës, 13 gëzhojat janë shtënë nga pushkë 7.62 milimetra (të cilat mund të jenë Kallashnikovë, automatik dhe gjysmë-automatik, dhe 8 nga pistelë 9 milimetra. Njëra prej gëzhojave që është gjetur në Liqenin e Sillkovës është e ngjashme me njërën prej gëzhojave që është gjetur në vitin 2009 në fermën Belimbegovë”, tha Skuliq.

Ndaj kësaj ekspertize pala mbrojtëse ka reaguar pasi që sipas tyre, ekspertët nuk kanë dalë vetë në terren që t’i marrin mostrat, ndërkaq gjithashtu problematike është edhe gëzhoja e cila theksohet se është e ngjashme me atë në Belimbegovë.

“Sot jemi dëshmitarë se rasti “Monstra” nuk është montuar nga MPB vetëm me dëshmitarin e mbrojtur dhe automjetin, por edhe me kryerjen e ekspertizave të dheut dhe armës e cila është shfrytëzuar në Liqenin e Smillkovës. Është dyshuese mostrat e dorëzuara, gjegjësisht gëzhojat nuk dihet se kush i ka dorëzuar për ekspertizë në MPB, me çka ngritet dyshim se gëzhojat se gëzhoja kontestuese për të cilin thonë se është i ngjashëm me atë të Belimbegovës është futur nga MPB. Nga ana tjetër, në fotografinë numër 13, ku ka tre gëzhoja në një vend, nuk është e mundur që dy të mos jenë të njëjtë me ato të Liqenit të Smillkovës, ndërkaq njëri të jetë i njëjtë. Këtu paraqitet dyshimi se njëri nga gëzhojat është i nxjerrë nga depoja e MPB-së dhe është vendosur me të tjerët”, tha avokati Naser Raufi.

Sipas palës mbrojtëse, ekspertët është e mundur që ta kenë kryer punën e tyre siç duhet, por është dyshuese se ata vetë nuk i kanë marrë nga vendi i ngjarjes mostrat, por edhe veç asaj nuk dihet se kush ua ka dorëzuar mostrat për analizë.

Ndryshe, seanca e radhës do të mbahet më 26 tetor, gjegjësisht të premten e ardhshme, ku edhe gjatë asaj seance pritet që të vazhdohet me elaborimin e ekspertizave. Pas kësaj, pritet që të thirren për dëshmi mjekët e mjekësisë mjeko-ligjore.

Ndryshe, paraprakisht, prokurorët, trupi gjykues, por edhe të akuzuarit dhe opinioni kanë marrë pjesë në ekspertizën publike që i është bërë veturës “Opel Omega” që sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë lëvizur me të njëjtën pas vrasjes. Tekniku i MPB-së,  pasi e hapi veturën, vërtetoi se është po ajo e njëjta që është gjetur dy ditë pasi ka ndodhur vrasja.

LEXO: “Monstra”: Opinioni pas gjashtë vitesh e pa veturën “Opel Omega” që është dëshmi e rastit (FOTO)

Vetura është lejuar që të shihet pasi që lënda është në rigjykim. Në gjykimin e parë, palëve nuk u është lejuar që ta shohin veturën, por i kanë parë vetëm fotografitë.

Në seancat paraprake, ka dëshmuar dëshmitari i koduar “E1” dhe 3 dëshmitarë tjerë. Pala mbrojtëse ka hedhur poshtë dëshminë e dëshmitarit “E1” duke thënë se ai gënjen.

LEXO: “Monstra”, natën e vrasjes dëshmitari “E1” ka qenë në Liqenin e Smillkovës (VIDEO)
LEXO: “Monstra”: Opinioni pas gjashtë vitesh e pa veturën “Opel Omega” që është dëshmi e rastit (FOTO)
LEXO: Monstra, familjari i të vrarëve: E kam fotografinë e një agjentit që i është gjetur telefoni në veturën “Opel”
LEXO: Monstra: vrasësi është vozitur me veturën Opel, avokati thekson: dëshmitë me mangësi
LEXO: “Opel”-i është vërejtur edhe më herët afër vendit të vrasjeve
LEXO: Monstra: Ekspertët kanë gabuar gjatë ekspertizës
LEXO: ‘Monstra’- Dëshmitari: Vetura e gjetur i takon policisë
LEXO: Detaje nga dëshmitë në “Monstra”: natën e kobshme, 3 peshkatarë u panë me një person me pushkë automatike
LEXO: Rasti “Monstra”, dëshmitari Bekir zbuloi atë që s’e thanë dëshmitarët Memedov dhe Nesim

“Monstra”

Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit të kaluar solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovo”.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë për Krime të Rënda në Maqedoni nuk mbajnë. Zyra e Besnik Berishës, avokati i dy shqiptarëve nga Shkupi, ka njoftuar asokohe se vendimi përfundimtar për pafajësinë e Ismailoviqit dhe Demirit është shqiptuar ditë më parë, pas përfundimit të dënimit me nga 2.5 vjet në burgun e Dubravës për armëmbajtje pa leje, përcjellë Portalb.mk.

 

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim.

Nuk dihet nëse Prokuroria Speciale për rastin në fjalë disponon me materiale të përgjuara edhe pse në opinion shpesh është përfolur se ka përgjime të cilat dëshmojnë se personat që janë burgosur kanë qenë të pafajshëm. Të njëjtën gjë e ka thënë edhe kryeministri aktual, duke dëshmuar se vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës nuk e kanë bërë personat që janë vendosur prapa grilave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button