Drama të mëdha…

Gjithandej shihen drama të mëdha, për çdo ditë. Dramë në parlament, dramë në gjykatë, dramë në korrespodencën diplomatike me fuqitë e mëdha.

Në parlament mjaftoi një fjalë e kryeministrit që të shkaktohet tërmet i përgjithshëm. Thirrja e tij për rikonsiliim dhe pajtim u interpretua automatikisht si thirrje për amnisti ose falje presidenciale. Ditë me rradhë ekspertë të ndryshëm komentuan deklaratën e kryeministrit. Përfundimi ishte se kjo ishte thirrje njerrëzore për të tejkaluar gabimet e së shkuarës dhe për të vendosur një komunikim mes anëve të antagonizuara deri në ekstrem. Por fakti që një deklaratë e një kryeministri te e cila përmendet mundësia për t’u falur një gabim barazohet me sjelljen e ligjiit për amnesti, tregon qartë se në çfarë niveli e kemi pavarësinë gjyqësore dhe institucionale. Fakti që kryeministri, i cili nuk ka asnjë, përsësris ASNJË kompetencë legale për të ndërprerë një proces gjyqësor, në momentin kur përmend fjalën falje të gjithë e konsiderojnë të kryer këtë punë, flet për atë se ne si shoqëri thellësisht jemi të bindur se kryeministri është personi kryesor në shtet, i vendosur mbi të gjitha ligjet, dhe bartës i të gjitha proceseve juridike. Thellësisht jemi të bindur se parlamenti nuk ka mundësi tjetër por vetëm të aprovojë dëshirën e kryeministrit për të falur në formë ligji për amnesti, ose shefi i shtetit automatikisht t’i bëjë gati vendimet për falje, sipas shembullit të vitit 2016. Nuk kemi asnjë dilemë për atë se po deshi kryeministri kështu, prokurorja në rastin 27 Prilli e tërheq aktakuzën, dhe gjyqtarja e shpall rastin të mbyllur. Kaq thjeshtë, vetëm sepse kryeministri ka vendosur të jetë i krishterë i mirë, ta kthejë faqen tjetër pas shuplakës që ka marë te e para, dhe ka vendosur që personalisht ta falë atë që ia gjakosi ballin me 27 prill të vitit të kaluar. Kryeministri mund të falë gjithë ditën kë të dojë, për dëmet që ia kanë shkaktuar atij, por rastet që gjykohen në gjykatat tona nuk kanë për viktimë vetëm kryeministrin por të gjithë ne. Pikërisht për këtë veprat penale ndiqen nga institucionet shtetërore dhe jo nga viktima e rastit, sepse ndjekja penale ka karakter publik dhe jo privat. Unë e çmoj shumë aftësinë e dikujt ndaj të cilit është bërë krim që të falë kriminelin. Ky proces i faljes është sigurisht një satisfaksion i madh moral. Por megjithatë, në mënyrë që shoqëria të ecë para duhet ripajtim mes palëve të armiqësuara. Ndërsa ripajtimi bëhet vetëm pasi të jetë bartur përgjegjësia, borxhi të jetë shlyer dhe falja të jetë kërkuar. Në këto kushte, kur ata që desh e dogjën shtetin me të gjithë neve me 27 prill 2017 jo vetëm që nuk konsiderojnë se kanë bërë diçka të keqe por përkundrazi kanë bërë akt heroik, falja dhe ripajtimi nuk janë të mundura. Por fakt është që ne jemi robër të numrave, dhe tani ato numra e definojnë ardhmërinë tonë. Atë ardhmëri e cila varet nga votat në kuvend për ndryshimet kushtetuese. Nga votat e atyre që hapën dyert me 27 prill, nga votat e përkrahësve të atyre që tani me gojën plot kërkojnë “drejtësi” në vend të “amnistisë”. Më ironike se kaq nuk mund të bëhet Maqedonia, thjeshtë nuk e di a mbeti kufit i absurdit të cilin nuk e kemi kaluar gjer më tani.

Është e kuptueshme që drama e dytë këto ditë ndodhi në gjykatë. Aq u ashpërsuan gjakrat lidhur me deklaratën e kryeministrit, aq shumë u ngritën shpresat pas lirimit ekspeditiv nga paraburgimi shtëpiak i deputetëve të akuzuar, saqë me të drejtë filloi t’u vlojë tabani i kokës të githëve që janë të përfshirë në këtë rast, si të akuzuarve, ashtu edhe viktimave, si prokurores ashtu edhe gjyqtares e cila në fund, pa, s’pa i dënoi avokatët dhe u kërcënua që do i zëvendësojë me avokatë tjerë nëse nuk sillen mire në gjykatore. Dramë e madhe gjithandej. Dramë tërrësisht e kuptueshme në vendin ku të gjithë besojnë se i vërtetë është vetëm kryeministri ndërsa të gjithë të tjerët janë hije e tij dhe nuk ekzistojnë në të vërtetë. Kështu, vetë prokuroria nuk beson se ekziston me të vërtetë, sepse sikur të besonte, do e kishte akuzuar deri më tani urdhërdhënësin kryesor në këtë rast. Gjykata poashtu nuk beson se ekziston sepse nuk e ka shumë të qartë drejtimin që duhet ta marë. Shefin e shtetit e dimë moti që nuk ekziston sepse ai është hije e kryeministrit të mëparshëm, i cili nuk është më kryeministër, prandaj rrjedhimisht, edhe hija nuk është më aty. Parlamenti poashtu nuk ekziston sepse nuk doli askush në foltore të thotë qartë se nuk do votonte një ligj për amnisti. Jorastësisht të gjithë njerëzit këtu janë të bindur se vetëm kryeministri ekziston dhe askusht tjetër, dhe se të gjitha institucionet tjera janë një farsë, një reflektim syreal i ndërtesës së bardhë buzë lumit nga e cila priten urdhërat si të veprohet më tej.

Por duhet pranuar, drama kryesore këtë javë ndodhi në korrespodencën mes “Dear Hristijan” dhe “I respektuari Ndihmës-sekretar shtetëror Z. Miçel”. Unë nuk kam lexuar asnjëherë një letër të tillë të qartë dhe precize si letra që mori “Dear Hrisijan” nga ndihmës sekretari Miçel. Sikur të isha në vendin e “Dear Hristijan”it do ia kisha vënë gishtin kokës dhe do mendohesha thellë për faktin që jam turpëruar para shtetit më të fuqishëm në botë, i cili është dëshpëruar nga unë dhe partia që unë e udhëheq në këto kohëra delikate dhe procese që ndodhin një herë në histori. Seriozisht do isha turpëruar sa s’do dija si të veproj, e as që do më kishte shkuar mendja t’i përgjigjem me një arrogance të tillë duke u çjerrur: “Nuk nënshkruaj! Kjo marrëveshje është e dëmshme për ne! Nuk e dua!”. Hapu dhé të futemi brenda, kur ka ardhur puna “Dear Hrisitijan” t’i shkruajë me dramë të madhe, me indinjatë të thellë dhe me arrogance të pakursyer ndihmës-sekretarit shtetëror amerikan! U bëmë ne një farë vendi i madh ku kryetari i një partie i shet mend dikujt që është angazhuar maksimalisht ta nxjerrë nga balta ku është futur qe 27 vjet! E dinim të gjithë që kjo parti e “Dear Hristijan”it në vitet e kaluara ishte bërë partia më e pasur në Evropë, më e pasur edhe se partia e vetë Angela Merkel-it. Por këtyre pasuria u paska rënë në kokë dhe “Dear Hristijan”i vërtetë e mendon vehten më të fuqishëm se Angela Merkel!

Na morrën në qafë këta mendjemëdhenjtë. Janë duke luajtur seriozisht me ardhmërinë tonë. Dhe ne ende duhet t’i durojmë, t’i marim me të mirë, të shohim si të pajtohemi me ta. Që t’i votojnë ato ndryshimet e shkreta kushtetuese në parlament, dhe të mos e marrin më qafë edhe ardhmërinë e fëmijëve tanë. Është vërtet patetike. Patetike, si çdo dramë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button