Vaksinim dhe implantim të çipave në qentë endacakë në Maqedoninë perëndimore

Qentë endacakë janë pamje e shpeshtë në Maqedoninë perëndimor, ndërsa më së shumti mund të vërehen në Gostivar dhe Tetovë. Sot, kryetari i Gostivarit, Arben Taravari, njoftoi se ka filluar procesi i vaksinimit të dhe implantimit të çipave për qentë. Operacioni i parë zyrtar është bërë në Tetovë, për shkak se prej disa firmave të paraqitura në procedurën e tenderit, veterinerët të cilët e kanë fituar konkursin janë pikërisht nga Tetova, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

“Sot është bërë vaksinimi i qenve të cilëve u janë vendosur edhe çipa. Në çipa është shënuar qyteti dhe numri i qenit të trajtuar. Do të përpiqemi që sa më shpejtë t’i trajtojmë të gjithë qentë në Komunën Gostivar, ashtu që qytetarët të mund të ndihen të sigurt”,  deklaroi Taravari.

Kryetari i Odës së Veterinerëve të Maqedonisë, Tomisllav Nikollovski theksoi se me këtë fillon zgjidhja e një problemi tejet serioz të shëndetit publik, por edhe komunal, përkatësisht se qasja ndaj tërë procesit do të jetë në mënyrë sistematike.

Në hapësirën e kazermës së vjetër në Gostivar tanimë ka filluar procesi për trajtimin e qenve endacakë, mirëpo siç tha Taravari, nuk janë përfunduar të gjitha punët administrative, për fillim të plotë dhe formal me punë, përkatësisht të licencohet qendra për trajtimin e qenve.

Ekzistojnë edhe të dhëna të cilat tregojnë se qentë endacakë barten nga një qytet në tjetër, mirëpo Taravari nuk deshi të spekulojë, derisa nuk verifikohen informata të sigurta. Shifra zyrtare e qenve endacakë nuk është ende e njohur, por konsiderohet se ka diku prej 300 deri 500 vetëm në Komunën Gostivar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button